Sot Nishani, Rama e Basha në tryezë/ Detajet e takimit për drejtësinë, cila do të jetë strategjia e re për sistemin

Gëzim Saliu

 Mazhoranca paraqet piketat e reformës, PD do kërkojë tërheqjen e paketës së qeverisë për drejtësinë

nishani me ramen, bashen, metenNën thirrjen e Presidentit të venit Bujar Nishani, mazhoranca dhe opozita do të ulen sot në një tryezë të përbashkët për të diskutuar reformën në sistemin e drejtësisë. Kryeministri Rama, kreu i opozitës Basha, përfaqësues të dy forcave më të mëdha politike si edhe drejtues të shtetit do të jenë pjesë e takimit, në të cilin në qendër do të jenë propozimet e palëve për të arritur në përfundim të një strategjie të përbashkët kundrejt reformimit të këtij sistemi. Pjesë e tryezës do të jenë edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, përfaqësues të Komisionit të Venecias, të misioneve Euralius dhe OPDAT, të Rrjetit Evropian të Këshillave Gjyqësorë dhe të Fakultetit të Drejtësisë. Nën këtë format, duket se kreu i shtetit ka përmbushur një ndër synimet kryesore për reformë në drejtësi, atë që ka të bëjë me gjithëpërfshirjen e aktorëve.

 

Tryeza

Sipas axhendës është parashikuar që punimet të hapen nga Kreu i Shtetit, e më pas tryezës do t’i adresohen me fjalime Kryetari i Kuvendit, Meta, kryeministri Rama, kryetari i opozitës, Basha, ambasadori i OSBE-së, Rauning, përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe të Bashkimit Evropian. Po ashtu pjesë e diskutimeve do të jenë edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shqiptare të drejtësisë dhe të organizmave ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Mësohet se përmes tryezës do të vendosen piketat mbi të cilat palët do të punojnë më tej për reformën në drejtësi, ku ndërkaq kreu i shtetit pritet të konfirmojë se do të jenë rekomandimet e bëra nga Komisioni Evropian përmes progres-raportit për Shqipërinë, kapitulli i drejtësisë. Ndërkaq nga ana e saj mazhoranca qeverisëse, e cila si pikë referuese në këtë takim do të ketë ministrin e Drejtësisë Naço, pritet të paraqesë hapat mbi të cilat duhet të realizohet reforma në drejtësi. Ndërsa burime pranë opozitës bëjnë të ditur se krahas propozimeve për reformimin e sistemit, ku do të synohet thellimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, do të jetë edhe kërkesa drejtuar mazhorancës për t’u tërhequr nga paket e saj lidhur me këtë çështje. Nisur nga fakti se vetëm pak ditë më parë, PD dërgoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin për KLD-në, shkollën e Magjistraturës si dhe Gjykatat Administrative, pritet që në tryezë të kërkojë pikërisht që qeveria të tërhiqet nga këto ligje të cilësuara si antikushtetuese dhe me tendenca për kapjen e sistemit të drejtësisë. Mes palëve qëndrojnë partnerët ndërkombëtarë, të cilët e kanë bërë të qartë më parë se reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe se duhet të kryhet në bashkëpunim me organizmat ndërkombëtare, veçanërisht nën kujdesin e Komisionit të Venecias.

 

 Qëndrimet e LSI-së/ “Guvernatori të zgjidhet sipas Kushtetutës dhe shpejt, opozita të rishikojë bojkotin”

Ndërsa negociatat Presidencë-Kryeministri deri më tani nuk kanë arritur ende një pikëtakimi për emrin e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, LSI, ka përcaktuar 3 kushtet kryesore, që çojnë drejt numrit 1 të institucionit më të lartë financiar në vend. “Qëllimi i LSI është dhe mbetet një dhe vetëm një. Zgjidhja e çështjes së Guvernatorit si një problem i hapur për zgjidhje. Të jetë një zgjidhje kushtetuese, me mirëkuptim dhe e shpejtë. Të gjitha modalitetet e tjera që hyjnë brenda këtyre kornizave kushtetuese ligjore janë të mirëpritura për sa kohë do ti plotësojnë këto parime themelore”, – tha kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili. Ndërkaq duke komentuar raportin e KiE, ai tha se konkluzioni themelor ishte që Shqipëria sipas amendamenteve vazhdon të mbetet dhe është një faktor i rëndësishëm stabiliteti ne rajon. “U evidentua që zgjedhjet e kaluara kanë qenë prova që procesi i demokratizimit ecën në rrugën e duhur dhe Shqipëri është një vend tërësisht demokratik. Një element që mori vëmendje ishte çështja e bojkotimit që opozita ka bërë ndaj parlamentit dhe të gjitha mendimet ishin në unifikim për rishikimin e këtij vendimi nga ana e opozitës”, – u shpreh Vasili. Në këtë kontekst, ai theksoi se mazhoranca vazhdon ti krijojë hapësira opozitës për t’iu rikthyer dialogut dhe tryezave politike. “Opozita duhet të përdorë hapësirat që janë krijuar dhe krijohen dhe ky vullnet do vazhdojë të na udhëheqë edhe më tej. Konkluzioni është konsensusi. Ka pasur edhe një amendament të përbashkët të të gjithë delegacionit. Opozita dhe mazhoranca kanë detyrën të rishikojnë konsensusin. Është një mënyrë për të përshpejtuar dhe intensifikuar ritmin e reformave. Çdo reformë e bërë jo në kohën e duhur do të thotë investime më pak. I kemi të gjitha premisat për të ndërtuar një politikë më të qetë më të paqtë”, – pohoi Vasili.

 

Thirrja/ KiE: Palët politike të arrijnë konsensus, Kodi Zgjedhor duhet ndryshuar

Në më pak se 1 vit nga zgjedhjet vendore, Këshilli i Evropës i bën apel, klasës politike shqiptare, që të arrijë dialogun për të ndryshuar Kodin Zgjedhor. Në raportin përfundimtar të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës për Shqipërinë, u bëhet thirrje forcave politike që të bien dakord edhe për reformat e tjera konsensuale në mënyrë që të zgjidhin, në rakordim me rekomandimet e Komisionit Evropian për Demokraci (Komisionit të Venecias), shqetësimet dhe dyshimet e mbetura, për të shmangur dobësitë dhe problemet e mundshme gjatë procesit. Teksa KQZ-ja vijon punën vetëm me 4 anëtarë, KiE bën thirrje për një reformë që ta kthejë atë në një institucion të paanshëm elektoral. “KiE vë në dukje se administrata e zgjedhjeve mbetet e ndarë sipas linjave partiake, ç’ka ndikon në efektivitetin dhe paanshmërinë e realizimit të zgjedhjeve kështu që rekomandohen reforma të mëtejshme në këtë aspekt për të siguruar një administratë të paanshme zgjedhore”, – thuhet në raport. Në vëmendje të KiE është edhe ngritja e qendrave të numërimit të votave për të cilat vlerësohet se kanë krijuar zgjatje të afatit të numërimit të votave, që kanë ndikuar negativisht në perceptimet e opinionit publik për legjitimitetin e përfundimit të zgjedhjeve. Kështu që Asambleja rekomandon rritjen e konsiderueshme të numrit të qendrave të votimit dhe numërimit për zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, KiE thekson se nuk mjaftojnë vetëm ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të zgjidhur problemet në realizimin e procesit zgjedhor. Kjo mund të arrihet vetëm nëse reformat zgjedhore shoqërohen me një ndryshim në sjelljen e aktorëve kryesorë politikë.

 

 

 

 

Share it :