Violeta Murati
Festivali i Komedisë “Aleko Prodani”, i mbajtur prej datave 14-21 në Korçë, ballafaqoi hartën e një krize të rëndë ku është teatri dhe komunikimi mes trupave shqiptare me njëra-tjetrën, e në veçanti prurjet, të shumta në sasi, pak justifikuan këtë përpjekje lokale – si një kufi ndarës mes teatrit dhe klisheve moralizuese nga socrealizmi. Skandali i Teatrit Eksperimental në Tiranë u refuzoi daljen në skenë Robert Ndrenikës dhe Viktor Zhustit. Drejtorja e Festivalit, Zamira Kita: Ishte një trup, Korça nderoi Ndrenikën me çmimin e karrierës. Një publik i jashtëzakonshëm në qytetin juglindor, duke bërë i pari diferencën mes cilësisë dhe bjerrjes në skenë
Diskutimet për klishetë socrealiste dhe moralizimit në skenë vazhdojnë ta mbajnë kultin e Teatrit si pjesë e kalbur e me pak shpresa ripërtëritjeje. Këtu ende njerëzit që e përfaqësojnë atë, më tepër regjisorë e dramaturgë, nuk e humbin idhnimin duke i mbyllur vetes çdo mundësi komunikimi me arealin estetik si pjesë transformimi.
Për këtë duket se ishte e domosdoshme ngritja e një festivali për komedinë mbarëshqiptare, siç qe zhvillimi i saj për shtatë ditë në Korçë me emrin ikonë “Aleko Prodani”.
Ka qenë e vagullt njohja se ç’ndodh me teatrin në rrethe, ato që mbahen me financime publike e që mund t’i kenë shpëtuar për një kohë të gjatë mbylljes. Ky rast bëri ekzistent, se ka teatër në Shkodër, Gjirokastër, Fier, Vlorë e mbahet në Korçë. Përfshirja e Kosovës dhe e teatrit shqiptar të Maqedonisë bën prerjen e thellë të dallimit, si skena që diskutohet lirë mbi zhvillimet e teatrit sot.
Në ditët e komedisë në Korçë ky debat mbahej gjatë e krahasohej më shpesh. Pothuaj të gjithë protagonistët e teatrit në kryeqytet kishin zbarkuar në qytetin juglindor për të parë komedinë shqiptare për të mbërritur te rrethi i ngushtë si transmetohen idetë, format, rekuizitat, filozofia, ironia, paradokset në “mbretërinë” regjisoriale.
Po nuk ndodhi kjo. Debati mungoi. Ulur veçmas “njerëzit e teatrit” e patën vështirë të ngrinin sytë e t’u shkëlqente ylli nëse trupat e teatrit do të tregonin historinë e tyre.
Një ditë debat zbuloi këtë marrëdhënie “të shenjtë” mes kolegësh, si flakërojnë njëri-tjetrin e hedhin poshtë çdo dëshirë dëgjimi. Të gjithë bien dakord po qe se “mbyllet goja”, heshtet. Në fakt, kur pyesim ideatoren dhe drejtoren e festivalit, aktoren Zamira Kita, dëshirën për ta dëgjuar teatrin në nivele ballafaquese e ka të madhe, matur me realitetin krejt të panjohur me të cilën u përball.
Ca punëra si kjo e festivaleve shpesh mbajnë në kurriz diskutime jashtëteatrore, në qoftë se flitet për fonde e sidomos për jetëgjatësi festivali. Kita thotë se këtë edicion të parë do ta pasojnë sepse ka marrë premtime nga Bashkia dhe bizneset e qytetit. Këtë vit funksioni kjo tërheqje e biznesit te kultura me transparencën e kujdesin skrupuloz që paratë të shkonin aty ku duhej, me emër, certifikata e medalje. Ky ishte rregulli i paravendosur. Ndërsa financimi i Ministrisë së Kulturës ka qenë minimal, 500 mijë lekë. Asnjë përfaqësues i Ministrisë nuk ishte i pranishëm për të parë festivalin, qoftë dhe në natën finale të ndarjes së çmimeve.
Gjendja e pesimizmit e aktores Kita është në nivele alarmante mbi përpjekjen për të pasur një hartë të qartë; ç’ndodh me përgjegjësit e kulturës e çfarë ndodh me teatrin e rretheve. Zëri i Kitës është dëgjuar edhe herë tjetër për ekzistencën e teatrove të rretheve.
Por ky rast, në përgatitjen e festivalit dhe mbylljes së tij, i ka vlejtur për të pasur arsyen e një përvojë anormale që ndodh në këtë vend. “Me sforco kemi realizuar një broshurë, mot do të bëj dhe një kalendar”, – thotë aktorja. Për nëntë çmimet për vlerësimin e trupave teatrore ka mbledhur 7 milionë lekë nga sponsorit e qytetit, biznesmenë të cilët ua dorëzuan me zarf e çek, personalisht artistëve në skenë.
