Sonila Mesareja
Prokuroria shpjegon dinamikën e ngjarjes, mosshkrepja e pistoletës shpëtoi jetën e vajzës
Gjykata e Vlorës la dje në burg adoleshentin që tentoi të vriste brenda në shkollë një bashkëmoshataren e tij, e cila refuzoi lidhjen me të. Prokuroria ka ngritur ndaj 17-vjeçarit A. Arshiaj akuzën “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, si edhe akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, në ambiente publike. Në dinamikën e ngjarjes të lexuar nga prokurori, shpjegohet si doli vajza nga mësimi, si e shpëtoi fati për mosshkrepjen e pistoletës, largimi me shpejtësi nga klasa ku ishin duke u sqaruar dhe ku refuzoi të lidhej me djalin e mësueses kujdestare, si dhe plagosja në kokë dhe sup. Gjykata ka lënë në burg deri në përfundim të hetimeve 17-vjeçarin, ndërsa avokati kërkoi një masë më të butë, për shkak të moshës së mitur.
Akuza
Ngjarja për të cilën akuzohet adoleshenti Arshiaj ka ndodhur pak ditë më parë, më 22 shtator, rreth orës 09:30 të mëngjesit në fshatin Gjorm të rrethit të Vlorës, në ambientin e një klase bosh të katit të dytë të shkollës së mesme të përgjithshme “Hamdi Rrapi”. Sipas akuzës, e cila renditi para gjyqtares Elona Mihali gjithë dinamikën e ngjarjes, 17-vjeçari A. Arshiaj ka qëlluar me armë zjarri pistolete, me qëllim për ta vrarë shtetasen E. T., banuese në këtë fshat. Si pasojë e goditjeve me armë zjarri, 17-vjeçarja E. T. është plagosur në pjesën e kokës dhe në supin e majtë. Si autori i dyshuar, ashtu edhe e dëmtuara, janë nxënës në klasën e 12-të të shkollës së mesme “Hamdi Rrapi” në fshatin Gjorm të rrethit të Vlorës.
Dinamika e ngjarjes
Ditën e ngjarjes, gjatë zhvillimit të orës së dytë të mësimit, e dëmtuara është thirrur nga mësuesja kujdestare D. Arshiaj, nëna e autorit të dyshuar. Pas daljes në korridor të shkollës, mësuesja D. Arshiaj i ka thënë se çfarë kishte për të sqaruar me djalin e saj A. Arshiaj. E dëmtuara i ka kthyer përgjigje se nuk kishte asgjë për të sqaruar. Mësuesja i ka thënë se djali i saj ishte poshtë dhe donte të fliste me të. Në këto momente, mësuesja ka thirrur djalin e saj në telefon dhe i ka thënë të ngjitej lart e të fliste me shtetasen e dëmtuar. I dyshuari ka ardhur brenda shkollës dhe pasi është futur në ambientet e një klase bosh, ka biseduar me të dëmtuarën. Gjatë bisedës kanë folur lidhur me kërkesat e autorit të dyshuar për të folur në telefon me të dëmtuarën. I dyshuari i ka kërkuar të lidhej me të në marrëdhënie dashurie, por kjo gjë është refuzuar nga ana e të dëmtuarës. Në këtë moment, shtetasi A. Arshiaj ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri pistoletë, ia ka drejtuar në kokë të dëmtuarës dhe e ka shkrepur, por arma nuk ka qëlluar. Pas këtij veprimi, i dyshuari i ka kërkuar të dëmtuarës të shkonte me të, ndërkohë që ka mbushur pistoletën përsëri dhe ka qëlluar në drejtim të saj. E dëmtuara është goditur me një plumb në sipërfaqen e kokës. Pas këtij veprimi, ajo ka dalë me shpejtësi në korridor të shkollës, ku është përballur me shtetasen D. Arshiaj, nëna e të dyshuarit. Nga prapa saj, A. Arshiaj e ka ndjekur duke e goditur përsëri me armë. E dëmtuara ka zbritur me shpejtësi dhe në këtë moment është goditur nga një plumb në supin e majtë. Ka vrapuar me shpejtësi jashtë shkollës dhe është futur tek një dyqan. Aty ka parë të dyshuarin, i cili ka hipur në një automjet “Golf” dhe është larguar. Ngjarja është parë edhe nga nëna e të dyshuarit, mësuesja D. Arshiaj, e cila ka njoftuar vëllain e saj e njëkohësisht dajën e autorit të dyshuar, i quajtur I. B. Menjëherë shtetasi I. B., pasi ka marrë të dhënat për drejtimin nga ishte larguar nipi, ka marrë automjetin e tij dhe i ka zënë rrugën. Pasi e ka ndaluar të dyshuarin, ai ka vërejtur se në sediljen e parë të mjetit, ai kishte një armë zjarri pistoletë. I është afruar te xhami i parë dhe ia ka marrë atë. I dyshuari, në gjendje të tronditur, është larguar me automjet, ndërsa shtetasi I. B. e ka fshehur, me qëllim për të siguruar armën e zjarrit dhe ka vazhduar rrugën pas nipit. Më pas ky shtetas është takuar me punonjësit e policisë, të cilëve u ka dorëzuar armën e zjarrit. Gjatë kësaj kohe, punonjësit e policisë kanë marrë kontakt me të dyshuarin, i cili është dorëzuar para punonjësve të policisë në fshatin Peshkëpi të rrethit të Vlorës.
