Sonila Mesareja
Prokuroria kërkoi të dënohej me 30 vjet, iu pranua aplikimi i gjykimit të shkurtuar. Gjykata i uli një të tretën e dënimit
Vetëm 16 vite burg për autorin e masakrimit të ish-gruas në mes të ditës dhe në një nga rrugicat më të populluara të Tiranës. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda për Genci Çarçanin, për të cilin më herët organi i akuzës kishte kërkuar dënimin me 30 vite burg. Gjyqtarja Etleva Deda, pasi pranoi kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar nga ana e të pandehurit, e dënoi Çarçanin me 24 vite burg në total për dy akuzat, por që pas uljes së një të tretës së dënimit, përfundimisht vitet që do të vuajë në burg do të jenë vetëm 16 dhe 24 vjet. Gjyqi ka zgjatur vetëm 4 seanca, ndërsa Çarçani është shprehur i penduar për krimin e kryer, duke masakruar me thikë ish-bashkëshorten, nënën e dy fëmijëve të tij, Valbona Çarçani. Sipas dispozitivit të Gjykatës, i pandehuri u dënua 23 vjet burg për akuzën e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe 5 vjet burg për akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”. Në bashkim të dy dënimeve, gjyqtarja Deda e dënoi me 24 vjet, nga të cilat i ulen automatikisht 8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Akuza
Krimi për të cilin u dënua Genci Çarçani ka ndodhur korrikun e kaluar në rrugën “Tefta Tashko”, pas gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë. Ai ka qëlluar disa herë më thikë në mes të rrugës ish-bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas akuzës, çifti kishte dy vite i divorcuar, pas 20 viteve martesë, ndërkohë që kishin dy vajza. Dyshohet se shkak për grindjet e shpeshta edhe pas divorcit ishin vonesat e pagesës së shumës financiare për dy vajzat që kishte marrë në kujdestari Valbona pas divorcit. Pas ngjarjes dhe në Gjykatë, i pandehuri Çarçani shprehu pendesë për krimin e kryer. Ndërkohë, ditë pas dite dilnin në dritë fakte të reja rreth çiftit. Mësohet se para ngjarjes, viktima kishte thirrur policinë dhe kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje nga ish-bashkëshorti, i cili, sipas saj, i vinte orë pa orë në banesë duke e shqetësuar dhe kërcënuar. Nga familjarët e të dyja palëve u mësua se shkak i divorcit mes çiftit ishte humbja e një fëmije vite më parë, kur ishin emigrantë në Itali. Për shkak të një pakujdesie, djali i tyre ka rënë nga ballkoni ndërsa tentonte të kapte pëllumba. Pasi ka mësuar të vërtetën e vdekjes së të birit, në moshë ende të vogël, mes të pandehurit dhe Valbonës ka pasur një krisje, ndërsa të dy si çift kanë shfaqur probleme derisa martesa shkoi drejt divorcit.
Akuzat
“Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”
“Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”
Tiranë/ Dhunoi motrën, dënohet 9 muaj burg 61-vjeçari
Mosruajtja e kontrollit dhe dhuna e ushtruar ndaj motrës së tij do t’i kushtonte 9 muaj burg 61-vjeçarit Gëzim Çarçani, nëse Gjykata nuk do t’ia pezullonte masën e burgut duke e liruar me kusht. Sipas Gjykatës, arsyeja pse i pandehuri u dënua me 9 muaj burg është se më datën 15.3.2014, rreth orës 11:00, shtetasja F. Çarçani (motra e të pandehurit) ishte në banesën e saj kur është dhunuar nga i vëllai Gëzim Çarçani. Midis të pandehurit Gëzim dhe motrës tij ka lindur një debat me fjalë për motive të dobëta në banesën e kësaj të fundit, ndërsa më pas ka degraduar dhe i pandehuri ka filluar të ushtrojë dhunë fizike ndaj motrës së tij. Si pasojë e kësaj dhune, shtetasja F. Çarçani ka mbetur e dëmtuar. I pandehuri Gëzim Çarçani, i pyetur për rrethanat e faktit deklaroi se është e vërtetë që ka debatuar me motrën e tij dhe ka përdorur dhunë fizike, por ndihet mjaft i penduar për veprimin e kryer. Në përfundim të gjykimit, togat e zeza ia pezulluan masën e burgut prej 9 muajsh, duke ia kaluar Shërbimit të Provës për mbikëqyrje për një periudhë 2-vjeçare.
Vendimi/ Hedh gruan nga shkallët dhe e rreh, dënohet 6 muaj burg
Arsyet e debateve mes çifteve kanë qenë nga më të ndryshmet, por që të rrihet gruaja apo të hidhet nga shkallët për një debat pikërisht për ato shkallë, vetëm në vendin tonë mund të ndodhin. E tillë është edhe fabula e ngjarjes së ndodhur mes të pandehurit Alfons Dine dhe gruas së tij A. Dine, me të cilën janë zënë pikërisht për shkallët ku gruaja kishte hipur dhe rregullonte perdet. Në deklarimin e saj para policisë, e dëmtuara ka sqaruar se në datën 24.12.2013, në orët e pasdites, ka qene duke rregulluar perdet në ambientin e shtëpisë dhe kishte hipur në shkallë portative, kur ka vajtur i pandehuri dhe i ka thënë të zbriste sepse do t’ia jepte shkallën një shoku të tij. Pas një debati të krijuar ndërmjet tyre, i pandehuri Vilson e ka rrëzuar fillimisht të dëmtuarën nga shkallët dhe më pas e ka goditur me grushte. Në vijim, sipas vendimit të Gjykatës, i pandehuri e ka nxjerrë të dëmtuarën jashtë nga banesa, duke i kërkuar të largohej dhe të mos kthehej më në banesë. E dëmtuara ka ndenjur për një periudhë kohe te shkallët e banesës e më pas është larguar tek të afërmit e saj. I pandehuri ka pranuar faktin e ndodhur dhe ka sqaruar se për shkak të një debati, e dëmtuara është bërë shumë agresive dhe ai e ka goditur me pëllëmbë për ta qetësuar. Në përfundim të gjykimit, togat e zeza i kanë pezulluar dënimin me burg të pandehurit Dine duke i kërkuar Shërbimit të Provës mbikëqyrjen e tij për 2 vjet.




