Në seancën e djeshme parlamentare, e cila i nisi punimet rreth orës 10:00 të paradites dhe i mbylli në mesditë, mazhoranca votoi edhe dy kandidaturat e përzgjedhura më parë nga Komisioni i Medias me vetëm anëtarët e majtë, duke i dhënë kështu Autoritetit të Medias Audiovizive dy anëtarë të rinj. Ndërkaq, votimi ishte i ndryshëm për dy kandidatët e përzgjedhur, ku kandidatura e Gledis Gjipalit mori 73 vota pro, 2 abstenim dhe asnjë kundër e ndërsa kandidatura e Pirro Mishës mori vetëm 71 vota pro, 2 abstenime dhe 2 vota kundër. Miratimi i këtyre kandidaturave nga Parlamenti i hap rrugën zgjidhjes së ngërçit institucional në AMA, i krijuar nga vendet vakante. Lidhur me këtë votim reagoi dje edhe Partia Demokratike, e cila e cilësoi atë si antiligjor. Sipas deputetit të PD-së, Genc Pollo, njëherësh anëtar i Komisionit të Medias, zgjedhja e anëtarëve të AMA-s ishte e vetmja marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa vendimi i djeshëm ishte “një akt i pandershëm”. “Një akt të pandershëm kreu mazhoranca sot pasi shkeli një marrëveshje të arritur me opozitën, një nga të rrallat e kësaj legjislature. Një marrëveshje që parashikonte të gjitha hollësitë procedurale e detajet përkatëse për zgjedhjen e këshillit të AMA-s dhe atij të Radio-Televizionit Shqiptar, të pranuar në datën 25 qershor në zyrën time në Kuvend, pra në atë të kryetarit të Komisionit për Edukimin e Median me mazhorancën e përfaqësuar nga deputetet Alfred Peza, Mimoza Hafizi dhe Musa Ulqini”, – tha ai.
Kandidatët e AMA-s
Me 73 vota pro, 2 abstenim dhe asnjë kundër – u votua kandidatura e Gledis Gjipalit
Me 71 vota pro, 2 abstenime dhe 2 kundër – u votua kandidatura e Pirro Mishës
Pas përlotjes dy javë më parë/ Në Parlament, Rama komunikon përmes korrespondencës me letra me Kumbaron
Dy javë pasi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u shfaq në Kuvend e përlotur pas një debati me Kryeministrin Edi Rama, duket se ky i fundit ka përzgjedhur një tjetër metodë komunikimi me vartësen e tij për të shmangur replikat publike. Kështu, në seancën e djeshme u vu re se për të komunikuar mes tyre, Kryeministri dhe ministrja e Kulturës kanë përdorur korrespondencën me letra të shkëmbyera mes palëve nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Porositë e tij për çështjet e dikasterit të drejtuar nga Kumbaro kanë kaluar përmes letrave, ku si zv.kryeministri dhe ministrja e Kulturës kanë qëndruar për disa minuta duke i diskutuar ato gjatë zhvillimit të punimeve të seancës plenare. Lidhur me debatin e zhvilluar me Kryeministrin dy javë më parë, ministrja tha se kjo përbën veprimin më normal në një shtet demokratik. “Më thoni ju mua, pse duhet të ishte ky lajmi më i rëndësishëm dhe çfarë ka lajm këtu? Pse kjo duhet të përbëjë dramë? Ndërkohë, mendoj që kemi një qeveri të shëndetshme, ku çdo ministër thotë gjërat që ka, ku Kryeministri thotë gjërat që ka. Apo preferojmë të kemi Kryeministrin diktator, idhull dhe ku ministrat janë kukulla që nuk hapin gojën”, – kishte theksuar ministrja.




