Gëzim Saliu
Kryeministri dhe kreu i opozitës shmangin shikimin dhe nuk shtrëngojnë duart mes tyre
Edhe pse tryezat për sistemin e drejtësisë janë zhvilluar jo pak herë në historinë 23-vjeçare të demokracisë shqiptare, takimi i djeshëm i krerëve të shtetit dhe klasës politike shqiptare erdhi në momentin kur ndarja mes palëve duket shumë e thellë. Nën kushtet e bojkoti të Kuvendit si edhe kundërshtive të shumta mes mazhorancës dhe opozitës për një sërë vendimesh e ligjesh të ndërmarra nga shumica, Presidenti i Republikës bëri të mundur uljen bashkë në një tryezë të Kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës, Basha. Por edhe pse në dukje ky shënoi një hap përpara për reformën e sistemit, gjë për të cilin të dyja palët bien dakord, përmbajtja e mesazheve të kreut të qeverisë dhe kryetarit të PD-së treguan se shumica dhe pakica gjenden mjaft larg mundësisë së konsensusit mes tyre. Në kohën kur Rama foli për një kancer të drejtësisë, duke mos shmangur akuzat ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve si edhe duke nënvizuar se mazhoranca nuk do të gjejë asnjë alibi për moskryerjen e reformës rrënjësore, kryedemokrati Basha theksoi rëndësinë e ndjekjes së një modeli evropian si edhe domosdoshmërinë e qëndrimit larg të qeverisë nga sistemi i pavarur gjyqësor.
“Përballja”
Pas mbërritjes së Presidentit të vendit, i cili ishte edhe iniciatori i tryezës, në hotel “Tirana International” u shfaq kreu i qeverisë, i cili iu përgjigj 30 minuta para kohe ftesës së Nishanit, duke i dhënë mundësi vetes edhe për të shijuar një kafe para tryezës. Fill pas tij mbërritën edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, si edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, të cilët nuk ngurruan t’i rezervonin një përshëndetje formale njëri-tjetrit, gjë kjo që nuk ndodhi mes tij dhe Kryeministrit. Lideri i opozitës dhe kreu i qeverisë shmangën shikim sy më sy dhe nuk shtrënguan as duart pas mbërritjes në tryezën e rrumbullakët, edhe pse ishin vendosur mjaft pranë në tryezën e rrumbullakët duke u ndarë mes tyre vetëm nga kreu i shtetit dhe Kryeparlamentari. Largësia mes tyre u vu re menjëherë kur Rama dhe Basha u kryqëzuan pa u përshëndetur në takimet pas mbërritjes në tryezë, ku kreu i PD-së takoi kreun e shtetit e ndërsa Kryeministri aleatin kryesor bashkëqeverisës Ilir Meta. Përpos kësaj, ndarja e thellë në qëndrime vihej re qartë edhe në fjalimet përkatës në tryezë, ku si kryedemokrati ashtu edhe kreu i ekzekutivit nuk ngurruan të replikonin mes tyre, edhe pse jo duke u parë në sy. Në hyrje të fjalës së tij, Rama shmangu përfshirjen e kreut të PD-së, ndryshe nga ky i fundit që nuk ngurroi ta përmendte Kryeministrin. Ndërkaq, nga ana e kreut të opozitës, i cili më parë ka kërkuar një përballje me kreun e qeverisë, nuk munguan akuzat e drejtpërdrejta për ato që ai i cilësoi si tentativat e qeverisë për kapjen e sistemit të drejtësisë. Nga ana e tij, Kryeministri nuk e “përtypi” mirë fjalën e kundërshtarit politik, ku ndërkohë në diskutim ripohoi akuzat ndaj KLD-së si edhe nënvizoi se shumica ka përgjegjësinë për të përmbyllur reformën në drejtësi.