Lekët e dhëna nga Ministria, – “katastrofë”! Ky reagim nuk është i pari që dëgjojmë këtë vit nga aplikuesit për kulturë. Ministria ka rrudhur xhepin aty ku nuk do e ka hapur thesin ku gjen lidhje politike. Siç shihet, nga lart interesi është qesharak.
Ndërsa realiteti si mbijetojnë e përgjigjen teatrot e rretheve një thirrjeje për t’u ballafaquar mes vetes është i zymtë. Në fakt, ndihet lëvizja si e breshkës. Këtë lloj entuziazmi na e treguan aktorët e Gjirokastrës, të cilët pas shfaqjes “harenë” e justifikonin se këtë vit për herë të parë mund të quhen trupë profesionistësh (“jemi të gjithë me shkollë të lartë”, – na tha një nga aktoret). Në fillimet e saj kjo trupë kishte njëzet artistë, ku sot kanë mbetur vetëm nënte. Drejtori i kulturës së bashkisë ishte aktor, regjisor, doli në skenë në një rol dhe ishte gati të fliste për gjithë ç’ndodhte me veprimtaritë kulturore të qytetit, deri te festa e fundit e 70-vjetorit të çlirimit të qytetit. Për teatrin foli pak fare, vetëm faktin se, sapo kanë marrë prurje të reja, një aktor, si dhe drejtori i teatrit, një djalë i Portokallisë!
Megjithatë, të tregojnë dy shfaqje të vëna në skenë Emigrantët dhe prezantimin në Korçë, “Jo të gjithë hajdutët vijnë për keq” të Dario Fo me regji të Rrapo Kapuranit dhe Kudret Alikajt. S’mund t’i shkohet më përtej kësaj pamjeje trupës gjirokastrite, pasi mbetjet socrealiste të teatrit i gjen aty, me gjithë finesën e tekstit, një vepër keqkuptimesh është autori që bën diferencën.
Krijuar pak më vonë, në vitin 1971, teatri “Bylis” i Fierit ekziston falë afërsisë me kryeqytetin, ku lidhjet e hershme vazhdojnë ta “shpëtojnë” nga asfiksia këtë trupë.
Aktorë e regjisorë nga Tiranë e kanë parë si alternativë këtë skenë, më shumë për frymë çliruese personale sesa për t’i bërë një shërbim teatrit të qytetit. Megjithatë, është nismë që transplantohet thjeshtësisht nga vepër e kryeqytetit në vepër të “Bylis”-it. Autor e regjisor, Erion Kame këtë rast paraqet, me veprën “Harroje dashurinë”, një tekst karakteresh, me tipizime të vakëta regjie e simbiozë rolesh po vlerë të shtuar. Ballafaquar me paraqitjen në Teatrin e Komedisë (tani Eksperimental) në Tiranë, po me trupë tjetër aktorësh.
“Mjaltë i hidhur”, me autor Ruzhdi Pulahën e regji Jorgaq Tushen, ka dëshmuar “kokëfortësinë” e teatrit “Petro Marko” të Vlorës për të qenë i pranishëm në gjithë këto vite, iu duket e vetëmjaftueshme skena. Krijuar në ’62, si teatër profesionist, premiera historike mbahet drama “Fundosja e skuadrës” me regjisor të Kujtim Spahivoglit. Fenomenet shqiptare, dramat në autorësinë e Pulahës nuk kalojnë pa moralizuar e lëshuar mesazhe – një debat i hapur nëse teatri e ka ende këtë “rol” të funksionalizuar! Megjithatë, aktorja protagoniste, Xheni Hallulli, u nderua nga festivali me çmimin e artistes së re më të mirë.
Shumë ende rrojnë me krenarinë se teatri ka lindur në Shkodër, me fatin se ndiqet nga një traditë e gjatë prej vitit 1949 kur është krijuar, si një nga teatrot profesionistë në vend. Është nga më jetëgjatët dhe ka shënuar këtë vit 65-vjetorin. Plejada që ka kaluar atë skenë është e njohur, por pak i ngjajnë këta të sotmit. Hirësia e teatrit shkodran assesi nuk u konfondua me estradën e krijuar në vitet e regjimit, identifikuar me socrealizmin edhe në teatër. Kësaj i ka shpëtuar temperamenti klasik që ka shoqëruar kulturën shkodrane. Por në rastin e paraqitjes në festivalin e komedisë në Korçë, teatri “Migjeni” shkeli në “dërrasë të kalbur”, ja nga teksti, ja nga regjisura që shkonin gërshet me njëra-tjetrën, por nuk mbërritën të krijonin aureolën e një teatri klasik, komedinë. I vetmi koncept i formës që përmbante nevojën e një teatri ndryshe lidhej me mizanskena minimale të shfaqura spontanisht, që gjithsesi të njohura teknikisht.