Hetimi, zbardhet skema/ Trafik droge drejt Greqisë me linjat e autobusit, prangosen 2 persona
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur gjatë hetimit një linjë të rregullt të trafikut të lëndëve narkotike përmes linjave të rregullta të autobusëve nga Shqipëria drejt Greqisë. Në bazë të këtij hetimi janë arrestuar dy shtetas për trafik të lëndëve narkotike, të cilët tentonin ta kalonin në Greqi nëpërmjet linjës së rregullt të autobusëve Tiranë – Athinë. Sipas informacionit të marrë nga sektori kundër narkotikëve, është bërë më dije se shtetasi shqiptar Leonidha Gjoni, organizonte trafikimin e kanabis sativa për llogari të lidhjeve të tij, kryesisht për sasi të vogla 10-20 kg, të cilat futeshin në çanta të zakonshme udhëtarësh. Lënda narkotike kalonte kufirin shqiptaro-grek nëpërmjet fshatit Kakavijë (kufiri i gjelbër). Transportin e merrte përsipër shtetasi S. Bu. Në anën greke, droga pritej nga Leonidha Gjoni, i cili bënte shoqërimin e saj deri në destinacion. Në lidhje me hetimin e çështjes është dhënë edhe autorizimi për vëzhgimin në mjedise publike të shtetasve Leonidha Gjoni, S. Bu. dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre në trafikimin e lëndëve narkotike. Shtetasve nën hetim Gjoni dhe Biçaku ua dorëzonte drogën S. Bu., i cili më pas largohej. Shtetasi Leonidha Gjoni dhe Françesko Biçaku, pasi morën çantën, qëndruan në rrugë deri në ardhjen e autobuzit të linjës Shqipëri Greqi. Rreth orës 18.47, në vendin ku priste Leonidha dhe Françesko ka ndaluar autobusi i linjës Shqipëri – Greqi me targa greke. Në autobus kanë hipur të dy personat, Leonidha dhe Françesko së bashku me çantën që morën nga S. Bu. Autobusi është nisur në drejtim të qytetit të Gjirokastrës dhe rrugës ka ndaluar disa herë duke marrë pasagjerë. Rreth orës 21.15, autobusi është ndaluar nga postblloku i policisë që gjendej në fshatin Kordhoc të Gjirokastrës. Gjatë kontrollit të autobusit u gjet edhe çanta, atë cilën e kishin marrë me vete shtetasit Leonidha Gjoni dhe Françesko Biçaku. Në çantë u gjetën 12 pako të mbështjella me letër alumin. Brenda mbështjellëses u gjetën bimë me ngjyrë jeshile, me aromë dhe karakteristikë si e bimës narkotike kanabis sativa. Gjatë marrjes në pyetje, Françesko Biçaku ka shpjeguar si hyri në këtë linjë. Ai ka shpjeguar se kërkonte punë dhe S. Bu i ka ofruar këtë mundësi bashkë me Leonidha Gjonin. Pasi ka shpjeguar si mori në dorëzim çantën, ai ka treguar edhe si do vepronte në pikën kufitare të Kakavijës. Gjatë rrugës me autobus, Françesko tregon se Leonidha i ka shpjeguar sesi do të vepronte kur të shkonin në pikën kufitare në Kakavijë. Pasi të zbrisnin, Leonidha do t’ia jepte çantën Françeskos pas banjos në doganën e Kakavijës. Françesko, me çantë në dorë do të kalonte brezin e gjelbër në këmbë, duke kaluar në kodër. Pasi të kalonte jashtë doganës Greke do ta linte në stolat e stacionit. Atje do të shkonte Leonidha, i cili do të kalonte pikën kufitare pa pasur çantë me vete dhe më pas do të merrte çantën e vënë te stolat dhe do ta vendoste në autobus. Françesko do të kthehej përsëri në Shqipëri. Sipas procesverbalit të peshimit të lëndës narkotike të dyshuar, rezultoi se sasia totale ishte në peshën prej 12.511 kg.




