Do të financohen 10 paketa, shërbimet që do të ofrohen nga spialet private. Kriteret për spitalet private për të përfituar financim
Paketat e shërbimit shëndetësor për kontrollin e popullsisë nuk do të ofrohen vetëm në spitalet publike por dhe në spitalet private. Gjatë forumit Ballkanik “Financimi dhe sfidat e sistemeve të kujdesit shëndetësor”, drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, Astrit Beci, bëri të ditur se kontrolli i popullsisë do të bëhet dhe në disa spitale private. “Do të financojmë programin e parë gjithëpërfshirës – kontrollin mjekësor bazë për popullatën 40-65 vjeç, – ku askush nuk do të jetë i përjashtuar, pavarësisht nëse është ose jo i siguruar. Aktualisht po përfundon përzgjedhja e qendrave shëndetësore që do të kenë laboratorin e plotë dhe ata që do të kenë setin për marrjen e mostrave si dhe faza e dytë e trajnimeve të stafit mjekësor. Besojmë se brenda vitit do të nisim zbatimin konkret të këtij projekti madhor të Qeverisë, si hapi i parë drejt mbulimit pa pagesë të shërbimeve mjekësore bazë, për të gjithë popullatën”, – tha drejtori i Fondit.
10 paketat
Fillimisht do të financohen 10 paketa të shërbimit shëndetësor. “Duhet thënë se format e para të ndryshimit të mënyrës së financimit, kanë nisur me matjen e kostove dhe më pas financimin e 10 paketave të para të shërbimeve shëndetësore. Ne do t’i financojmë 100% këto paketa, si në spitalet publike ashtu edhe ato private. Aktualisht ne kemi shpallur kriteret për lidhjen e kontratave dhe kushtet që duhet të plotësojnë spitalet private, në mënyrë që për dializën, 6 ndërhyrjet kardiokirurgjikale dhe më pas transplantet e parashikuara, të garantohet shërbimi sipas standardeve. Që nga ky moment, spitalet që plotësojnë kushtet, mund të përfitojnë nga ky ndryshimi rrënjësor i mënyrës së financimit të shërbimeve me fondet publike, në mënyrë që pacientët t’i përfitojnë këto paketa shëndetësore pa pagesë”, – theksoi Astrit Beci.
Kriteret për spitalet private
-I licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për dhënien e shërbimit shëndetësor që do të kontraktohet.
-I regjistruar pranë QKR dhe organeve tatimore ne rrethin ku kryen aktivitetin.
-Me llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë.
-I pajisur me pajisjet e nevojshme kompjuterike për të realizuar përpunimin elektronik të të dhënave, sipas programeve të përgatitura nga Fondi.
-Nuk duhet te jetë në procedurë falimentimi dhe likuidimi.
Për shërbimin e dializës
– Institucioni shëndetësor privat, përveç shërbimit të dializës, duhet të ketë dhe laboratorin kliniko-biokimik e mikrobiologjik.
– Të ketë shërbim urgjence 24 orë.
– Të ketë aparatura dhe shtrat të veçantë për pacientët me hepatit të tipave të ndryshëm.
– Të ketë një aparat të transportueshëm të dializës, i cili të bëjë dhe hemodiafiltracion dhe biofiltracion.
– Të ketë në pronësi një autoambulancë në gjendje gatishmërie, me kohë të plotë.
Për shërbimet e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë
-Të ketë të paktën një mjek specialist të fushës së kardiologjisë dhe/ose një mjek specialiste te kardiokirurgjisë të punësuar me kohë të plotë në institucion.
-Të ketë të paktën një shtrat (vend të lirë) të dedikuar për referimet urgjente që vijnë nga Fondi.
– Të ketë shërbim urgjence 24 orë.
– Të ketë në pronësi një autoambulancë në gjendje gatishmërie, me kohë të plotë.
Procedurat për lidhjen e kontratës
Fondi shpall fillimin e procedurave për lidhjen e kontratës së bashku me të dhënat për shërbimet që do të kontraktohen. Institucioni shëndetësor privat që dëshiron të lidhë kontratë dhe plotëson kriteret e mësipërme, plotëson formularin e vetëdeklarimit, të cilin, së bashku me kërkesën, i depoziton në Drejtorinë Rajonale të Fondit / Drejtorinë e Shërbimeve Spitalore Universitare të Fondit . Drejtoria Rajonale e Fondit / Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare e Fondit për lidhjen e kontratës sipas kritereve të mësipërme duhet të ngrejë një komision prej tre anëtarësh. Komisioni harton raportin vlerësues për plotësimin ose jo të kritereve dhe një propozim për organin vendimmarrës, duke dokumentuar gjithë procesin. Vendimin për lidhjen ose jo të kontratës e merr drejtori i Drejtorisë Rajonale të Fondit / Drejtorisë së Shërbimeve Spitalore Universitare të Fondit, brenda 10 ditëve nga dita e paraqitjes së raportit. Vendimi për moslidhjen e kontratës duhet të argumentohet dhe t’i njoftohet me shkrim subjekti kërkues. Kundër këtij vendimi, subjekti ka të drejtë të ankohet pranë drejtorit të Përgjithshëm të Fondit, brenda 10 ditëve nga dita e marrjes dijeni për vendimin e moslidhjes së kontratës. Pas vendimit për lidhjen e kontratës, palët procedojnë për lidhjen e kontratës brenda një periudhe jo më të gjatë se 10 ditë.