Shfaqja “Eldorado” me tekst të Albri Brahusha dhe regji të Bardh Smaja dukej sikur interesat lidhte me shumë fisin se sa të tregonin teatrin. Lokalitetet e teatrit tonë e kanë të vështirë shkëputjen nga klishetë e trashëgimisë përballë provave e sfidave që pak gjasa ka të ndryshojë mentalitet, fryti: një shfaqje që nuk i përgjigjej konfigurimit artistik, të sillte një komedi si ja do mjeshtërisë. Përpjekja për të na përcjell një tekst absurd, se si njeriu shpreson tek ëndrra, tek e pamundura kishte përmbajtje naive si përcepsion skenik, duke mbetur thjesht një “estradë”! Publiku i Korçës, me një traditë perfekte të “vizitës” në teatër e refuzoi këtë shfaqje, ku të shumtë ishin që lanë sallën, e pak qëndruan për të mos “i turpëruar” artistët shkodranë! Kjo gjë nuk ndodh me servilizmin kryeqytetas…
Parashikuar në program, për të ardhur në Korçë dy trupa nga Tirana, vetëm Teatri i Metropolit u paraqit me pjesën “Nëna dhe bija” të Alexander Mardan, me regji të Rozi Kostanit, një shfaqje me tension dramatik, regji racionale, ku dalloi aktoren e re, vlerësuar si aktorja më e mirë joprotagoniste, Egzona Ademi, nga Kosova.
“Djemtë gazmore” që është vënë në skenë pa ndryshuar emërtim Teatri i Kombëtar i Komedisë, tani eksperimental “Kujtim Spahivogli”, nuk u ngjit në skenë. Drejtorja e festivalit, Zamira Kita, e ka të pamundur të japë shpjegim për këtë situatë, duke e quajtur një skandal të drejtorit aktual të TEKS, Kiço Londos. Robert Ndrenikën dhe Viktor Zhustin publiku korçar nuk ka mundur t’i shohë për arsye administrative, që u konsiderua një turp, ndonëse festivali i komedisë nderoi me çmimin e karrierës aktorin ikonë, Robert Ndrenika.
Kita tregon edhe barriera të tjera, sa të vështira dhe sa papërgjegjshmëri ka në këto bashkëpunime e marrëdhënie brenda kufijve, duke iu referuar refuzimit të teatrit të Durrësit, selektuesve, mungesës së komunikimit të trupave me njëra-tjetrën etj., etj.
Kita është koshiente për mungesat e këtij edicionit të parë, aq më tepër në reflektimin e kësaj përvojë duke pranuar mangësitë, cilësinë e dobët e selektimit të ca shfaqjeve.
Por në anë tjetër vlerëson gatishmërinë e teatrit të Kosovës apo teatrin shqiptar në Maqedoni. Dy teatro nga Kosova: teatri profesional i Gjakovës me “Kolonel Zog”, të Hristo Bojçev, regji të Erson Zymberit, dhe teatri i Prishtinës “Dodona” me “Ekspozita”, të Vaclav Havel po me regji të Zymberit, në të cilën May-Linda Kosumovic, u shpall aktorja më e mirë në rolin protagonist. Ndërsa teatri shqiptar i Shkupit u paraqit me “Gjymtimi”, autor Martin McDonagh, me regji të Qëndrim Rijanit, vlerësuar për vepra të guximshme dramatike edhe në Tiranë. Nëse për teatrin shqiptar debati ka mbetur te klishetë e moralizimi, për trupat nga Kosova dhe Maqedonia flitet për sfida regjisoriale, e risi teatri, në trajta krahasimi të pamundur me teatrin e Shqipërisë. Biseda në tryeza e nën zë këtë rrahin të mëtojnë se ndryshe jemi në shqipen skenike, ku çalojmë e ku gjurmët ende nuk janë hequr nga socrealizmi – këto vërejtje janë të vështira për t’u pranuar nga njerëzit e teatrit, kryesisht kryeqytetase, ku edhe kompromisi ka ngritur barriera të rënda për të folur për cilësi tjetër në teatër! Korça është diferencimi i kësaj situate. Teatri “A. Z. Çajupi”, me një traditë po aq të herët sa Shkodra, njeh datë themelimi vitin 1950, si një nga institucionet e vetme profesioniste në gjithë trevën e Shqipërisë juglindore e ka nisur me shfaqjen “Përmbysja”, dramë nga Boris Lavrinjev, e para në skenë me regji të Sokrat Mios. Edhe këtu mund të flitet për plejadë përcjellëse të traditës, shkëputur me po të njëta arsye në kontekstin e teatrit socrealist. Ngjitja për të kapërcyer kohën duket se i është përmbajtur ruajtjes së traditës, derisa kjo trupë sot kërkon të ballafaqohet me kryeqytetin qoftë në larmi, por dhe hapje në prezantime artistike, duke shënuar rekorde me bashkëpunime me regjisorë jashtë Korçës, e të ftuar nga Kosova dhe Maqedonia. Rasti i paraqitjes në festival është “Një kafkë në Konemara”, të Martin McDonagh, me regji të Ilir Bokshit, ku dhe aktorët nuk i përkasin të njëjtin qytet; Marin Orhanasi apo aktori nga Kosova Ylber Bardhi, si dhe aktorja Zamira Kita.