Tryeza
Tryeza e djeshme zhvilloi punimet për thuajse 8 orë, ku organizimi i saj ishte menduar përmes paneleve të ndryshme të përbërë nga specialistë të fushës nga vendi e bota. Fillimisht, në panelin e parë ishin të pranishëm kreu i shtetit, Nishani, Kryeministri Rama, Kryeparlamentari Meta, kreu i PD-së Basha, ministri i Drejtësisë Nasip Naço, drejtori për Zgjerimin për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë Jean-Eric Paquet, kreu i prezencës së OSBE-së Florian Raunig si edhe zv.ambasadoeri amerikan Henry V. Jardine. Më pas, në tryezën kryesore, ku përballë saj ishin vendosur ekspertë të ndryshëm, krerë të institucioneve kryesore, kryetarë të partive politike dhe deputetë të Kuvendit u ngjitën me radhë tre panele me nga një moderator për secilin. Në panelin e parë të moderuar nga ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj u fol lidhur me adresimin e boshllëqeve në funksionimin, integritetin dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit, ku në diskutim morën fjalën Kryetar i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, prokuror i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe drejtuesi i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informacionit të BE-së Clive Rumbold. Ndërkaq, në panelin e dytë të moderuar nga konstitucionalisti Gent Ibrahimi u fokusua tek parimet e forcimit të pavarësisë, efikasitetit dhe profesionalizmit të gjyqësorit. Në këtë diskutim morën fjalën deputetët Armando Subashi dhe Eduard Halimi si edhe dy ekspertë të fushës së drejtësisë. Pjesa e fundit e diskutimit ishte fokusuar tek procesi, për të siguruar një reformë gjyqësore cilësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ky diskutim u moderua nga drejtori për zgjerimin në KE Paquet dhe në të mbajtën fjalime deputetët Fatmir Xhafaj dhe Oerd Bylykbashi si edhe ekspertë të OPDAT e OSBE për gjyqësorin. Në përfundim të punimeve rreth orës 18:00 të pasdites së djeshme, Nishani theksoi rëndësinë e tryezës, ku edhe bëri të ditur se pas dy javësh ministri i Drejtësisë do të mbledhë një takim tjetër me format gjithëpërfshirës për të përcaktuar më pas udhërrëfyesin për reformën në drejtësi.
Kryeministri: Do t’u nxijmë jetën gjykatësve e prokurorëve që e kanë kthyer profesionin në biznes
Kreu i PD-së: Modeli evropian kërkon një autostradë evropiane të vendimmarrjes, jo shteg dhish nën pishtarin e çobanit që i prin kopesë
Mazhoranca dhe opozita shprehen parimisht dakord për ndërhyrjen e domosdoshme në sistemin e drejtësisë, por shprehin pikëpamje të kundërta për formën dhe mënyrën se si duhet kryer kjo reformë. Të gjendur dje përballë në tryezën e thirrur nga Presidenti i vendit për këtë çështje, Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, kanë paraqitur pikëvështrimet kryesore të palëve lidhur me këtë reformë. Nga ana e tij, kreu i qeverisë ka deklaruar se sistemi i drejtësisë është një problem kombëtar, me të cilin nuk mund të pretendohet të bëhesh pjesë e familjes evropiane. Sipas Ramës, 90% e shqiptarëve besojnë se drejtësia nuk funksionon, andaj është emergjente të përmbyset ky grafik dhe të kthehet besimi te shqiptarët. Më tej, duke bërë të ditur se qeveria ka propozimet e saj për t’i adresuar problemet e sistemit në 360 gradë, Kryeministri theksoi se reforma në drejtësi është një temë ku politika duhet të krijojë kushtet ku të gjithë të shprehen dhe të dëshmojnë, duke vlerësuar ekspertizën ndërkombëtare. Ndërkaq, sipas Ramës, shumica e votuar nuk ka alibi dhe nuk do të kërkojë të tillë për të ndryshuar sistemin e drejtësisë. Duke replikuar indirekt me opozitën, Kryeministri tha se palët politike nuk mund t’i tregojnë njëri-tjetrit ligjet dhe të bëhen gjykatësit e gjykatësve të korruptuar dhe anëtarëve të korruptuar të KLD-së. “Ne nuk kemi alibi dhe nuk do kërkojmë alibi dhe pa më të voglin dyshim u detyrohemi atyre që na kanë votuar për një Shqipëri të drejtë dhe pa dyshim u detyrohemi gjeneratave të këtij vendi se në Shqipëri ka një korporatë që shet dhe blen drejtësinë, korporata e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar”, – tha ai, duke nënvizuar nga ana tjetër se qytetarët e thjeshtë shqiptarë nuk mund të jenë të pranishëm në takime të tilla apo të kenë akses nëpërmjet celularit tek asnjë lloj gjykate dhe tek asnjë lloj gjykatësi. “Nuk kanë shans të marrin të drejtën e pronës së tyre pa dhënë lekë, nuk kanë shans të marrin drejtësi për djalin e tyre të vrarë, apo vajzën e tyre të përdhunuar, por, përkundrazi, rivriten dhe ripërdhunohen në dyert e gjykatave. Ashtu sikundër vriten dhe përdhunohen nga kriminelë të lëshuar nga gjykatësit me para, për herë të dytë e për herë të tretë, njerëz të cilëve ne mund, duhet dhe do t’ua kursejmë jetën, duke ua nxirë jetën gjykatësve dhe prokurorëve që e kanë kthyer profesionin e tyre në një biznes, që është biznesi më i ulët që bëhet sot, në Shqipëri”, – theksoi Rama.
