Florenc Drizari
Kryeministri: Nuk ndiej asnjë inferioritet ndaj grekëve. Dëshiroj që gjërat mes nesh të shkojnë mirë
Kreu i PBDNJ-së: Kryeministri pranon t’u bëjë miqve dhe shokëve dhuratë si çiflig një zonë të tërë
Pas gjashtë orë debatesh, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë miratuan hartën e re administrative-territoriale të vendit me 61 bashki. Deputetët e mazhorancës diskutuan në mungesë të opozitës (PD-së) për avantazhet që pritet të sjellë kjo reformë për pushtetin vendor, ndërsa në Kuvend nuk munguan edhe negociatat për sigurimin e votave të nevojshme. Edhe pse ishte deklaruar më parë që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet do ta votonte këtë reformë në Kuvendin e Shqipërisë, së fundmi kjo reformë ishte kundërshtuar edhe nga disa deputetë të PS-së. Duke u shtuar këtyre qëndrimeve edhe deklaratat e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, kundër miratimit të kësaj reforme pa pranuar kërkesat e subjektit politik që përfaqëson, mazhoranca ishte në tension të votave pothuajse gjatë gjithë debatit që u zhvillua dje në seancë.
Negociatat
Me fillimin e diskutimeve për reformën administrative-territoriale në seancën e Kuvendit, nisën edhe takimet mes drejtuesve të Partisë Socialiste me vetë deputetët e saj, por edhe me përfaqësuesit e PDIU-së. Fillimisht ishte kryesocialisti Edi Rama, i cili zbriti nga karrigia e Kryeministrit dhe u ul pranë deputetit të PS-së, Andrea Marto. Takimi mes tyre zgjati për rreth 5-6 minuta dhe u zhvillua jashtë mikrofonave. Ky takim u zhvillua i qetë, pa praninë e deputetëve të tjerë, ndërsa u pa që Kryeministri Rama të diktonte bisedën dhe deputeti Marto miratonte qëndrimet e tij. Por pas largimit, Kryeministri Rama u shfaq “nervoz” në komunikimet që pati më pas me ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçin, dhe me përfaqësues të tjerë të ekzekutivit. Pak takimit Rama-Marto, ishte ministri Çuçi që zhvilloi një tjetër bisedë në vendet ku ulen deputetët me kreun e komisionit të posaçëm parlamentar të reformës administrative-territoriale, Bashkim Finon. Në dukje u kuptua për një mosgjetje konsensusi me deputetin socialist Andrea Marto, ndërkohë që ky i fundit kishte refuzuar pak ditë më parë të votonte projektligjin për reformën, nëse nuk do të merreshin parasysh propozimet e tij për bashkime të disa fshatrave në jug të vendit. Këto aludime u rrëzuan kur Marto votoi pro reformës territoriale në mbyllje të seancës, ndërsa nga ana tjetër, socialistët i miratuan atij dy amendamentet për ndryshimin e emrit që Bashkia Livadhja të quhet Bashkia Finiq.
Ndërkaq, një tjetër takim u zhvillua gjatë debateve mes përfaqësuesve të PDIU-së dhe PS-së. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas mbërritjes së deputetëve të PDIU-së rreth mesditës në Kuvend, zhvilloi një takim me kreun e kësaj partie, Shpëtim Idrizi. Ashtu si takimet e para edhe ky ishte informal dhe jashtë mikrofonit të mediave, ndërsa mësohet të jetë diskutuar për votën pro reformës territoriale dhe amendamenteve të PDIU-së, që përkonin me një nga 5 amendamentet e PBDNJ-së, PS-së dhe LSI-së, për Bashkinë e Konispolit.
Rama-Dule
Diskutimet e djeshme për reformën administrative-territoriale kulmuan me replikat mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Kryeministri tha se Himara është zonë shqiptare dhe do të trajtohet njësoj si Tropoja, Shkodra, Kavaja etj., duke theksuar se qeveria e tij do të respektojë si minoritetin grek, ashtu edhe marrëdhëniet me fqinjët. Nga ana tjetër, Dule e quajti reformën si diskriminuese dhe nga më të rëndat për minoritetin që është ndërmarrë në këto vite në Kuvendin e Shqipërisë, teksa “kërcënoi” me penalitetet që mund t’i vijnë Shqipërisë në proceset integruese në Bashkimin Evropian për çështjen e të drejtave të minoritetit.
Ambasadori i SHBA-së, Arvizu: Më e rëndësishmja është zbatimi i reformës, decentralizimi
Lidhur me miratimin e reformës administrative-territoriale dhe mbështetjen që SHBA i ka dhënë qeverisë shqiptare, ambasadori amerikan, Alexander Arviu, tha dje: “E bëmë këtë sepse konsolidimi i njësive të qeverisjes vendore ekzistuese është shumë i mirë. Kjo sepse konsolidon shërbimin që këto njësi vendore u japin qytetarëve. Gjatë gjithë këtij procesi ne kemi kërkuar që procesi i bisedimeve të jetë sa më gjithëpërfshirës në mënyrë që të ishte konsensusi kombëtar më i madh i mundshëm. Ashtu si me çdo reformë, më e rëndësishmja është zbatimi dhe zbatimi i reformës. Kjo do të thotë decentralizim. Ndërsa kjo reformë zbatohet, ne mirëpresim politikën e hershme të Shqipërisë në zbatimin e minoriteteve dhe të drejtave të tyre”, – tha në një komunikim për mediat ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu, i cili ndoqi për disa orë debatet në Kuvendin e Shqipërisë.
Replikat mes Ramës dhe Dules në Kuvend
Dule: Në Himarë për këdo që shkon, të vret syrin nga ana qytetare, disa ndërtime monstruoze. Investitori i atyre ndërtimeve ka emër dhe mbiemër dhe fatkeqësisht është këtu mes nesh. Pikërisht ai njeri i cili rastis të jetë njeri i afërt i Kryeministrit kërkon dhuratë zonën e Himarës. Ashtu siç i ka nxjerrë sytë deri më sot të heqë dhe vetullat dhe ta shkatërrojë atë në tërësi dhe më vjen çudi se si Kryeministri pranon t’u bëjë miqve dhe shokëve dhuratë si çiflig një zonë të tërë dhe dëshiroj ta garantoj se ai ka një rrënjë prej aty se qehajallarë himariotët nuk bëhen. Aty do jemi, aty do ndahemi me referendumin konform ligjit dhe Kushtetutës së Republikës. Është ai populli sovran që me referendum do të thotë fjalën e vet.
Çuçi: Kemi respektuar zonat e minoritetit. Nëse do të bëhet referendum, të bëhet në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm në Himarë. Në asnjë vend të botës nuk ka bërë një kriter përjashtues në këtë masë që kemi bërë ne vetëm të mos cenojmë raportin etnik.
Rama: Për mua Himara është si Shkodra, Dibra, Kavaja, si të gjitha bashkitë e krijuara mbi kriteret e zonës funksionale dhe fakti që në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton asgjë tjetër përveçse detyrimit për të jetuar dhe kaq. Por meqë ka pasur shumë barcaleta dhe është bërë folklor, por rikthehem te E. Çabej. Në Himarë në vitin 1936 pati ca telashe, se historia thotë se nxiteshin nga një farë Bollano dhe i kërkon Ministrisë së Arsimit shumëfishim të shkollave greke. Dhe Ministria dërgon Çabejin si inspektor. Ai harton një promemorie, ku po shkëpus një copë: ‘Himara ka qenë dhe është një krahinë shqiptare ku sundojnë cilësitë e racës shqiptare. Origjinën shqiptare, flasin qartazi traditat labe, por për këtë flasin edhe emrat, sidomos flasin këngët dhe vajtimet e tyre të cilat janë shqip’.
Rama: I dashur Vangjel, e kam çmuar inteligjencën tënde, por nuk pranoj të fyesh timen dhe aq më tepër ta fyesh duke më cituar çka unë nuk e thashë. Himara është si gjithë bashkitë e tjera dhe nuk ka përpjekje për të kufizuar të drejtat e minoritetit grek që nuk i kemi njohur sot dhe do ta respektojmë siç e kemi respektuar gjithmonë. Unë e kuptoj që tema është e ndjeshme, sepse e kanë bërë të ndjeshme përpjekjet e vazhdueshme të shumëkujt që ka dashur ta shikojë Himarën ashtu siç Himara nuk është. Meqë përmende origjinën time, unë jam krenar që kam një pjesë nga Himara, dhe nuk e quaj epërsi që jam shqiptar, por jam shqiptar. Nuk ndjej asnjë inferioritet ndaj grekëve. Unë dëshiroj që gjerat mes nesh të shkojnë mirë e më mirë, por kohën kur Shqipëria hezitonte të vendoste për veten ka marrë fund. Ne duhet të shikojmë mirëqenien e njerëzve dhe në emër të tyre, kjo reformë shkon në drejtimin e duhur. Ne emër të partisë mos ngri çështje që nuk ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Dule: Parlamentarizmi dhe folklorizmi janë të dyja shumë interesante, por të ndryshme. Më pëlqen edhe folklori, por këtu jemi në Parlament dhe flitet për politikë. Kur flasim për politikë në Parlament ajo që mbizotëron është nocioni shtet, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe për mua edhe të drejtat e minoriteteve. Po marr nga fjala e Kryeministrit dhe dua ta falënderoj pohimin se në Himarë ekzistojnë minoritarë të minoritetit etnik grek. Marr edhe thënien se pikërisht për të kufizuar hapësirat ne bëjmë këtë bashkim. Duket qartë ajo që denoncova, tendencioziteti. Duket qartë ajo që theksova në fjalën time dhe është neni 16 i konventës kuadër, i cili nga goja e Kryeministrit prodhohet se shkelet në mënyrë të vullnetshme. Shtetet palë duhet të frenojnë veten nga marrja e masave që synojnë tjetërsimin e raporteve të popullsisë në hapësira të raporteve ku jetojnë pjesëtarë të minoriteteve kombëtare dhe të cilat synojnë në kufizimin e të drejtave që rrjedhin nga konventa kuadër.
Votimi i projektligjeve me 3/5-at e votave në Kuvend
-Miratohet me 84 vota pro projektligji për “Kodin e Procedurës”
-Miratohet projektligji për Gjykatën Administrative votohet me 84 vota
-Projektligji për KLD votohet me 84 vota pro
-Rrëzohet me 82 vota projektligji për një ndryshim për dhënie amnistie, 2 abstenime, 5 pro, PDIU
-Miratohet projektligji për “Kodin Doganor”, me 89 vota, PDIU bashkon votat me koalicionin e majtë
-Miratohet projektligji për “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare”
-Miratohet projektligji për “Sigurimet Shoqërore”, me 88 vota pro
-Miratohet projektligji ‘”Për Policinë e Shtetit”, me 81 vota pro
-Miratohet me 88 vota ndarja administrativo territoriale, 1 kundër Dule




