NEGOCIATAT E FSHEHTA/ Munguan në Kuvend, Balla takon deputetët e PS-së

Florenc Drizari

Kuvendi-i-ri-2_4_5“Burime thonë se kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka kontaktuar me deputetët, ndërkohë që nënkryetari i grupit, Taulant Balla, është parë duke zhvilluar një takim në një nga lokalet e kryeqytetit me deputetin Tom Doshi”

Një ditë pas mungesës së 5 deputetëve të PS-së në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku do të votoheshin disa projektligje me shumicë të cilësuar votash, drejtues të Partisë Socialiste kanë nisur kontaktet me deputetët. Në seancën e së enjtes munguan deputetët Tom Doshi, Armando Prenga, Pjerin Ndreu, Parid Cara, Mark Frroku dhe Vangjel Dule, ndërsa ky i fundit ishtë në një takim zyrtar në Greqi.

Burime nga grupi parlamentar i PS-së thanë se deputetët që nuk ishin prezent do të jetë në pranishëm në seancën e ardhshme plenare, seancë në të cilën pritet të votohen ligje që kërkojnë 3/5 e votave, siç është reforma administrativo-territoriale, ligji për KLD-së dhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Të njëjtat burime theksojnë se kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka nisur konktaktet me deputetët e PS-së, ndërkohë nënkryetari i grupit Taulant Balla, është parë në takim me Deputetin Tom Doshi në një nga lokalet e kryeqytetit. Mësohet se deputeti Balla ka marrë konfirmimin se kolegët e tij do të jenë të pranishëm në seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, seancë e cila konsiderohet shumë e rëndësishme për mazhorancën për shkak se më 31 korrik, janë lënë për tu miratuar ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar votash.

Ndërkaq, dy ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë shtyu për votim javën e ardhshme miratimin e projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, ndërsa mazhoranca në seancën kishte të pranishme 79 deputetë, nga 85 që ka në tërësi. Mungesa e 6 deputetëve të mazhorancës si Dule, Doshi, Cara, Prenga,Frroku dhe Ndreu, bënë që kryetari i Kuvendit, Ilir Meta të tërhiqnte nga axhenda ligjet me 3/5 e votave.

“Lidhur me çështjen tjetër për disa shtesa në “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar. si dhe për projektligjin “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, shtyhen për miratim në seancën pasardhëse”, -tha të enjten kryeparlamentari Meta. Ndërkaq, në reagimet e tyre publike deputetët e majtë rrëzuan pretendimet se mungesën e tyre në seancë e bënë për shkak të mosmarrëveshjeve me Kryeministrin Edi Rama. Ndërkaq, në ditët e fundit disa nga deputetët që munguan të enjten, kanë mbajtur qëndrime kritike për disa projektligje të mazhorancës, përfshirë këtu reformën administrativo-territoriale, të kritikuar nga deputeti Cara, projektligjin për policinë të kritikuar nga deputeti Tom Doshi si dhe paketën për ligjet e ushtrisë dhe policisë nga deputeti Pjerin Ndreu. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Ndreu tha se në qëndrimet e tij nuk kishte asnjë hakmarrje politike ndaj Kryeministrit Rama dhe forcës politike që ai drejton.

 

Mungesa në Kuvend, Pjerin Ndreu: Nuk e kam vënë në dyshim mbështetjen për Ramën

Deputeti socialist Pjerin Ndreu sqaron arsyet e mungesës së tij në seancën e kaluar të Kuvendit, duke theksuar se asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim mbështetjen për kryeministrin Rama dhe kështu do të bëjë deri në fund të mandatit të tij.  “Nuk e kam vënë në dyshim mbështetjen për Edi Ramën. Kam preferuar si pak kush t’ia them gjërat në sy. Nuk kam shantazhuar dhe nuk i kam vënë kushte askujt. Kam kërkuar vëmendje për zonën time elektorale. Nuk më ndalon njeri të ulëras për zonën time. Unë respektoj, nuk bëhem ushtar i verbër i askujt.”-deklaroi Ndreu.

 

Kuvendi zhvillon seanca dëgjimore me 5 kandidatët për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil

Kuvendi i Shqipërisë organizoi dje një seancë dëgjimore me 5 nga 6 kandidatët e vetofruar zyrtarisht për vendin vakant të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Seanca u drejtua nga Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla ku morën pjesë deputetë të Kuvendit. Kandidatët të cilët u paraqitën në këtë seancë ishin Roland Përmeti (me profesion jurist, avokat), Saimir Mani (me profesion ekonomist-financë), Fatmir Tafaj (me profesion ekonomist dhe jurist), Arbana Basha (me profesion juriste) dhe Genc Tafaj (me profesion agronom dhe jurist), ndërkohë që kandidati Ardian Myslimaj nuk u paraqit. Gjatë dëgjesës së çdo kandidati, u shpalosen idetë dhe vizionet e tyre lidhur me implementimin e ligjit të ri 152/2013 për nëpunësin civil dhe reformën në administratën publike, sfidat që ka Komisioneri për Shërbimin Civil për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së shërbimit civil në të gjitha organet e administratës publike që përcakton ligji për shërbimin civil.

Share it :