Basha
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike në fjalën e tij në tryezë theksoi se opozita mbështet një model evropian për reformimin e drejtësisë, duke i bërë thirrje nga ana tjetër qeverisë që të heqë dorë nga ky sistem i pavarur. “Ne mbështesim një vizion, modelin evropian për drejtësinë. Një reformë që bazohet në dy shtylla, reformimin e sistemit për të luftuar korrupsionin që duhet të bëhet nga vetë sistemi dhe jo qeveria. E thënë troç, qeveria duhet të mbajë duart larg nga gjyqësori. Kapja politike e gjyqësorit është burimi më i keq i deformimit të gjyqësorit dhe korrupsionit në drejtësi. Së dyti, konsolidimin e pavarësisë së gjyqësorit nga politika dhe pushteti ekzekutiv, përmes forcimit të organeve vetëqeverisëse dhe rritjes së rolit të tyre në përgjegjshmërinë, transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit para ligjit, Kushtetutës, qytetarëve dhe askujt tjetër”, – pohoi ai. Më tej, kreu i PD-së tha se modeli evropian i reformës në drejtësi kërkon një proces transparent, gjithëpërfshirës, ekspertizë evropiane dhe konsensus. “Populizimi nuk është zgjidhje, reforma kërkon vizion dhe platformë. Kjo shumicë ka kaluar vitin dhe deri tani nuk ka prezantuar asnjë vizion, asnjë platformë. Duhet një proces transparent, gjithëpërfshirës, ekspertizë evropiane dhe me konsensus. Dhe mbi të gjitha transparencë. Modeli evropian kërkon një autostradë evropiane të vendimmarrjes, jo korsi emergjence në mes të natës, aq më pak shteg dhish nën pishtarin e çobanit që i prin kopesë. Të mos ndodhë ajo që nuk ka ndodhur në 23 vite, ku ekspertëve evropianë iu fshehën draftet e paketës verore. Të gjitha propozimet duhet të përgatiten para qytetarëve dhe partnerëve. Procesi kërkon gjithëpërfshirje, jo vetëm të aktorëve politikë. E përmendi Presidenti, Kryetari i Kuvendit, duket se edhe kreu i ekzekutivit ka reflektuar në këtë çështje, ndaj nuk po zgjatem”, – deklaroi Basha.
Kreu i shtetit/ Nishani: Reformë gjithëpërfshirëse për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm
“Pas dy javësh, ministri i Drejtësisë do të mbledhë një tjetër takim që do të përfundojë me hartimin e udhërrëfyesit për reformën në drejtësi”
Reforma në sistemin e drejtësisë duhet të jetë tërësore, gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt parimeve ndërkombëtare për një gjyqësor të pavarur dhe të të paanshëm. Ky ishte mesazhi që dha dje Presidenti i vendit në tryezën e thirrur prej tij, duke theksuar se kjo reformë do t’i shërbejë mbi të gjithë qytetarëve që më shumë se të gjithë kanë nevojë për drejtësi. “Si President kam marrë përgjegjësinë për kontribut konkret në reformimin e drejtësisë. Prania e të gjithëve do të thotë që kjo reformë do ketë përkushtimin, vëmendjen dhe mbështetjen që ajo meriton. Përkushtimi i koordinuar me mbështetjen dhe vëmendjen e ndërkombëtarëve përbën të vetmen rrugë për kryerjen me sukses të kësaj reforme. Superioriteti i Kushtetutës në hierarkinë e së drejtës është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e shtetit të së drejtës. Drejtësia duhet të jetë një themel të funksionimit të shtetit të së drejtës. Pavarësia, paanshmëria dhe eficenca e gjyqësorit duhet të respektohet nga cilido qoftë shtetar apo qytetar i thjeshtë”, – theksoi kreu i shtetit.
