Pas ashpërsimit të masave ndaj duhanpirjes në mjedise publike, qeveria shqiptare ndërmerr një iniciativë tjetër, tashmë të natyrës fiskale, në mënyrë që të dekurajojë konsumimin e duhanit.
Ndryshimet fiskale të miratuara parashikojnë rritjen e akcizës së duhanit me 20 lekë, çka do të reflektohet edhe në rritjen e çmimit për konsumatorët. Kjo rritje e çmimit do të shtrihet deri në vitin 2017. Kjo është hera e dytë brenda një viti që qeveria shqiptare ndërhyn duke rritur akcizën e duhanit. Rritja e mëparshme ishte e njëjtë, pra 20 lekë, por me hyrjen në fuqi në fillim të vitit, rritja në treg shkoi në mënyrë abuzive në 50 lekë për paketë.
Rritja e taksave për disa produkte të ashtuquajtura të luksit, mes të cilave edhe cigaret, vjen si përmbushjen e kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe si zbatim i një direktive të Bashkimit Evropian që rekomandon që niveli minimal i akcizës së cigareve duhet të jetë 57 për qind e çmimit të shitjes me pakicë. Por ndërsa qeveria deklaron se rritja e akcizës ka si qëllim dekurajimin e konsumit të duhanit, të dhënat e publikuara nga ekspertë të këtij Fondi, dëshmojnë se ecuria e të ardhurave ka qenë e mirë, por jo aty ku pritej. Kështu vetëm për periudhën 7-mujore, të ardhurat nga akciza rezultojnë të jenë me 4 miliardë lekë më pak se planifikimi, çka do të thotë se rritja e kësaj takse në fillim të vitit nuk dha rezultatet e pritshme.
Ndërkohë, programi i Asistencës për Doganat Shqiptare i Crown Agents zhvilloi Takimin e 2-të me Palët e Interesuara paraditen e djeshme, pjesë e të cilit ishin zv.ministri i Financës Ervin Mete dhe drejtoresha e Doganave Elisa Spiropali.
Spiropali theksoi se dita e sotme përmbush një vit në krye të institucionit që drejton dhe se brenda këtij viti, janë realizuar disa synime dhe objektiva. “Në shtator realizimi i të ardhurave ka qenë 100% efektiv, kemi pasur një rritje 28.4% nga shtatori i vjetshëm, pra 3 miliard lekë më shumë. Për periudhën 12 mujore, rritja arrin 14.2% më shumë, konkretisht 18.9 miliard lekë, 189 milion dollarë më shumë. Është një arritje e lartë dhe që do na ndihmojmë të performojmë më mirë”. Këto arritje, sipas Spiropalit nuk do të mbeten në këtë nivel dhe se objektivat për të ardhmen janë të shumta. Asistenca me Crown Agents ka mundësuar, sipas Drejtorisë së Doganave, ndalimin dhe zbulimin e korrupsionit, procedura të modernizuara në teknologji dhe në burime njerëzore dhe zbulimin e riskut.
“Një nga fushatat më të rëndësishme që kemi ndërmarrë është fushata sensibilizuese për mallrat e akcizës, për kontrollin e importuesve dhe eksportuesve. Kemi bërë kontrolle të ndryshme për të ndaluar evazionin dhe korrupsionin. Sigurisht, kemi objektiva të mëdha për të ardhmen”, – përfundoi fjalën e saj drejtoresha Spiropali.
Megjithatë, Spiropali nuk bëri krahasim me detyrat e planit për akcizën, parashikuar në Buxhetin e Shtetit për vitin 2014, që rezultojnë të parealizuara në masën deri 35 për qind, sipas statistikave të fundit të Ministrisë së Financave.
FMN: E pashmangshme rritja e çmimit të energjisë elektrike
Rishikimi i çmimit të energjisë është i domosdoshëm. Shqipëria operon me çmime më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit, ndërsa shkëmbimet mes operatorëve bëhen me çmime të fiksuara.
Drejtori i sekretariatit të komunitetit të energjisë, ku Shqipëria është anëtare, ka prezantuar dje raportin e energjisë para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Çmimi i energjisë duhet të rishikohet, bazuar në koston që kanë operatorët dhe eficencën e ofrimit të shërbimeve. Rishikimi i çmimit të energjisë elektrike është një domosdoshmëri, duke parë situatën e sistemit energjetik shqiptar. Çmimet janë të fiksuara dhe nuk ndryshojnë prej katër vitesh, ndërkohë që ato duhet të bazohen në kostot operative që kanë operatorët. Niveli i humbjeve në rrjet është tepër i lartë, ndaj qeveria duhet të marrë masa që, të reduktojë në mënyrë drastike vjedhjet dhe të rrisë arkëtimet.
Por që të realizohet diçka e tillë, Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Shpërndarjes duhet të investojnë në përmirësimin e rrjetit elektrik. Diçka e tillë është e pamundur pa rritur të ardhurat e këtyre operatorëve. Operatori i Sistemit të Transmetimit ka dorëzuar kërkesën për rishikim të çmimeve energjetike pranë Entit Rregullator të Energjisë. OST kërkon rritje të çmimit që ajo aplikon për subjektet e treta me me 10%, duke e çuar në një vlerë në rreth 0.71 lekë. KESH ka përfunduar hartimin e kërkesës që do të dorëzojë dhe të paktën duke u bazuar në katër vitet e fundit, Korporata ka kërkuar një rritje të çmimit të paktën në vlerën e 4.3 lekëve.




