Çmimet sipas qyteteve. Zonat ku kushtojnë më shtrenjtë banesat në Tiranë
Vlera e një apartamenti në Tiranë kap shifrën mesatare 89 mijë lekë për m2, ndërsa në zonat kryesore të kryeqytetit si, Blloku, zona te Liqeni Artificial apo zonat afër qendrës kapin shifra nga 140-190 mijë lekë për m2. Këto janë shifrat zyrtare të publikuara nga qeveria mbi bazën e të cilave duhet të bazohet çdo shitje apo blerje banese. Por, agjencitë imobilare flasin për shifra akoma edhe më të larta për shit-blerjen e apartamenteve. “Çmimet që ka miratuar qeveria janë të arsyeshme, por si individët dhe agjencitë imoboilare, “flasin” me çmime të tjera. Në zonën e Bllokut, çmimi mesatar është 190 mijë lekë për m2, por ne si agjenci nuk kemi asnjë apartament më pak se 250 mijë lekë m2”, – shprehet një nga drejtuesit e zyrave imobilare në Tiranë.
Zonat në Tiranë
Për të blerë një apartament në Tiranë, ekspertët sugjerojnë zonat periferike të kryeqytetit, si Fresku, zona e Kombinatit apo Unaza e Re. Një m2 në këto zona, sipas çmimeve të miratuara nga qeveria, varion nga 40-60 mijë lekë m2, por agjencitë imobilare flasin për shifra nga 400-700 euro m2. Një m2 në zonën e Laprakës kushton rreth 70 mijë lekë, ndërsa në “Don Bosko”, 87 mijë lekë. Në Rrugën e Durrësit një m2 shkon mesatarisht 120 mijë lekë, ndërsa në Rrugën e Kavajës çmimi është më i lartë dhe fillon nga 130 mijë lekë m2. Në anën tjetër të Tiranës, përreth lagjes së “Ali Demit” çmimet fillojnë nga 98 mijë lekë m2. Çmimet më të lira të apartamenteve, sipas vendimit që ka miratuar qeveria, janë në zonën e Porcelanit (pjesa e sipërme), dhe fillojnë nga 60 mijë lekë m2.
Bregdeti
Rënie e çmimeve të apartamenteve kë në Jugun e Shqipërisë, sidomos në qytetet e Himarës dhe Sarandës. Një m2 në Himarë kushton mesatarisht 54 mijë lekë, sipas qeverisë, ndërsa në Sarandë çmimi është akoma më i ulët, 50 mijë lekë për m2. Në Vlorë çmimi i apartamenteve fillon nga 61 mijë lekë m2, ndërsa në Durrës çmimet mesatare të apartamenteve janë 70 mijë lekë.
Çmimet sipas qyteteve
Tiranë 89,125
Kamëz 51,700
Kavajë 58,430
Durrës 70,093
Shkodër 57,500
Vlorë 61,655
Himarë 54,000
Sarandë 50,780
Korçë 47,000
Fier 53,200
Lushnjë 38,500
Berat 42,190
Elbasan 50,400
Librazhd 44,020
Gjirokastër 49,580
Përmet 32,600
Tepelenë 28,400
Lezhë 56,000
Laç 42,500
Kukës 53,700
Peshkopi 48,620