Mesazhet
Në fjalën e tij, e cila nisi takimin e djeshëm, Nishani vuri theksin tek reformimi i sistemit gjyqësor, i cili duhet të mbështetet tek praktikat më të mira ndërkombëtare. Pikërisht, këtë tryezë, Presidenti e cilësoi si një mision madhor që do të hedhë shtyllat mbi të cilat do të ngrihet reforma. “Nisur nga fakti që reforma në drejtësi nuk është thjesht një rekomandim për një domosdoshmëri kjo tryezë është një nismë serioze për të kryer një reformë serioze. Kjo duhet të jetë reformë tërësore, gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt parimeve ndërkombëtare për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm”, – tha ai. Më tej, kreu i shtetit pohoi se në këto konture, duhet të nisë puna për të zgjidhur deformimin në sistemin gjyqësor. “Statusi i gjykatësit ka nevojë të përcaktohet drejt, gjyqtari i korruptuar nuk do me një pagë më të lartë, do të motivohej. Një status profesional i caktuar në bazë të viteve të punës, identifikim i kapaciteteve më të mira. Reformim i vetë ligjit që përcakton burimet e furnizimit të vetë gjykatave dhe prokurorisë”, – u shpreh ai. Sipas Nishanit, takim i djeshëm ishte një hap i rëndësishëm për implementimin e reformës në drejtësi, pasi ishin prezentë të gjithë aktorët. “Jam i kënaqur se u ra dakord se parakusht për përmbushjen e reformave është një gjyqësor që të jetë i pavarur, i aksesueshëm dhe i depërtueshëm për të gjithë. Për një gjyqësor që të jetë i drejtë dhe në respekt të të gjithëve, i hapur dhe i gatshëm për të vepruar në përputhje me kushtetutën, ligjin vendas dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe sipas parimeve të shtetit ligjor, të jetë i paanshëm dhe jo paragjykues dhe konsiston ndaj të gjitha palëve, të inkurajoi në mënyrë alternative për zgjidhjen e konflikteve. Si dhe i vendosur për të dënuar krimin dhe korrupsionin”. Ndërkaq, Presidenti bëri të ditur se brenda dy javësh, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, do të organizojë një takim, në kuadër të Reformës në Drejtësi, e cila do të disponojë në fund dhe një dokument konkret nga diskutimet e të gjithë aktorëve. “Me këtë rast gjej rastin ti ftojë ministrin e Drejtësisë të mbledh brenda dy javësh një tryse me aktorët për reformën. Menjëherë pas miratimit të këtij dokumenti, do monitorojë ngritjen e punës, me masa dhe afate kohore, duke parë dhe buxhetimin e tyre, duke reflektuar më qartë punën. Më pas Ministra e Drejtësisë do bëj gati të gjitha aktet ligjore, të cilat duhet të marrin certifikimin e Komisionit të Venecias etj. Përpara ligjit jemi të barabartë të gjithë. Që nga kreu i shtetit e deri tek prokurori e deri tek qytetari më i thjeshtë. Shteti ligjor është i pakuptimtë nëse nuk ka gjyqtar, avokat, dhe juristë që e zbatojnë atë pa frikë. Pavarësia e gjyqësorit në të gjitha nivelet është thelbësore”, – përmbylli fjalën e tij kreu i shtetit Buajr Nishani.
Kryeparlamentari/ Meta: Reforma me konsensus, çdo hallkë e munguar, një shans më pak për progres
Kryeparlamentari Ilir Meta përshëndeti dje pjesëmarrjen e opozitës në tryezën e thirrur nga Presidenti për reformën në drejtësi, duke shpresuar që ky të jetë hapi i parë në rikthimin e saj në jetën parlamentare. Në këtë kontekst, kreu i Kuvendit theksoi se reforma në drejtësi kërkon konsensus, dhe çdo hallkë e munguar do të ishte një shans më pak për progres në arritjen e standardeve që do ta afrojnë më tepër vendin drejt Bashkimit Evropian. “Kam besimin e thellë se pavarësisht ndarjeve politike, ndajmë mendimin e përbashkët se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri. Një sistem i tille siç raportohet dhe perceptohet se funksionon në vendin tonë duhet të ndryshojë. Diskutimi i sotëm do të jetë një kontribut i dobishëm në ndryshimin e kësaj situate”, – tha ai. Sipas Metës: “Rekomandimet e KE lidhur me reformën në drejtësi do të jenë udhërrëfyes i këtij procesi. Reforma në drejtësi do të rrisë besimin e qytetarëve tek sistemi dhe demokracia, do të ndihmojë ekonominë dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendit”.
