Florenc Drizari
Banka e Shqipërisë, Kryeministri: Pavarësia në letër të mos bëhet shkak për pandëshkueshmëri
Kryeministri Edi Rama reagoi dje për vjedhjen e ndodhur rreth një muaj më parë në Bankën e Shqipërisë si dhe për qëndrimet që do të mbajë institucioni që ai drejton në lidhje me guvernatorin e BSH-së, Ardian Fullani. Gjatë një takimi me gazetarët, Rama tha se nuk mund të kërkonte dorëheqjen e guvernatorit, pasi Fullani është në krye të një institucioni të pavarur kushtetues. Sipas Ramës, nëse do të kërkonte dorëheqjen e Fullanit, do të ishte njësoj sikur të kërkonte dorëheqjen e krerëve të gjykatave dhe të Presidentit të Republikës, çka nuk është në tagrin e postit që ai përfaqëson.
Rama për Fullanin
“Pse s’më pyesni pse nuk i kërkon dorëheqjen kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, asaj së Gjykatës së lartë, të Apelit e me radhë. Mund të kem shumë arsye ndonjërit apo tjetrit, do i marr si shembull për ti kërkuar dorëheqjen, por çfarë do të thotë kjo. Si kryeministër s’mund ti kërkoj dorëheqjen kryetarit të një institucioni të pavarur. E para, por nga ana tjetër është një sfidë e madhe për Kuvendin e qeverinë. E kemi thënë qartë në çfarë kemi shkruar e zeza në të bardhë në prononcimin e Këshillit të Ministrave që do të thotë se Kuvendi e qeveria do analizojë, po ndjekim ditë pas dite zhvillimin e asaj situate deri në bashkëpunim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare se BSH është pjesë e institucioneve integrale ndërkombëtare që të dalim në konluzionet e duhura. Kjo është një përgjigje që nuk do gëzojë shumëkënd se donte të thoja, që Guvernatori të japë dorëheqjen, por duhet ta kuptojë së kjo do ishte një thirrje në boshllëk”,-deklaroi Kryeministri. Kreu i qeverisë shtoi më tej se garancia në letër e BSH-së nuk duhet të bëhet shkak për të mos u ndërshkuar apo monitoruar nga institucione të tjera, ndërsa e cilësoi tejet të rëndë ngjarjen e ndodhur me vjedhjen e rreth 713 milionë lekëve në bankën qendrore.
“ Nëse ne përdorim sot forcën e kartonit për të bërë një goditje që është e paligjshme atëhere ku është problemi? Te ligji në radhë të parë. Ku, çfarë duhet të ndryshojmë në këtë ligj, çfarë duhet të ndryshojmë në sistem dhe pjesë e sistemit është Këshilli Mbikqyrës i BSH. Dhe të shohin cfarë nuk ka funksionuar dhe cfarë duhet të funksionojë ndryshe dhe të bëjmë gjthcka. Nuk kam arsye të thënë e të pathënë që thonë se duhet të japë dorëheqjen Guvernatori, por nga pozita e Kuvendit e Qeverisë duhet që të hedhim çdo hap në funksion të konsolidimit të mekanizmave të BSH, që pavarësia në letër të mos bëhet shkak për pandëshkueshmëri dhe që pavarësia të jetë e garantuar dhe që jo çdo qeveri të bëjë çfarë të dojë me BSH, kjo do ishte katastrofë”,-deklaroi Rama.
Rama për Nishanin
Kryeministri Edi Rama foli hapur edhe për dekretet e kthyera sëfundmi nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, duke deklaruar se do ti rrëzojë të gjitha në Kuvend.
