Studentët e privatit/ Transferimi i studimeve, deri në 13 tetor

protesta e studenteve te privatitMungesa e dokumentacionit në dosjet e studentëve të IAL-ve private që iu hoq licenca, e ka detyruar Ministrinë e Arsimit që të shtyjë afatin e regjistrimit për këta studentë. Ministria e Arsimit ka marrë një vendim për shtyrjen e këtij afati deri më 13 tetor. Të gjithë studentët e interesuar mund të dorëzojnë brenda kësaj date të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në IAL publik që ata dëshirojnë të studiojnë. Ndërkaq, Ministria e Arsimit po pajis të gjithë studentët e IAL privat që iu hoq licenca më numër matrikullimi, edhe pse ky në bazë të udhëzimit të Ministrisë ishte detyrim i IAL. “Ky vendim u mor në vijim të evidentimit të nevojës për të plotësuar dokumentacionin nga ana e studentëve për të kryer aplikimin pranë IAL-ve publike si dhe shqyrtimin e tyre nga komisionet përkatëse të ngritura nga këto IAL. Në kushtet kur, në shumë raste, studentët që transferohen nga IAL-të private nuk janë pajisur nga këto IAL me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të mundësuar transferimin e tyre në një IAL tjetër, edhe pse ky ka qenë një detyrim i shprehur qartë në VKM nr. 539, datë 6.8.2014, si dhe udhëzimin nr. 25 datë 11.8.2014, MAS po pajis me numër matrikullimi të gjithë studentët të cilët nuk e kanë pasur atë në dosjet e tyre, edhe në ato raste kur ky numër matrikullimi i është komunikuar edhe më parë IAL-së përkatëse nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, por këto IAL nuk e kanë vendosur atë në dosjen e studentit”, – thuhet në një vendim të MAS.

 

 Nisma/ Gjuhët e huaja, test para fillimit të Fakultetit

Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja do t’i nënshtrohen testit të gjuhës, edhe pse janë shpallur fitues në këtë institucion arsimor. Ky kriter është i domosdoshëm, pasi ndër vite, thotë dekania e këtij Fakulteti, Klodeta Dibra, ka pasur studentë që nuk e njihnin farë gjuhën e huaj në të cilën do të studionin. “Sapo hyn në vitin e ri akademik në vitin e parë, studentët testohen për nivelin e gjuhës, kjo është në të mirë të studentëve. Pasi duke i ndarë në nivele, sigurisht studentë të caktuar, të cilët kanë një nivel më të dobët gjuhësor, do të punojnë më shumë. Ka studentë që vijnë me nivelin zero, studentë që këtë gjuhë nuk e kanë studiuar fare në shkollë. Me ata punohet për të rikuperuar të paktën dy nivele në vitin e parë, sipas kuadrit evropian të referencave, pra nivelin A1 dhe A2, në mënyrë që në vitin e dytë studenti të kalojë në nivelin B1. Me nivelin B1 do të arrinte që të ndiqte lëndë në atë gjuhë”, – thotë Klodeta Dibra. Risi këtë vit për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë do të jetë edhe hapja e një programi të ri master, që do t’u japë mundësi studentëve shqiptarë të punësohen në organizmat ndërkombëtarë në Evropë, duke shpërndarë në këtë mënyrë njohuritë e tyre edhe në gjuhën shqipe. “Studentët shqiptarë do të mund të punësohen në institucionet evropiane, ku gjuha shqipe do të jetë një gjuhë zyrtare e Këshillit të Evropës. Pra, në një periudhë disavjeçare kemi detyrimin ndaj vendit dhe ndaj organizmave të Evropës të përgatisim studentë interpretë për gjuhën shqipe”, – thotë Dibra. Këtë vit për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja janë rritur pranimet në degë të ndryshme, ndërkohë që prirje ka qenë ndjekja e profilit të anglishtes. Fituesit që janë shpallur për vitin akademik 2014-2015 kanë pasur pikë më shumë se një vit më parë, çka tregon se cilësia e studentëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është më e mirë.

Share it :