Gëzim Saliu
Reforma në drejtësi, kreu i PD-së: Pjesë e saj kur të garantohet gjithëpërfshirje dhe transparencë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka qenë i drejtpërdrejtë në takimin e zhvilluar me eurokomisionerin në largim Stefan Fyle, ku theksoi situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi pas shkeljeve të shumta të ligjit nga ana e mazhorancës si edhe inkriminimit të Kuvendit. Sipas kryedemokratit, ishte kjo situatë që shtyu opozitën drejt bojkotit të Parlamentit, gjë që, siç pohoi ai, nuk duhet të neglizhohet nga askush, pasi në kundërt do të cilësohet si bashkëfajtor i situatës aktuale. “Si mund të flitet për një vend që avancon drejt standardeve evropiane, kur qeveria përdor dhunë për t’i mbyllur gojën opozitës, që shkel vendimet e Gjykatës Kushtetuese, siç shkel liritë e qytetarëve përditë. Ne si opozitarë jemi të vendosur për integrimin, e dëshmojmë me pjesëmarrjen sot (dje) në dialogun e nivelit të lartë. Komisioni hetimor do të kapë KLD-në, siç janë 3 ligje të KLD-së, të cilat përkundrejt kërkesave ndërkombëtare shkuan në Parlament, u votuan dhe u rivotuan. Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rëndë. Si mund të mbyllësh sytë para kësaj. Është bashkëfajësi në hyrjen e Shqipërisë drejt destabilitetit dhe krizës politike”, – tha Basha.
Reforma në drejtësi
Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, kreu i PD-së mësohet të këtë diskutuar me Fylen se forca më e madhe e opozitës do të jetë pjesë e saj kur të garantohet gjithëpërfshirje dhe transparencë. “Opozita ka idetë e saj, ka projektet e saj, ka një ekspertizë të çmuar dhe të konsultuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë për çështjet e reformës në drejtësi, por që të ketë reformë në drejtësi, duhet të ketë gjithëpërfshirje, duhet të ketë standarde evropiane, duhet të ketë pjesëmarrje të të gjithë aktorëve, duke përfshirë aktorë nga drejtësia, duhet të ketë transparencë dhe jo ajo që shohim tani. Nga njëra anë flitet për reformën në drejtësi, nga ana tjetër Arben Ndoka me shokë janë vërsulur të shkarkojnë dhe të kapin Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, – tha Basha.
Opozita
Lidhur me mundësinë e rikthimit të opozitës në Parlament, kreu i demokratëve tha se kjo mund të ndodhë vetëm nëse rivendoset Parlamenti në shinat normale të funksionimit të tij. “Ne kemi folur qartë. Ne duam të kthehemi në Kuvend. Ne duam të kthehemi në Parlament. Por parlamenti nuk është ndërtesë. Parlamenti nuk është një grumbull qytetarësh, njerëzish. Parlamenti është Kushtetutë, është demokraci, është debat, është dialog, është rregullore, është ligj. Të gjitha këto janë nëpërkëmbur nga asambleja e drejtuar nga çifti Rama-Meta. Ne kërkojmë rivendosjen e Parlamentit sepse vetëm me rivendosjen e Parlamentit, konceptit të parlamentarizmit, mund të ketë një pajtueshmëri midis opozitës dhe Parlamentit”, – u shpreh Basha. Më tej, kryedemokrati pohoi se problemet e rënda që kanë ardhur nga mazhoranca u parashtruan të gjitha në takimin me eurokomisionerin Fyle: …“dhe do të vazhdojmë t’i ndajmë edhe me pasardhësin e tij dhe me Komisionin Evropian, tek i cili kemi gjetur dhe shpresojmë të gjejmë një avokat të fortë të standardeve dhe normave evropiane, për Shqipërinë dhe shqiptarët, standarde dhe norma që janë sot nën sulmin e ditë për ditshëm të çiftit oligarkik Rama-Meta”.
Prishet obelisku në Kavajë/ INUK shemb monumentin me dy gishta. PD: Akt hakmarrjeje i Ramës, ndezi fitilin e revoltës
Inspektorati Ndërtimor, Urbanistik Kombëtar shembi dje paradite “Obeliskun e Demokracisë” në Kavajë. Ky veprim ka sjellë reagimin e ashpër të Partisë Demokratike, e cila përmes kreut të grupit parlamentar demokrat Edi Paloka theksoi se me këtë veprim, kreu i qeverisë nis revoltën popullore. “Me këtë akt, Edi Rama ka ndezur fitilat e një revolte popullore. Me këtë akt të shëmtuar e provokues, Edi Rama ka kaluar çdo kufi, ka dhunuar haptazi qytetarët e Kavajës dhe të gjithë vendit që nuk pajtohen me përpjekjen e tij për të rilindur diktaturën, pjellë e së cilës ai është. Duke shembur simbolin e demokracisë, Edi Rama ka minuar përfundimisht stabilitetin politik në vend, pasi e kishte goditur atë në mënyrë të përsëritur me shkallmimin e kolonave të demokracisë dhe bashkëjetesës politike”, – u shpreh ai. Ndërkaq, në një reagim në rrjetin social, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka cilësuar një gabim fatal prishjen e monumentit të demokracisë në Kavajë. “Akti barbar i prishjes së Monumentit të Demokracisë në Kavajë është shprehja e urrejtjes që Edi Rama ka jo vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët e lirë! Njësoj si etërit e tij politikë zgjodhi të provokonte nga Kavaja. Gabim fatal. Në labirintet e bllokut nuk e mësojë dot modelin demokratik të qeverisjes. Specialiteti i tyre ishte shkatërrimi, propaganda, pengmarrja në emër të popullit”, – theksoi kreu i PD-së.
Nju Jork/ Nishani nderon me medaljen “Flamuri Kombëtar” federatën “Vatra”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork vlerësoi dhe nderoi dje në një ceremoni dekorimi kontributin mjaft të rëndësishëm të federatës pan-shqiptare të Amerikës “Vatra” me Medaljen më të lartë të “Flamurit Kombëtar”, si dhe dy personalitete të shquara të saj, Agim Karagjozi dhe Gjon Buçaj, me medaljen “Nderi i Kombit”. Në prani të shumë bashkatdhetarëve, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi kontributin historik për çështjen shqiptare, atdhedashurinë dhe dëshirën e mirë të tyre për të ruajtur ndër breza identitetin dhe frymën kombëtare në shtetin më të fuqishëm e më demokratik në botë, SHBA-në. Presidenti Nishani vuri në pah mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të demokracisë së re shqiptare, SHBA-së dhe të udhëheqësve të saj në çastet më vendimtare të historisë së kombit shqiptar. Ai gjithashtu vlerësoi lart rolin e pamohueshëm të Diasporës shqiptare në ruajtjen dhe pasurimin e vlerave shqiptare dhe rritjes së imazhit të vendit tonë në SHBA dhe kudo në botë. “Themeluesit e kësaj federate mbarëshqiptare: i gjithanshmi Imzot Fan Noli, eruditi Faik Konica, juristi Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Kristo Kirka, Llambi Çikozi, Elia Tromara, dy herë kryeministri Kostaq Kota e shumë të tjerë patën largpamësinë e duhur historike, ndjenjën e pastër patriotike, vullnetin e mirë dhe energjinë e pashtershme që organizata juaj të shndërrohej vërtet në një vatër të ngrohtë dhe përkujdesëse për bijtë e mërguar të shqipes, këtu në Amerikën e largët!”, – u shpreh Nishani në ceremoni.