Kreu i Gjykatës së Lartë/ Zaganjori: Ka rënë besimi tek drejtësia, thelbësore integriteti dhe përgjegjshmëria
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, deklaroi dje se problemet që po has drejtësia kanë bërë që besimi i qytetarëve për këtë sistem të bie në nivele tepër të ulëta. Sipas tij, për drejtësinë, themelore mbetet integriteti dhe përgjegjshmëria. “Drejtësia përballet me probleme të shumta dhe indikatori më i qartë është besimi i publikut që ka arritur kuota alarmante. Pavarësia e sistemit gjyqësor dhe efektshmëria e tij, janë vlera themelore të një vendi demokratik dhe të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Ne e mbështesim këtë reformë, që nuk i shërben vetëm integrimit të vendit në BE, por fillimisht qytetarëve tanë. Integriteti dhe përgjegjshmëria e sistemit gjyqësor janë elementë themelorë”, – tha Zaganjori.
Ambasadori i OSBE-së/ Raunig: Me frymë kompromisi, reforma mundet dhe do të kryhet me sukses
Ambasadori i OSBE-së, Florian Rauning, siguroi se faktori ndërkombëtar do të jetë në krah shtetit shqiptar për të ofruar mbështetjen dhe ekspertizën e tyre për reformën në drejtësi. Ndërkaq, ai nënvizoi se reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mbështet mbi një frymë kompromisi mes palëve, pasi, siç theksoi ai, vetëm në këtë mënyrë kjo reformë mund të kryhet me sukses. “Reforma duhet të përfshihet në një proces gjithëpërfshirës. Ne luajmë të gjithë një ekip por kjo nuk është garë sportive, por gjithkush duhet të sjellë një kontribut unik. Kjo nuk do të thotë se çdo institucion të punojë i mbyllur nga të tjerët. OSBE do të ofrojë mbështetjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Ajo duhet të përfshijë të gjitha shqetësimet e të gjithë faktorëve. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me partnerët tanë, me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Kjo reformë arrihet kur liderët shqiptarë bëhen kampionë të kësaj reforme, nisma ka mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë. Me një frymë kompromisi, reforma mundet dhe do të kryhet me sukses”, – tha Rauning.
Zv.ambasadori i SHBA-së/ Jardine: Ka konsensus mes palëve e qytetarëve për reformimin e drejtësisë
Zëvendësambasadori i SHBA-së në Tiranë, Henry Jardine, tha dje se ekziston një konsensus mes palëve dhe qytetarëve në Shqipëri se drejtësia në vend ka nevojë për një reformim. Por në këtë kontekst, ai shtoi se duhet bërë kujdes që personat e korruptuar të ndëshkohen e ndërsa të tjerët të mbështeten në punën e tyre. “Arritja e reformës gjyqësore është jetësore për të ardhmen e Shqipërisë; vetëm nëpërmjet një procesi përfshirës, të besueshëm, jopolitik ju do mund të çoni përpara dhe të përmirësoni mirëqenien afatgjatë të popullit shqiptar. Ekziston një konsensus i qartë si mes shqiptarëve ashtu edhe mes bashkësisë ndërkombëtare: që reforma gjyqësore është e nevojshme për Shqipërinë. Pa dyshim, shumë njerëz që merren me sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri, gjyqtarë, prokurorë, avokatë mbrojtës dhe qytetarë, besojnë se sistemi i tanishëm nuk ecën sipas ritmit të nevojave të vendit. Megjithatë, në të njëjtën kohë, duhet të bëjmë kujdes të mos futim në të njëjtin grup të gjithë individët që punojnë në sistemin e Shqipërisë”, – tha Jardine.