“Presidenti ka të drejtën e tij të kthejë ligjet, por ta dijë se do i kthehet mbrapsht çdo dekret, menjëherë pa humbur kohë, me argumentet e PD që vijnë nga goja e tij. Qoftë ligji për Policinë e Shtetit, për KLD-në, për Magjistraturën, ishin të gjithë argumentat e PD. Kjo është e ripërsëritur dhe për ta ardhur keq. Koha që nga kjo godinë hidheshin gjyle balte mbi presidentin dhe institucionin kanë vdekur bashkë me qeverinë që iku në 23 qershor. Ne nuk sulmojmë Presidentin e Republikës, pasi ai është i pari që sulmon qeverinë në këto 23 vite. Tani kemi president që sulmon qeverinë, dekretet do kthehen menjëherë” ,-theksoi Rama.
Skandali i videos në Sarandë, Rama: Turp i madh, por rast individual
Gjatë konferencës së djeshme me gazetarët, Kryeministri Edi Rama foli edhe për publikimin e videos ku një punonjës i zyrës së deputetit në Sarandë, shfaqej duke kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune, duke e cilësuar ngjarjen si turpëruese dhe individuale.
“Nuk ka turp më të madh sesa turpi që pamë, por nuk ka po ashtu dhe turp më të madh për gjithë ata që shohin sesa ta ripërtypin atë turp ta përtypin se i bëjnë opozitë qeverisë, apo duke u përpjekur që rastin ta përgjithësojnë. Është një përgjegjësi konkrete dhe njësoj si në rastin e parë që folëm, qeveria nuk gjykohet se nga çfarë ndodh individualisht me një person në territor apo qeveri, që në përgjegjësi individuale shkel normat ligjore apo ato etike të bashkëjetesës. Qeveria gjykohet se si reagon ndaj rastit. Reagim i ynë ishte i qartë dhe i prerë si asnjë herë më parë. S’dua të hyj në këtë temë, pasi është e neveritshme.”-tha Rama. Ndërkohë, Rama risolli në vëmendjen e të gjithëve, një rast të ngjashëm që ka ndodhur në Shqipëri, ku në qendër të skandalit ishte Ylli Pango, ish-ministër i Kulturës asokohe. “Të gjithë e kujtoni se si u abuzua me një detyrë shumë më të lartë, për një vend pune dhe abuzuesi u mbrojt denoncuesit konkretisht media qe e denoncoi u sulmua dhe u çua deri përpara detyrimit për të pagur gjobë. Dhe abuzuesi u kthye shtatlartë në një detyrë të lartë. Ndërkohë, rasti për të cilin flasim është krejt i qartë për të bërë diferencës, policia e arrestoi, zyra e deputetit u distancua dhe e dënoi aktin dhe PS e përjashtoi nga radhët e anëtarëve të vetë. Ne nuk jemi të ndarë në engjëj dhe djaj. Kjo është një ndarje që mund të jetë në kokën e atyre që vinë dhe janë ende nëpër këmbët tona. Ne jemi të gjithë shqiptar, në të gjitha. Dallimin me ta e kemi parë, pasi besojmë në vlera dhe parime, të cilat janë ato që duhen për të ecur para. Ndaj ne jemi alternativa më e mirë.”-theksoi Rama.
A do marrë pjesë Shqipëria nëse NATO do ndërhyjë kundër ISIS në Afganistan?
“Ne do të bëjmë gjithçka që na takon, pasi ne jemi një pjesë e NATO dhe nuk jemi prapashtesë e rastit, Dhe do marrim përsipër gjithçka, Do ndihmojmë dhe do marrim pjesë, por se si kjo është një çështje që do varët nga mundësitë tona”,-tha Rama.
Rendi, Rama: Shifrat flasin për më pak të plagosur dhe aksidente
“Nuk mund të mos jemi sot optimist për ndryshimin e kursit bazuar në punën e bërë nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik, ku u angazhuan specifikisht 2388 punonjës policie, 201 automjete, 17 mjete lundruese dhe një helikopter. Për here të parë patëm patrullimin policor në plazh, qoftë me mjete fare të lehta, si biçikleta dhe me uniforma verore. Në këtë shërbim që u pilotua këtë vit dhe që do të jetë shumë më i strukturuar vitin e ardhshëm, u aktivizuan 100 punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, të cilët luajtën një rol shumë të rëndësishëm si ndërmjetës të menjëhershëm mes komuniteteve të pushuesve dhe forcave të policisë.Nga ana tjetër nga 1 qershori deri në 15 gusht që flasin shifrat, që unë kam përpara, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kemi 22 % më pak aksidente rrugore, 29 % më pak viktima në aksidentet rrugore dhe 39 % më pak të plagosur rëndë në aksidentet rrugore”,-deklaroi Rama.
