Të moshuarit në fshat, sa do të rritet pensioni pas 1 janarit

rritje e pensionitNëse një pensionist fshati që ka 30 vite punë të siguruara vetëm si anëtar i kooperativave bujqësore, merr një pension prej 7314 lekësh, me skemën e re do të marrë 9 160 lekë

Brenda 4 viteve pensionistët në fshat do të marrin pension të njëjtë si pensionistët në qytete. Nëse një pension i pjesshëm fshati si ish-anëtar i kooperativës bujqësore për 15 vite të siguruara, ka një pension prej 3 728 lekësh, ndërsa me skemën e re nuk ka pension me të ulët se ai social prej 6640 lekësh. Shifrat janë bërë publike gjatë analizës 8-mujore të Drejtorisë së Kontributeve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku ishin të pranishëm ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, dhe drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho. Sipas Veliajt, nga data 1 janar 2015 do të nisë afrimi i skemës, për të shkuar deri në një barazim kontributesh, deri në vitin 2018. “Kemi 30 000 qytetarë të punësuar në zonat rurale, të siguruar ose që kanë paguar kontributet e mëparshme ose të viteve që nuk kanë jetuar në Shqipëri. Qëllimi ynë është që realizimi i të ardhurave dhe të shtojmë numrin e atyre që kontribuojnë”, – përmendi Veliaj. Situata me pensionet ishte dramatike, deklaron Veliaj dhe gjithashtu shton se me punë do ta ndryshojmë dhe do krijojmë një produkt shqiptar, që po në shqiptarët duhet ta implementojmë. “Kohën e kemi të kufizuar deri sa skema e fshatit të pajtohet me të qytetit. Na ngelen edhe 4 vjet që skemat të barazohen. Nuk mund ta shtyjmë më shumë se viti 2018. Që nga data një janar do fillojë afrimi i skemave”, – tha më tej Veliaj.

 

Të ardhurat shtesë

Nëse një pensionist fshati me 35 vite të siguruara, nga të cilat 18 në fshat dhe 17 në ndërmarrje shtetërore, merr tani 11.973 lekë, me skemën e re do të marrë 12.866 lekë.

Nëse një pensionist fshati që ka 30 vite punë të siguruara vetëm si anëtar i kooperativave bujqësore, merr një pension prej 7314 lekësh, me skemën e re do të marrë 9 160 lekë. Ndërsa një pension i lidhur në datën 1 janar 2015, për pensionet e fshatit, sipas ekspertëve, pensioni do të dalë më i lartë se ai aktual.

 

Pensioni i reduktuar

Me ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar kur kanë plotësuar vitet e sigurimi dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara është 0,6 për qind në muaj. Ndërkohë i siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

Share it :