Gëzim Saliu
“Mazhoranca “harroi” qarqet, ndarja ndëshkim për 1.3 milionë shqiptarë, banorë të komunave. Si fshihen nga harta e Shqipërisë zonat me potencialin më të madh turistik”
Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaron se varianti i miratuar nga qeveria për ndarjen e re territoriale është antikushtetues, diskriminues dhe ndëshkues për qytetarët. Në një reagim analizues të të gjithë skemës së re, deputeti demokrat deklaron se harta është ndërtuar vetëm mbi kriterin elektoral dhe, sipas tij, ajo përbën një pazar banal, ku Rama-Meta kanë ndarë Shqipërinë si plaçkën e tyre. “Ndarja e re territoriale Rama-Meta është harta e tyre elektorale, është antikushtetuese, diskriminuese dhe ndëshkon qytetarët! Cilido që i hedh një sy hartës Rama-Meta të ndarjes se territorit konstaton se është shkelur çdo kriter gjeografik, demografik, ekonomik e kulturor dhe se ajo është e ndërtuar vetëm mbi kriterin elektoral dhe diskriminimin krahinor, një pazar banal ku Rama-Meta kanë ndarë Shqipërinë si plaçkën e tyre elektorale”, – shkruante Berisha në rrjetin social “FB”.
Analiza
Për ish-kreun e qeverisë shqiptare, në hartën e re vihen re diskriminime të mëdha me disa qytete të vendit, duke veçuar Tiranën, Fierin dhe Shkodrën. “Tiranës i është bashkëngjitur Shëngjergji me fshatra mbi 40 km larg saj apo Zall-Herri që është përtej Paskuqanit, por jo Paskuqani “i mallkuar” nga qeveria, i cili është vazhdim i saj dhe që pak vite më parë ka qenë pjesë e saj. Po kështu, qarku i Beratit me 8 deputetë është lënë me 5 bashki, kurse Fieri me 16 deputetë është lënë vetëm me 6 bashki. Kulmi i diskriminimit arrin me qarkun e Tiranës, i cili ka 32 deputetë dhe 1/3 e popullsisë së vendit dhe është lënë vetëm me 4 bashki, pra ka 3 bashki më pak se qarku i Gjirokastrës dhe 1 bashki më pak se qarku i Beratit apo rreth 5 herë më pak se qarqet Vlorë, Berat, Gjirokastër, që së bashku sjellin në Parlament gjithsej 25 deputetë dhe që janë shpërblyer me 19 bashki”, – theksoi Berisha. Më tej, ai bëri të ditur se qarku i Gjirokastrës me 5 deputetë ka 7 bashki, nga të cilat vetëm njëra është e fshatrave minoritare. “Kurse jetimja Shkodër, që është me 11 deputetë, ka gjithsej 5 bashki. Theksoj këtu se vetëm Velipoja vitin e kaluar ka pasur të regjistruar si biznese 91 hotele, ekzakt sa Saranda. Po kështu, dhe po për qëllime elektorale, janë fshirë nga harta Rama-Meta Kashari dhe Paskuqani, që në censusin e fundit renditen përkatësisht në vendin e 8-të dhe të 10-të si njësitë e qeverisjes vendore me të mëdha në numër banorësh të vendit”, – deklaroi deputeti demokrat. Në këtë kontekst, Berisha pohoi se harta e re territoriale është thjesht ndarje elektorale apo harta e zonës së parë operative, e cila shpërblehet në këtë ndarje me 19 bashki apo me rreth 1/3 e bashkive të vendit. “Ndarja e re territoriale zhduk nga harta 320 komuna dhe është një dhunim flagrant i Kushtetutës të Shqipërisë, e cila në interesin më të mirë të qytetarëve ua garanton komunën si njësi të qeverisjes vendore. Ndarja Rama-Meta bazohet në parimin absurd të largimit sa më shumë të qeverisë vendore nga qytetari. Kjo ndarje është ndëshkim i rëndë i më shumë se 1.3 milionë shqiptarëve banorë të komunave, të cilët do të duhen të bëjnë sipas rastit dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë, madje deri në 40 e 70 km për të arritur në qendrën e tyre administrative”. Po ashtu, ish-kryeministri nënvizoi në reagimin e tij se ndarja e re territoriale është një goditje e rënë për potencialin turistik të Shqipërisë, pasi, sipas Berishës, ajo fshin nga harta njësitë vendore, si: Velipoja, Shëngjini, Golemi, Spilleja, Semani, Orikumi, Lukova dhe Ksamili. “Ndarja elektorale Rama-Meta “harroi” qarqet, duke faktuar kështu se është thjesht një ndarje elektorale. Si përfundim, kjo është harta elektorale e Edvin Ramës, Ilir Metës, harta e shpërblimit të zonës së parë operative dhe e ndëshkimit të Tiranës, Fierit, Shkodrës dhe zonave të tjera të vendit. Kjo hartë është antikushtetuese, antiqytetare dhe antikombëtare”, – përmbylli komentin e tij ish-kreu i qeverisë shqiptare, deputeti demokrat Sali Berisha.
“Territorialja” ngre shqetësime në Athinë/ Venizelos, Bushatit: Ndryshohen entitetet lokale në minoritet. Shqipëria: Çështje e brendshme
Sot pret Dulen në Athinë. Zv.kryeministri grek: Të zgjidhim çështjet e vjetra, pa shtuar të reja
Reforma administrative-territoriale, ku harta e re pas miratimit në qeveria u miratua dje përfundimisht edhe në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, ka qenë objekti i bisedës telefonike mes zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati. Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Jashtme e Greqisë, kjo bisedë ka pasur në fokus ristrukturimin e vazhdueshëm administrativ të Shqipërisë, i cili ndryshon entitetet lokale administrative në rajonet me rëndësi të veçantë për pakicat kombëtare greke. Biseda e djeshme është në vazhdim të një letre që Venizelos i ka dërguar Bushatit më 10 qershor krahas shumë negociatave diplomatike për këtë çështje. Venizelos ka theksuar se sa kritike dhe e ndjeshme është kjo çështje dhe tashmë lind nevoja për të ecur përpara me zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura midis dy vendeve, pa shtuar çështje të reja. Venizelos, bën të ditur më tej ministria greke, ka vënë në dukje gjithashtu për këto çështje duhet të ndiqen praktikat evropiane, veçanërisht tani që Shqipëria, që ka fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ka obligime shtesë. Ndërkaq ditën e sotme, ministri i jashtëm grek do të presë në Athinë zv.kryetarin e Kuvendit dhe kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, ku në qendër të bisedës mes tyre pritet të jetë pikërisht ndarja e re administrative-territoriale e vendit.
Reagimi
Ndërkohë, mësohet se ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shqetësimit të homologut grek Venizelos i është përgjigjur duke pohuar se reforma është një çështje e brendshme, e cila është zhvilluar sipas parimeve evropiane. “Kjo është një çështje e brendshme, është një reformë e rëndësishme dhe e nevojshme, që është diskutuar gjatë në Kuvendin e Shqipërisë dhe është trajtuar nga një komision i posaçëm parlamentar”, – ka theksuar kryediplomati shqiptar. Më tej, ai theksoi se reforma administrative-territoriale ka si synim kryesor rritjen e funksionalitetit të njësive vendore dhe rritjen e kapaciteteve dhe burimet e tyre financiare, “në interesin e të gjithë qytetarëve, në respekt të parimeve dhe standardeve evropiane”.




