Një pjesë e studentëve të universiteteve private që u mbyllën, do të kthehen sërish në vit të parë, por këtë herë në universitetet publike. Autoritetet e arsimit u kanë dhënë një mundësi të dytë të gjithë studentëve, të cilët kanë ndjekur studimet në programe të palicencuara nga Ministria e Arsimit, ndonëse universiteti mund të ketë qenë i licencuar. Kjo deklaratë vjen nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila thotë se kjo do të jetë e vetmja zgjidhje, për këta të rinj, pavarësisht se ata kanë paguar një kosto të lartë për vite me radhë nuk mund të bëhen lëshime të tjera. “Ju duhet që secili prej studentëve të akreditojnë apo kthejnë në kredite programin e studimit që ndryshojnë nga një universitet në tjetrin. Në rastin e universiteteve që u mbyllën, arsyet ishin mangësitë e shumta qoftë me programet, qoftë me momentet e tjera që ligji i përcaktonte, në mënyrë që ato të licencoheshin dhe të vijonin si institucione të licencuara të arsimit të lartë. Ne po mundësojmë për studentët shansin e dytë në programe të licencuara, në programe të akredituara, qoftë në universitetet publike, qoftë private. Do të ketë një program të posaçëm për ata studentë, nëse ata vendosin të studiojnë në universitetet publike”, – tha Lindita Nikolla. Ndërsa për studentët e papajisur me numër matrikullimi, një numër i konsiderueshëm të rinjsh që nuk e disponojnë edhe pse kanë vite që ndjekin studimet në universitetet private që u mbyllën, udhëzimi i ministrisë së Arsimit thotë se ata nuk mund të transferojnë studimet e tyre në asnjë institucion të arsimit të lartë publik apo privat. Lëndët e shlyera dhe periudha e studimit të tyre nuk njihet nga asnjë universitet publik. Universitetet pritet të nisin vitin akademik më 20 tetor, kohë e mjaftueshme për rishikimin e të gjitha dosjeve të rreth 6 mijë studentëve, të cilët ishin pjesë e institucioneve arsimore të cilave iu hoq licenca për paligjshmëri.