Dekretet për kthimine ligjeve dhe nismat e mbetura pezull
Refuzimi ligjeve, Nishani: Nuk janë sulme politike, cenonin Kushtetutën e venidt
Ligjet e miratuara në seancën e fundit plenare duket se kanë çuar në rritjen e tensioneve politike mes kreut të shtetit, Buajar Nishyani dhe kryeministrit të vendit, Edi Rama. Pak ditë më parë Presidentit Nishani dekretoi kthimin e tri ligjeve në Kuvend, atë për “Policinë e Shtetit”, për KLD-në dhe për Magjistraturën, ndërsa priten dekretet për draftin e Sigurisë Kombëtare si dhe reformën Admnistrativo-Territoriale. Nismat u cilësuan se binin në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa sipas mesazheve të fundit të Presidentit, pritet që edhe reforma territoriale dhe ligji për Sigurinë Kombëtare, të rikthenen për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.
Më herët tri dekretet e Nishanit nuk kaluan edhe pa reagimet nga mazhoranca. Ka qenë vetë Kryeministri Rama i cili ka shprehur “keqardhje” për dekretet e Presidentit, duke i cilësuar arsyetimet e shprehura si argumete që vinin nga Partia Demokratike e jo nga një institucion i pavarur si presidenca. Një ditë më parë Rama paralajmëroi edhe anulimin e dekreteve në Kuvend, duke lënë miratimin e ligjeve siç kanë kaluar në seancën e fundit plenare më 31 korrik.
Dekretet
Pak ditë më parë Presidenti i Republikës i cilësoi dekretet e tij për rrëzimin e tri ligjeve se bazoheshin në Kushtëtutë dhe se qeveria duhet të rishohë edhe njëherë vendimet e marra. Duke folur për ndryshimet në ligjin për KLD-në, Presidenti Nishani tha se u cenuan hapur kompetencat e kreut të shtetit. “Çfarë bëhet me rastin e ligjit të KLD-së? Presidentit të Republikës në Kushtetutë i njihet e drejta e emërimi të Nënkryetarit të KLD-së nga një prej anëtarëve të KLD-së. Jo, – thotë mazhoranca. – Ti duhet ta zgjedhësh tani vetën nga tre anëtarët e KLD-së që emërohen nga Parlamenti, pra nga mazhoranca. Faktikisht e ke përcaktuar ti si mazhorancë parlamentare se kë duhet të emërojë Presidenti i Republikës dhe i heq të drejtën Presidentit të Republikës, që ia ka dhënë Kushtetuta, të përzgjedhë si Nënkryetar të KLD-së një nga anëtarët e këtij këshilli që janë 15, përjashto Ministrin dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë, mbeten të tjerët”,-ka thënë më parë Nishani. Ndërsa për kthimin e ligjit për Policinë e Shtetit, krei i shtetit është shprehur se po tentohet krijimii varësisë politike në strukturat e policisë.
“Rikthimi i varësisë së Policisë së Shtetit tek Ministri i Brendshëm krijon shqetësime të mëdha. Krijon shqetësime të mëdha për riskun e politizimit të veprimtarisë së Policisë së Shtetit”,-tha ai. Një nga argumentet kryesore që ligji për Policinë e Shtetit është kthyer për rishqyrtim në Parlament sipas kreut të shtetit, është veprimi i paprecedent për të krijuar një strukturë paralele të Prokurorisë brenda Policisë së Shtetit.
