Eurokomisioneri për Zgjerimin/ Fyle: Bojkoti nuk është rrugë evropiane,  qeveria të garantojë të drejtat e opozitës

 Florenc Drizari

fyleee“I bëj thirrje qeverisë dhe opozitës që të punojnë së bashku që ta bëjnë integrimin realitet”

 Në vizitën e tij të fundit si komisioner për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle u ndal tek bashkëpunimi pozitë-opozitë, si një mundësi e vetme për të garantuar ecurinë e proceseve integruese të Shqipërisë në BE. Gjatë takimit që eurokomisioneri pati me përfaqësuesit e politikës shqiptare, ritheksoi tri kërkesat që, sipas tij, janë aktuale për periudhën që po kalon vendi. Eurokomisioneri Fyle rendit si parësore angazhimin e BE-së për të mbështetur Shqipërinë dhe dialogun politik që duhet mes palëve për të miratuar reforma të rëndësishme dhe të pakthyeshme.

“Së pari, angazhimin tonë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë; Së dyti, nevojën për të vazhduar me reformat në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe për t’i bërë këto reforma të pakthyeshme; Së treti, rëndësinë e kompromisit dhe të dialogut politik konstruktiv, brenda institucioneve demokratike”, – deklaroi Fyle.

Duke folur për rolin e opozitë, eurokomisioneri u shpreh kritik për braktisjen e Kuvendit dhe zhvillimin e betejës politike në rrugë e sheshe. “Në fakt, unë kam dëgjuar, – jo për të parën herë dhe jo për të fundit, – shqetësimet e opozitës. Dhe në të njëjtën kohë unë e kam bërë të qartë, – ashtu siç e kam bërë të qartë edhe përpara pak kohësh, – që të dalësh nga Parlamenti dhe të sillet beteja juaj politike në rrugët e vendit, kjo nuk është mënyra evropiane. Kjo nuk e ndihmon vendin që të sjellë Shqipërinë akoma më afër ambicies së shqiptarëve për t’u integruar, për të ardhmen evropiane të saj”, – deklaroi Fyle. Deklarata e tij u bë pas takimit të dialogut të Nivelit të Lartë BE- Shqipëri, ndërsa më herët Fyle kishte pasur edhe në bisedë me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Në diskutimet të zhvilluara një ditë më parë në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë, Fyle tha se i ka bërë thirrje si Qeverisë, ashtu edhe opozitës, që ta përdorin këtë “dritare” që opozita të kthehet në Parlament dhe që qeveria të marrë masat, që opozita të ketë çdo gjë që i nevojitet që të bëjë punën e vetë të rëndësishme. Ndërkaq, takimin e Dialogut të Nivelit të Lartë për prioritetet kyçe Fyle e cilësoi si një konfirmim tjetër për angazhimin e BE-së për të punuar me Shqipërinë, në ruajtjen e ritmit të reformave. Ky proces tha ai do të çojë në një fazë tjetër të procesit të integrimit të Shqipërisë, që është çelja e negociatave të anëtarësimit në BE. “Në shumë raste të mëparshme, unë kam theksuar që në mënyrë që të ecni përpara dhe të keni sukses, integrimi në Bashkimin Evropian duhet të jetë një proces inkluziv, përfshirës. Unë e di se këtu ka konsensus të gjerë për të ardhmen e Shqipërisë për sa i përket integrimit evropian, por i bëj thirrje qeverisë dhe opozitës që të punojnë së bashku, në mënyrë konstruktive, në frymë kompromisi që ta bëjnë integrimin realitet. Unë kam inkurajuar qeverinë dhe opozitën që të bashkëpunojnë për të ngritur Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, që me anën e këtij Këshilli të kanalizohen të gjitha energjitë e palëve të interesuara, duke përfshirë shoqërinë civile, në këtë proces reformash”, – tha Fyle.

 

Takimi Meta – Fyle: Statusi i kandidatit kërkon më tepër pjekuri politike

 Komisioneri Evropian për Politikën e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Stefan Fyle, në kuadër të punimeve të Takimit të Katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë, zhvilloi edhe një takim me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Në këtë takim, Meta theksoi se pas miratimit të statusit të vendit kandidat, Shqipëria ndien edhe më tepër përgjegjësi mbi supe dhe në këtë drejtim janë intensifikuar përpjekjet për avancimin të reformave kyçe, veçanërisht asaj në drejtësi. Në këtë kuadër u vlerësua mbështetja e Komisionit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle vuri në dukje se përgjegjësitë e reja të Shqipërisë me marrjen e statusit të vendit kandidate në BE kërkojnë më tepër pjekuri politike nga të gjitha palët në Parlament dhe një përshpejtim të axhendës së reformave kyçe. Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta dhe komisioneri Fyle ndanë bindjen e përbashkët se axhenda evropiane e Shqipërisë do të përshpejtohej nga krijimi i një klime më bashkëpunuese politike përmes gjithëpërfshirjes dhe veprimeve konsensuale.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :