Rreth 649.5 milionë euro është pjesa e caktuar për Shqipërinë
Komisioni Evropian ka publikuar dokumentin strategjik për Instrumentin e dytë të Paraanëtarësimit për periudhën 2014-2020. Fondet e BE-së për Shqipërinë kushtëzohen nga arritja e 62 rezultateve në tërësi për objektivat e përcaktuara në secilin sektor. Të dhënat për këtë bazohen tek INSTAT, EUROSTAT, Banka Botërore dhe raportet vjetore të Komisionit. Gati gjysma e parave të BE-së, 320.5 mln nga 649.5 mln, parashikohen për fushën e sundimit të ligjit, të drejtat themelore, demokracinë dhe mirëqeverisjen. Ky sektor përbën dhe zërin kryesor për ndihmën e Brukselit gjatë 2014-s, me 78.7 mln euro nga 83.7 milionë të përcaktuara në tërësi për këtë vit. Diferenca prej 5 milionë eurosh shërben për politikat sociale, punësimin dhe arsimin. Kjo kategori pritet të përfitojë 69 milionë euro gjithsej, deri në 2020-n, që është dhe shifra më e ulët sipas shpërndarjes. Bujqësia dhe zhvillimi rural kanë qasje në 92 milionë euro për 7 vitet e ardhshme, ku gjatë 2015-s nis lëvrimi i 9 milionë eurove të para. Zhvillimi rajonal dhe ekonomiko-social është përfituesi i dytë më i madh, me 168 milionë euro, nga të cilat 18 milionë euro parashikohen për vitin e ardhshëm. Në këtë sektor përfshihet mjedisi, transporti, energjia, konkurrenca e inovacioni, por në 7 vitet që vijnë, për sektorin e energjisë nuk parashikohet asnjë fond, megjithëse dokumenti i Komisionit për Shqipërinë njeh “nevojën në vend për investime në transport, energji dhe infrastrukture, veçanërisht për trajtimin e ujit dhe menaxhimin e plehrave, që konsiderohen në fazë zhvillimi fillestare”.
Për 7 vitet e ardhshme, BE premton 11 miliardë euro për vendet e zgjerimit, ku përfshihet edhe Ballkani. Rreth 649.5 milionë euro është pjesa e caktuar për Shqipërinë, shumë kjo e e ngjashme me atë që përfitojnë dhe Maqedonia e Kosova, respektivisht 664.2 dhe 645.5 milionë euro. Mali i Zi pretendon gati 1/3-ën e kësaj shume, vetëm 270.5 milionë euro, ndërsa Serbia kryeson vendet përfituese të Ballkanit me 1.5 miliardë euro, dhe Turqia zë vendin e parë me 4.5 miliardë euro për fondet e përgatitjes për anëtarësim.
Gjatë periudhës 2007-2013, BE ofroi 532.4 milionë euro me “IPA I”, nga të cilat 75 mln euro shkuan për reformën e administratës publike, statistikat, prokurimin publik, tatimet e doganat, 86.5 milionë euro për gjyqësorin dhe të drejtat themelore, 26.5 mln euro për forcimin e kapaciteteve në Policinë e Shtetit për luftën ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, 126 milionë euro për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, 91 milionë euro për infrastrukturën rrugore, 13.4 mln euro në fushën e konkurrencës dhe inovacionit, 24 milionë në arsim, punësim dhe politikat sociale, si dhe 90 milionë euro për bujqësinë dhe zhvillimin rural.