Ligjet e mbetura pezull
Dy ditë më parë Presidenti i Republikës Bujar Nishani, zhvilloi një takim konsultativ me përfaqësues të pushtetit vendor për ndarjen e re administrativo-territoriale të vendit me 61 bashki, ndërkohë që dje zhvilloi një tjetër takim me përfaqësues nga shoqëria civile për ligjin e Strategjisë Kombëtare. Përpos këtyre ligjieve, ndodhen në Kuvend edhe dy dekretet e fundit të Presidentit Nishani për anëtarë në Gjykatën e Lartë, ndërsa dekretet e mëparshme të tij janë cilësuar se nuk përmbushnin kriteret.
Vakanca tek Gjykata e Lartë, dekreti për Sokol Ngresin e Elona Stavrin
Presidenti i Republikës ka dekretuar dy emra për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ata janë Sokol Ngresi dhe Elona Stavri (Toro). Nishani ka arsyetuar vendimin e tij për të zgjedhur Sokol Ngresin në këtë post, duke u shprehur se ka vlerësuar eksperiencën dhe vjetërsinë e tij në punë. “Me dekretin nr. 8682, datë 18 gusht 2014, vendosa të dekretoj emërimin e zotit Sokol Ngresi, si anëtar të Gjykatës së Lartë, pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor të përzgjedhjes së kandidaturave për anëtar. Ndërsa në lidhje me emrin tjetër që propozon si anëtare e Gjykatës së Lartë, Elona Stavri (Toro) Nishani shprehet se ka vlerësuar eksperiencën mbi 20 vjecare që ajo ka. “Me dekretin nr. 8683, datë 18 gusht 2014, vendosa të dekretoj emërimin e zonjës Elona Stavri (Toro), si anëtare të Gjykatës së Lartë, pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor e të konsoliduar të përzgjedhjes së kandidaturave për anëtar”,-arsyeton Nishani në dekretin e tij të nxjerrë pak ditë më parë, ndërkohë që dy propozimet e tij pritet të shqyrtohen në Kuvend me nisjen e sesionit të vjeshtës.
Strategjia e Sigurisë Kombëtare/ Nishani takon përfaqësues nga shoqëria civile: Një dokument të një rëndësie madhore
Presidenti Nishani zhvilloi dje një takim pune me përfaqësues të ndryshëm të Shoqërisë Civile, të ftuar nga Kreu i Shtetit për t’u konsultuar lidhur me Dokumentin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Kreu i Shtetit shqiptar duke e konsideruar Strategjinë e Sigurise Kombëtare të Republikës së Shqipërisë një dokument të një rëndësie madhore dhe me dimension të gjerë kombëtar, e përshëndeti dhe e vlerësoi hartimin e tij dhe theksoi se takimi konsultues me përfaqësues të Shoqërisë Civile, të cilët kanë një rol të rëndësishëm për sensibilizimin e opinionit publik dhe sjelljen institucionale të shoqërisë shqiptare, është shumë i vlefshëm në procesin e shqyrtimit të këtij Dokumenti. Të pranishmit, pasi shprehën mirënjohjen e tyre për ftesën e Kreut të Shtetit, ofruan mendimet dhe argumentet e tyre profesionale si dhe u zotuan të përcjellin nevojën e rritjes së ndjeshmërisë shoqërore tek qytetarët. Presidenti Nishani vlerësoi angazhimin, mendimet dhe propozimet e specializuara, efikase dhe kontribuese të të pranishmëve.
Më herët kreu i shteti zhvilloi takime konsultative me të zgjedhurit vendor edhe për ndarjen e re administrativo-territoriale me 61 bashki, duke thënë se gjithë këtyre javëve ka marrë peticione të shumta nga strukturat e zgjedhura të pushtetit lokal, komuna, këshilla komunash, nga komunitete qytetarësh të cilët rishikimin e vendimit të mazhorancës.




