Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë shënoi rënie përgjatë periudhës prill-qershor të këtij viti, me 0.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëri të ditur dje Instituti i Statistikave. Rënia qe më e theksuar në sektorin e ndërtimit, – me 2,8 për qind, – kryesisht për shkak se tremujori i dytë i vitit 2013 qe periudhë zgjedhjesh dhe ndërtimi i objekteve të mëdha infrastrukturore qe në kulm. Shpenzimet e qeverisë për investime kapitale këtë vit kanë mbetur gjerësisht të parealizuara, gjë që është reflektuar edhe në rënien e sektorit të ndërtimit.
Grupi i Industrive pati rënie prej 1,29 përqindësh në tremujorin e dytë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013. Brenda këtij grupi edhe pse Industria Nxjerrëse dha ndikim pozitiv me një rrite 7,56%, ecuria e grupit u ndikua nga performanca negative e Industrisë Përpunuese me 6,62% e udhëhequr nga nën dega Energjia elektrike, e cila pati një rënie me 29,20%. Rënia e prodhimit të energjisë elektrike ka krijuar një deficit të papritur për qeverinë, e cila është detyruar të paguajë një shumë të konsiderueshme për importin e energjisë.
Ekonomia shqiptare pati shënuar rritje prej 1.65 për qind gjatë tremujorit të parë të këtij viti në terma vjetorë ndërsa qeveria shpreson që rritja finale për vitin 2014 të jetë rreth 2.1 për qind.
Në rishikimin e buxhetit të vitit 2014, Ministria e Financave e rishikoi në rritje parashikimin për prodhimin e brendshëm bruto në krahasim me buxhetin fillestar, gjë që rezulton si e dyshimtë në bazë të të dhënave të reja të publikuara nga INSTAT-i.
Në rast se rritja ekonomike do të vijojë të jetë e dobët për pjesën e mbetur të vitit, qeverisë do t’i duhet të rishikojë programin e vet afatmesëm, i cili parashikon ulje të borxhit publik me 3 për qind të PBB-së pas vitit 2016 dhe ky korrektim mund të bëhet vetëm në rast se rritja ekonomike është më e lartë se 3 për qind në vit.
Lotari për të nxitur përdorimin e kuponëve tatimorë
Ministra e Financave po planifikon që të organizojë lotari për të nxitur përdorimin e kuponëve tatimorë te konsumatorët, të cilët do të mund të fitojnë dhurata të ndryshme, nëse marrin dhe ruajnë kuponin në momentin që bëjnë një blerje në një dyqan.
Plani është vetëm në fazën e parë të hartimit, ndërkohë që burime nga Financat pohojnë se po ngrihet grupi i punës, që do të hartojë strategjinë përkatëse. Lotaria pritet të fillojë nga muaji prill i vitit të ardhshëm, sipas planeve paraprake.
Ky është një model që është përdorur dhe në Maqedoni e Serbi, me synim uljen e evazionit fiskal. Lotaria vlerësohet se përmirëson disiplinën fiskale, teksa më shumë konsumatorë do t’u kërkojnë dyqaneve dhe shërbimeve faturat e mallrave për të cilët kanë paguar. Njerëzit do të ndihen më të motivuar të kërkojnë faturat fiskale nga shitësit. Në Maqedoni, p.sh., në lotarinë e nisur në mesin e vitit 2013, duke dërguar zarfin që përmban 20 fatura, njerëzit mund të fitonin një shtëpi, një apartament, makina, kompjuterë dhe shpërblime të tjera.
Në Shqipëri mbetet ende të përcaktohet se si do të funksionojë lotaria, çfarë dhuratash do të jepen dhe nga do të sigurohet fondi (mendohet që një pjesë e të ardhurave nga TVSH të përdoret për këtë qëllim).
Kritikoi politikën “Shqipëria 1 euro”, por vijon ta zbatojë…
Në mbledhjen e fundit qeveria e Kryeministrit Edi Rama ka vazhduar politikën e dhënies së pronës publike me qira 1 euro, një nismë e ish-kryeministrit Berisha, e kritikuar fort nga opozita e asaj kohe, sot në qeverisjen e vendit.
Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë, në mbledhjen e fundit është miratuar vendimi për “dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Liberest”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Agjencia e Rezervave të Shtetit Dorëz, Komuna Qendër, Librazhd”, me sipërfaqe të përgjithshme 38 200 m².
Vendimi mbështet në nenin 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr. 54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave.
Gjithashtu po me një euro është dhënë me qira edhe ish-ndërmarrja gjeofizike në Patos. Sipas njoftimit për shtyp qeveria ka miratuar “dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Tur-Tekstil”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Ish-Ndërmarrja Gjeofizike, Patos”, me sipërfaqe të përgjithshme 12 507 m²”.




