Gjykatë / Grabisnin udhëtarët kosovar, 20 vjet burg për hajdutët

 Anxhela Tato

polici lezheMekanizmi, vini gurë të mëdhenj dhe drurë për t’i penguar rrugën automjeti, nën kërcënimin e armës i merrnin çka kishin

Prokuroria, i pandehuri Anton Nikolli luante rolin kyç, organizonte çdo detaj të veprës penale

Ishin shndërruar në makthin e udhëtarëve kosovarë të rrugës së Kombit, gjykata i dënon me nga 10 vjet burgim secilin. Nga ana e togave të zeza dy të rinjtë Ardit Maxhuni dhe Anton Nikolli janë shpallur fajtor për veprën penale të vjedhjes me armë dhe armëmbajtjes pa leje. Ngjarja për të cilën akuzohen dy të pandehurit 22-vjeçar ka ndodhur në fillim të muajit Gusht 2013. Nga hetimi i Prokurorisë së Lezhës është zbuluar “mekanizmi” i vjedhjes me armë. Sipas të dhënave, rezulton se dy të akuzuarit dilnin në rrugë dhe vinin pengesa, kryesisht gurë të mëdhenj dhe drurë të ndryshëm, me qëllim që automjetet të pengoheshin duke ngadalësuar shpejtësinë. Pasi ndalonin për shkak të pengesave, të dy të pandehurit afroheshin tek automjeti dhe nën kërcënimin e armës ju vidhnin sendet personale dhe vlerat monetare. Ndërkohë që ky proces gjyqësor përfundoi, nga ana e Prokurorisë Lezhë po vijojnë hetimet për përfshirjen e mundshme të këtyre shtetasve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në raste të tjera vjedhjeje me armë në këtë zonë. Pasi, në gushtin e vitit 2013, shtetas të ndryshëm nga Kosova denoncuan vjedhjen me armë në “Rrugën e Kombit”, gjatë udhëtimit të tyre drejt destinacioneve turistike shqiptare.

 

Kallëzimi

Më datë 03.08.2013,rreth orës 02:30 minuta, është njoftuar Drejtoria e Policisë Qarkut Lezhë, në lidhje me faktin se në aksin rrugor Kalimash-Rrëshen, janë grabitur me armë zjarri shtetasit kosovar O.Cakiqi dhe F.Ahmeti, të cilët kanë qenë duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Shkodrës me automjetin me targa të Kosovës. Pas njoftimit të marrë, grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pas kryerjes së veprimeve të para hetimore ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të njërit prej autorëve konkretisht, shtetasit Ardit Maxhuni. Ndërsa bashkëpuntori i tij, konkretisht shtetasi Anton Nikolli, ka mundur të largohet për shkak të njohjes së terrenit nga ana e tij, pasi ai është banor i zonës ku ka ndodhur grabitja me armë. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore është bërë e mundur dhe sekustrimi me cilësinë e provës materiale i të gjitha sendeve të vjedhura nga shtetasit Ardit Maxhuniu dhe Anton Nikolli, si dhe sekuestrimi i armës tip kallashnikov, me të cilën është realizuar grabitja.

 

Hetimet

Nga kryerja e veprimeve hetimore në vijimësi ka rezultuar se shtetasi Ardit Maxhuni është me banim në fshatin Shënkoll-Lezhë dhe njohja me shtetasin Anton Nikolli është bërë disa muaj para se të kryhej vepra penale. Njohja midis tyre është bërë në fshatin Shenkoll, pasi shtetasi Anton Nikolli vinte shpesh tek të afërmit e tij që banonin në Shënkoll. Ndërkohë shtetasi Anton Nikolli, rezulton të jetë me banim në fshatin Gurth-Spaç-Mirditë, fshat i cili është afër zonës ku ka ndodhur grabitja. I pyetur në lidhje me ngjarjen shtetasi Ardit Maxhuni ka shpjeguar me hollësi mënyrën se si ai bashkë me shtetasin Anton Nikolli, kanë realizuar veprat penale. Në shpjegimet e tij ai ka sqaruar se është pikërisht shtetasi Anton Nikolli, i cili i ka propozuar që të kryenin grabitje në autostradë, është po ky shtetas që ka siguruar armën si dhe ka vendosur për zonat ku do dilnin dhe do të grabisnin. Në lidhje me ngjarjen e dt.03.08.2013, shtetasi Ardit Maxhuni ka shpjeguar me hollësi realizimin e grabitjes, duke filluar që me nisjen nga Lezha, vendin ku ata kanë fjetur një natë dhe veprimet konkrete që kanë ndërmarrë për realizimin e grabitjes. Gjithashtu shtetasi Ardit Maxhuni ka shpjeguar dhe faktin se shtetasi Anton Nikolli i kishte thënë se ka kryer dhe disa grabitje të tjera më parë në këtë ask rrugor, por me bashkëpuntorë të tjerë. Përsa i përket rolit që ka pasur secili nga të dyshuarit në kryerjen e veprës penale, nga hetimi rezultoi se personi kryesor që është marrë me organizimin, gjetjen e mjeteve dhe organizimin e lëvizjes deri tek ekzekutimi i veprës penale është shtetasi Anton Nikolli, ndërsa shtetasi Ardit Maxhuni ka pasur rolin e bashkëpunëtorit në kryerjen e veprave penale.

 

Mekanizmi

Të pandehurit Ardit Maxhuni dhe Anton Nikolli, në bashkpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale “Vjedhja me armë në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga nenet 140-25 dhe 278/4 të K.Penal, më konkretisht ata pasi kanë bërë një plan paraprak, kanë rrugëtuar nga fshati Shënkoll ne drejtim të Kalimashit me një mejt tip fugon dhe pasi kanë mbërritur në zonën e Rrepsit kanë zbritur dhe kanë pritur sa të errësohej. Pasi është errësuar rreth orës 00:30 dhe në vijimësi kanë marrë armën tip kallshnikov, të cilën e kishte siguruar dhe fshehur afër vendit të ngjarjes shtetasi Anton Nikolli dhe ju kanë zënë pritë automjeteve që vinin nga Kosova në drejtim të Tiranës. Për të realizuar grabitjen të pandehurit dilnin në rrugë dhe vinin pengesa kryesisht gurë të mëdhenj dhe drurë të ndryshëm me qëllim që automjetet tek pengoheshin, duke ngadalësuar shpejtësinë. Pasi ndalonin për shkak të pengesave, të dy të pandehurit afroheshin tek automjeti dhe nën kërcënimin e armës ju vidhnin sendet personale dhe vlerat monetare. Mekanizmi i kryerjes së veprës penale është shpjeguar me hollësi nga i pandehuri Ardit Maxhuni, si dhe nga provat e sekuestruara për llogari të këtij procedimi, duke filluar nga provat materiale, si dhe arma me të cilën është realizuar grabitja e shtetasve O.Cakiqi dhe F.Ahmeti. Faktet e mësiperme u provuan si nga provat shkresore të administruara, si dhe nga deklarimet e marra në fazën e hetimeve paraprake dhe të administruara nga gjykata për shkak të llojit të gjykimit, të cilat rezultojnë në sinkron të plotë me njëra-tjetrën.

 

Share it :