Kanabisi rrit mundësinë e vetëvrasjeve tek adoleshentët

kanabis adoleshenteKush tymos në mënyrë të rregullt kanabis gjatë adoleshencës dhe në veçanti përpara moshës 17-vjeçare, ka një probabilitet mbi 60% të braktisë shkollën edhe të përdorë më pas droga të tjera, të cilat e çojnë drejt vetëvrasjes. Në këtë përfundim ka dalë një studim australian i Universitetit Nuovo Galles del Sud, i publikuar në “The Lancet Psychiatry”. Kërkimi del në përfundimin se nuk ka një nivel të sigurt të kontrollit në mënyrë që lënda narkotike të mos përdoret nga adoleshentët. Ekspertët kanë përpunuar të dhënat nga thuajse 4 mijë pjesëmarrës, të cilët kanë përdorur kanabis gjatë tre viteve që ka zgjatur studimi. Sipas studiuesve, marijuana ka pasoja tejet negative te personat, kur ata janë në moshën e adoleshencës, në krahasim me rininë apo mosha të tjera.

 

Hani peshk për të parandaluar humbjen e dëgjimit

Konsumimi i dy ose më shumë racioneve me peshk në javë mund të ulë rrezikun e humbjes së dëgjimit. Përfundimi vjen nga një studim i realizuar së fundmi nga kërkuesit e spitalit “Brigham and Women’s Hospital” që ka analizuar mbi 65 mijë gra. Ato janë përcjellë për 18 vite dhe janë vërejtur rreth njëmbëdhjetë mijë raste të humbjes së dëgjimit. Krahasuar me gratë të cilat rrallë kanë konsumuar peshk, ato të cilat kanë konsumuar peshk shpesh rregullisht kishin 20 për qind rrezik më të ulur për të vuajtur nga humbja e dëgjimit. Autorët thonë se dieta e pasur me acide yndyrore omega-3 mund të ndihmojë në parandalimin e problemeve me dëgjimin. Studimi është publikuar në edicionin më të ri të revistës “American Journal of Clinical Nutrition”.

 

Dush të ftohtë për rënie nga pesha

Dushi i ftohtë mund të jetë një ndihmë e shpejtë për të rënë nga pesha. Është vërtetuar se dushi i ftohtë nuk relakson vetëm trupin, por edhe mendjen. Dushi i ftohtë nxit trupin që të shkrijë yndyrat dhe kështu do të shpejtojë metabolizmin prej 12 deri në 15 orë. Këshillohet që të bëni dush në temperaturë midis 15 dhe 20 gradë celsius dhe të qëndroni në ujë më shumë se 15 minuta. Mjekët këshillojnë që të mos përdorni dushin e ftohtë nëse keni probleme me zemrën, me shtypjen e gjakut apo me diabetin. Ndryshimet e temperaturës së trupit, mund të ndikojnë përkohësisht në qarkullimin e gjakut.

 

Share it :