Gëzim Saliu
“Byroja e Hetimit është një përpjekje për të ngritur një Byro Politike, ku nga njëra anë të fabrikohen akuza për kundërshtarët e Kryeministrit, përfshi institucionet e pavarura”
Pas depozitimit të kërkesave për ligjin e KLD-së, Gjykatën Administrative dhe Shkollën e Magjistraturës, Partia Demokratike ka gati kërkesën për shpalljen të papajtueshme me Kushtetutën ligjin mbi Policinë e Shtetit. Në betejën e radhës me mazhorancën në gjykatë, demokratët kundërshtojnë përkatësisht nenet që kanë të bëjnë me Byronë e Hetimit, pasi sipas tyre varësia drejtpërdrejt nga Kryeministri, e bën këtë strukturë tërësisht politike. “Varësia e drejtpërdrejtë e kësaj strukture hetimore dhe funksionimi i saj në varësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe qeverisë së tij, e bën këtë strukturë tërësisht politik. Sipas këtij parashikimi është vullneti i qeverisë dhe jo vullneti i ligjit, që përcakton jo vetëm mjetet dhe metodat që përdorin punonjësit në gjurmimin dhe hetimin e një vepre penale, por edhe të objekteve dhe subjekteve që hetohen. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon qartë në nenin 148/1 të saj se është prokuroria që ka të drejtën ekskluzive të ndjekjes penale dhe përfaqësimit të saj në gjykatë”, – thuhet në argumentin e PD-së.
Kundërshtia
Sipas Partisë Demokratike, Byroja e Hetimit mund të përdoret nga qeveria për të fabrikuar akuza për kundërshtarët dhe nga ana tjetër të fshijë korrupsionin qeveritar. “Byroja e Hetimit është një përpjekje për të ngritur një Byro Politike, ku nga njëra anë të fabrikohen akuza për kundërshtarët e Kryeministrit, përfshi institucionet e pavarura dhe nga ana tjetër të bëjë fshirjen dhe fshehjen e korrupsionit qeveritar”, – thekson PD në argumentet e saj. Në ligjin e ri, qeveria ka vendosur që Byroja e Hetimit të jetë një strukturë e veçantë pranë Policisë së Shtetit, duke mos krijuar një institucion më vete. Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë si detyrë të saj hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe veprimtaritë e krimit të organizuar. Kjo strukturë e veçantë do të kryejë veprimtari gjurmuese dhe hetimore në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal dhe do të ketë varësi dyfishe mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas ligjit të Policisë së Shtetit, organizimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare do të përcaktohet me urdhër ministri, ku kryehetuesi do të ketë varësi të drejtpërdrejtë nga Kryeministri.
Vendimi i Prokurorisë/ PD, Halimi: Hetimi i plotë duhet të shkojë tek porositësi i dhunës
Partia Demokratike ka mbështetur vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për nisjen e hetimit ndaj deputetëve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu për dhunën e ushtruar në parlament ndaj deputetit të opozitës, Gent Strazimirit. Në një dalje publike nga selia blu deputeti i PD-së, Eduard Halimi, tha dje se mosnisja dhe vonesa e procedimit do të ishin një hap shumë i gabuar. “Dhuna fizike në Parlament ndaj deputetit të Partisë Demokratike ishte goditje për kolonat e demokracisë, një përpjekje e pandodhur ndonjëherë për ti mbyllur gojën opozitës. Serioziteti i hetimit, do të dëshmohet nga thellësia e tij, nga zbardhja e plotë e skenarit të mirorganizuar siç e kanë parë të gjithë shqiptarët në ekran”, – u shpreh Halimi. Sipas deputetit demokrat, hetimi i Prokurorisë duhet të jetë i plotë. “Kjo do të thotë se hetimi, që të jetë i plotë dhe serioz, duhet të nxjerrë në dritë frymëzuesin, organizatorin, porositësin e dhunës, që është Edi Rama. Ne inkurajojmë Prokurorinë që ti shkojë çështjes deri në fund. Të nxjerrë përgjegjësitë e kryedhunuesit, autorit të vërtetë që fshihet pas marionetave kriminale që ka futur në grupin e tij parlamentar”, – përfundoj fjalën e tij deputeti i PD-së, Edurd Halimi.
Prishjet e ndërtimeve në Pogradec/ Kreu i PD-së: Në qytet INUK ka krijuar gjendje lufte
Kryetari i Partisë Demokratike të Pogradecit, Renato Preza, denoncoi dje sjelljen e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik që solli si pasojë humbjen e jetës së një të riu dhe plagosjen rëndë të dy të tjerëve në Pogradec. Në një dalje publike, kreu i PD-së së Pogradecit e ka cilësuar sjelljen e INUK, si sjellje të një force armiqësore. Preza bëri përgjegjës INUK për humbjen e jetës së të riut, pasi sipas ligjit i takon këtij institucioni të rrethojë godinën e përcaktuar për shembje, në mënyrë të që shmangë të tilla ngjarje dramatike. “Dje në këtë godinë këtu pas meje, ndodhi një ngjarje fatkeqe ku një i ri humbi jetën, dhe dy të tjerë u plagosën rëndë. Kjo drame vjen si pasoje e gjendjes së luftës që ka krijuar në këtë zonë INUK-u i Edi Ramës. INUK po sillet si forcë armiqësore dhe po merr përpara ç’të gjejë, edhe ndërtime te ligjshme me dokumente të rregullta pronësie. Ky aksion pushtues i INUK-ut të Edi Ramës, po sjell pasoja të tmerrshme për ekonominë e zonës, pasoja të forta sociale, duke shkaktuar papunësi e humbje të pasurisë e të investimeve, në disa raste 15-vjeçare. Është gjendja e luftës që ka krijuar INUK që i solli këta të rinj këtu në dëshpërim e sipër për të ruajtur sa të mundnin nga kjo pasuri e piketuar për tu rrafshuar”, – tha ai. Në këtë kontekst, Peza pohoi se INUK në këtë ngjarje ka edhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë, pasi sipas ligjit duhej të kishte rrethuar ndërtesën e të mos lejonte njeri të afrohej për të mbrojtur qytetaret. “Ne do t’i drejtohemi Prokurorisë për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësitë, dhe ftojmë sot çdo qytetar ndaj të cilit po veprohet në mënyre arbitrare t’i drejtohet Prokurorisë e të ndjekë deri ne fund të drejtat e tij”, – u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike të Pogradecit.




