APLIKIME ONLINE/ Nishani hap garën për guvernatorin e ri të Bankës

Florenc Drizari 

bsh 2Rama e Nishani “përplasen” për kreun e ri të Bankës së Shqipërisë. Kryeministri: Të jetë një ekspert i huaj me reputacion ndërkombëtar. Presidenti: Besoj në përgjegjshmërinë më të madhe të një shqiptari për Shqipërinë dhe për vendin e tij

Presidenti Bujar Nishani çeli dje aplikimet për emrin e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. Vendimi i kreut të shtetit vjen një ditë pas vendimit që mori Kuvendi për shkarkimin e ish-guvernatorit Ardian Fullani. Me rastin e vakancës së krijuar në krye të BSH-së, Presidenti u bën thirrje të gjithë të interesuarve që plotësojnë kriteret sipas ligjit të Bankës së Shqipërisë, të bëhen pjesë e garës.

“Institucioni i Presidentit të Republikës, pas vendimit të djeshëm të shkarkimit të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 161, pika 2, të Kushtetutës, njofton fillimin e procedurës së emërimit të guvernatorit të ri. Për këtë qëllim, Presidenti i Republikës fton të gjithë shtetasit shqiptarë dhe shqiptare si dhe ata nga diaspora të shprehin interesin e tyre pranë institucionit të Presidentit të Republikës. Kandidaturat duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, – thuhet në njoftimin e Presidencës. ndërsa theksohet se me këtë rast, institucioni i Presidentit të Republikës garanton çdo të interesuar se aplikimi i tij ose i saj do të mbetet konfidencial.

Ashtu si Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, i cili bëri të njëjtën ftesë, por për Këshillin Mbikëqyrës, edhe kreu i shtetit deklaron se aplikimet do të bëhen në faqen e internetit të hapur enkas për këtë proces. Aplikimet për guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë do të mbyllen më datë 5 tetor.

“Çdo i interesuar mund të aplikojë dhe kontaktojë në adresën aplikime@president.al. Shprehja e interesit nga çdo i interesuar duhet të shoqërohet me dokumentacion të skanuar në përputhje me ligjin nr. 8269, dt. 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Aplikimet për shprehjen e interesit për detyrën e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, në adresën e-mail të sipërpërmendur, do të vijojnë deri më datë 5 tetor 2014”, – thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Ndërkaq, pak ditë më parë, edhe kreu i qeverisë, Edi Rama, ftoi qytetarët (kryesisht specialistë në fushën e bankingut) që të bëhen pjesë e konkurrimit për Këshillin Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Nëpërmjet faqes së tij në rrjetin social “Facebook”, Rama ka deklaruar se janë të mirëpritur të gjithë ata ekspertë që e ndiejnë vetën të denjë për një angazhim të tillë që të nisin jetëshkrimet e tyre në adresën keshillimbikqyresBSH@kryeministria.al.

“Për të pasur një mundësi sa më të gjerë përzgjedhjeje. Për t’i dhënë hapësirë të merret në konsideratë kujtdo që ka mundësi të japë një kontribut si edhe dëshirë që ta bëjë këtë. Për ta ngritur Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në një stad të ri përgjegjësie e përgjegjshmërie profesionale. Për të vendosur meritën si parakusht të përzgjedhjes dhe thelluar depolitizimin e Këshillit Mbikëqyrës”, – ka njoftuar Rama. Lidhur me procedurat për emërimin e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar edhe dy takime informale në Presidencë me kreun e shtetit. Aktualisht, mes tyre duket se ka një përplasje për emërimin e një guvernatori të huaj në qendër të Bankës së Shqipërisë. Kjo ide mbështetet nga Kryeministri Rama, ndërsa Presidenti Nishani e ka deklaruar prerë që Shqipëria ka kapacitetet e saj njerëzorë për ta zgjedhur guvernatorin e ri shqiptar.

 

Presidenti për guvernatorin e huaj

 “Nuk ka pasur asnjë diskutim në lidhje me emra konkretë. Ka pasur përfaqësues të ndryshëm të qeverisë dhe të Parlamentit që janë shprehur publikisht për një guvernator të huaj, por unë besoj që kjo është një çështje që Shqipëria e ka tejkaluar që 102 vite më parë”, – ka deklaruar Nishani në një intervistë televizive.

 

Kryeministri për guvernatorin e huaj

 “Sot, Banka e Anglisë, banka më e vjetër e botës, guvernatorin e ka të huaj. Ka shumë eksperienca, që shtete shumë të mëdha u drejtohen personaliteteve të njohura. Unë thashë që Presidenti ka mundësinë që të identifikojë profilin e një guvernatori me autoritet në fushën e bankave qendrore ndërkombëtare”, – ka deklaruar Kryeministri Rama në një intervistë dy ditë më parë.

 

Shkarkimi i ish-guvernatorit Fullani dhe rrjedhja e votave nga mazhoranca

Kuvendi i Shqipërisë votoi të enjten e shkuar projektvendimin për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani dhe inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi. Gjatë votimit u evidentua edhe një numër votash që shkuan pro qëndrimit të guvernatorit Fullani në detyrë, paçka se socialistët kishin marrë më herët një vendim grupi që votimi të ishte pro shkarkimit. Me 72 vota pro dhe 6 kundër, deputetët votuan për shkarkimin e guvernatorit, ndërsa vendimi për shkarkimin e Golemit mori 76 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim. Votimi i së enjtes u bë fshehtë dhe deputetët ruajtën anonimatin e votës edhe pas interesimit të medias se cilët ishin gjashtë votat që shkuan pro Fullanit. Ndërkohë, burime për nga grupi i PS-së thanë se deputetët që votuan kundër u ngatërruan gjatë procesit të votimit. Sipas socialistëve, qëndrimi i deputetëve të mazhorancës nuk ishte në kundërshtim me vendimin e grupit të PS-së pak ditë më parë. Procedurat për shkarkimin e ish-guvernatorit Fullani në Kuvend nisën rreth një javë më parë, ku gjatë një mbledhje që Komisioni i Ekonomisë zhvilloi paralelisht gjatë kohës kur po zhvillonte punimet Kuvendi i Shqipërisë, mori vendimin për rekomandimin e shkarkimit të Fullanit. Sipas deputetëve të PS-së, vendimi u mor pas shqyrtimit që Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori për t’i propozuar Kuvendit shkarkimin e ish-guvernatorit dhe inspektores së Përgjithshme, pas konstatimit të vjedhjes në BSH-së dhe prerjen e fletë-arresteve nga Prokuroria e Përgjithshme.

Share it :