Duke iu larguar debateve fillestare, pse kemi të bëjmë me një teatër lokal, kjo shfaqje mundi të japë dorë rrënjës diagnostikuese që ngjall shpesh debati mbi rëndësinë e teatrit. Brutaliteti, ashpërsia, varfëria, paniku, zymtësia janë burime që ushqejnë injorancën e provincës dhe jetës së mbyllur. Mbi këto ide puna e regjisorit Bokshi mbeti në një varësi vaktësie skenike, edhe pse tri karakteret mbështesin ritmin, në ca raste të rënë në vakuume të regjisë. Kjo nuk është një nga punët e mira të Bokshit, por është teatër që duhej diskutuar.
Megjithatë në përshtatje me prurjet që ofronte festivali, kjo regji u shpall si më e mira, dhe aktori nga Kosova, Ylber Bardhi u nderua si aktori më i mirë joprotagonist, i vlerësuar për sharmin skenik, ndonëse regjisorët e kanë lënë në një skemë interpretimi.
Për herë të parë në këto përvoja të festivaleve teatrore, në vend, qoftë dhe në Kosovë apo Maqedoni, një juri profesionistësh dha vlerësime racionale, edhe pse në një ngushti artistike për shkak të prurjeve që mund të kishin domosdoshmëri një filtër më të fortë selektiv. Këtë e pranoi dhe drejtorja e festivalit Zamira Kita, duke u treguar krejtësisht e hapur para publikut, për “dobësitë” e këtij festivali, si edicion i parë. Megjithatë juria e përbërë nga emrat si Rafet Abazi, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Altin Basha dhe Eftiola Laçka mundën të “zbardhin” e t’i japin këtij festivali mbylljen e duhur me vlerësimet.
Shfaqja më e mirë në të gjitha komponentët u vlerësua trupa e Teatrit shqiptar të Shkupit, “Gjymtimi”, me regji të të riut nga Kërçova, Qëndrim Rijani, mbaruar Universitetin e Arteve në Tiranë, iu nda çmimi si regjisori më i mirë i ri.
I krijuar qysh më 1974, teatri i Shkupit gjithnjë ka paraqitur me dinjitetin teatrin shqiptar edhe në Shqipëri, sidomos në treguesin e hapjes ndaj të rinjve dhe vëmendjes ndaj teatrit, në guxime të tilla artistike.
“Gjymtimi”, një perceptim dramatik mes ironisë dhe nënvetëdijes së njeriut për ca të vërteta tronditëse, përmbushet me regjinë e Rijanit si kontrast bardhë e zi, të sjelljes së mendimit artistik në nivele imazhesh e vizionesh reale, reflektuar kjo në njësimin e protagonizmit të karaktereve. Si u duk kjo shfaqje në meritë i duhej edhe regjia si më e mira, megjithatë juria realizoi tërësoren, duke i dhënë Luran Ahmetit vlerësimin si aktori protagonist më i mirë.
Një personazh brilant, shpërthyes, që mban energjinë frustruese të komedisë së zezë përballë dramës. Nëse ky festival i parë i komedisë me emrin “Aleko Prodani” do mbahet në këmbë, kjo mbajë dy arsye modeli: si bizneset vlerësuan teatrin duke u tërhequr me një vëmendja aq të madhe në Korçë, dhe vullneti i një qyteti që nuk e lëshon traditën, me një përmbajtje të fortë për të ekzistuar.
Aleko Prodani, mbushet me lule kujtimi për aktorin
Në një nga ditët e Festivalit të Komedisë që është pagëzuar me emrin e aktorit, aktorët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë nderuar ikonën e aktrimit të humorit. Me tufa me lule kanë kaluar në shenjë homazhi në varrin e aktorit, ku është mbajtur një fjalë e shkurtër ceremoniale nga aktorja Zamira Kita, për të nderuar traditën aktrimit që la Prodani, i cili u nda nga jeta duke luajtur në skenë.




