Mazhoranca rrëzon dekretin e Nishanit, qeveria  tërhiqet nga shkrirja e Gardës së Republikës

 Florenc Drizari

komision _sigurie_11.3.14Spartak Braho: Garda do të ndryshojë vetëm emrin, por nuk do të shkrihet

Komisioni për Sigurinë Kombëtare rrëzoi në mbledhjen e djeshme dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit “Autoritetet dhe pushtetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Anëtarët e Komisionit argumentuan se shpjegimet e Presidentit Nishani nuk qëndrojnë, pasi ligji nuk i prek kompetencat kushtetuese të kreut të shtetit. Fillimisht ishte deputeti socialist Piro Lutaj, i cili pasi shpjegoi se përse argumentet e kreut të shtetit nuk bindin, ftoi kolegët e tij të votojnë kundër dekretit: “Dekreti i Presidentit nuk është bindës dhe nuk përmban asnjë arsye ligjore dhe kushtetuese për të rishqyrtuar parlamenti ligjin 64/2014 ‘Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë’, pasi nuk është cenuar asnjë dispozitë apo kompetencë e Presidentit të Republikës në ligjin e ri. Për këtë arsye ju ftoj ta rrëzojmë dekretin e Presidentit”, – tha Lutaj. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, tha se dekretet e fundit të Presidentit “vetëm era ligj nuk bien”.

“Mbështes argumentimin e bërë nga z. Lutaj dhe ky dekret i Presidentit të Republikës nuk sjell asnjë risi, madje vazhdon të jetë në vazhdën e atyre dekreteve që nuk vijnë edhe formalisht era ligj, era argumente. Janë dekrete të arsyetuara thjesht nga një qëllim që ai i ka vënë vetes”, – theksoi Braho.

Pak ditë më parë, kreu i shtetit argumentoi se ky ligj përveçse kufizon ndjeshëm kompetencat e Presidentit si Komandant i FA, nuk parashikon shprehimisht detyrimin e Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes që të jenë përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e FA në kohë paqeje. “Për sa më sipër, ndryshimet ligjore që sjell ky ligj, nuk janë aspak të justifikuara dhe shkelin parimin e sigurisë juridike në një shtet demokratik”, – ka thënë Presidenti Bujar Nishani.

 

Garda e Republikës

 Mazhoranca duket se është tërhequr nga nisma e saj ligjore për shkrirjen e Gardës së Republikës. Një ditë më parë kryetari i Komisioni të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, deklaroi për mediat se pas negociatave të fundit me qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama, është arritur një konsensus që Garda të ndryshojë emër, por të mbajë të njëjtat funksione për ruajtjen e personaliteteve të veçantë dhe objekteve specifike.

“Ligji ka pësuar shumë rregullime të dobishme. Ka ndryshuar në masë të konsiderueshme, por gjithmonë me miratimin e ministrit të Brendshëm apo të Ministrisë. Garda do të ndryshojë vetëm emrin, por nuk do të shkrihet. Do të jetë një strukturë që do të kryejë po këto funksione që kryen sot si, ruajtjen e autoriteteve kryesore dhe objektet e rëndësisë së veçantë brenda strukturës së Policisë së Shtetit”, – deklaroi Spartak Braho. I pyetur në lidhje me Byronë Kombëtare të Hetimit, çështje e cila ka ngritur debate edhe mes radhëve të vetë mazhorancës, Braho tha se ligji është përmirësuar edhe në këtë drejtim. Qëndrimi i kreut të Komisionit të Sigurisë Kombëtare vjen një ditë pas mbledhjes që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me disa deputetë të këtij komisioni dhe përfaqësuesve të Komisionit të Ligjeve. Tema e diskutimeve në këtë takim, edhe pse informal për mediat, mësohet të ketë qenë pikërisht çështja e ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe se çfarë do të bëhet me Gardën e Republikës.

 

Dekreti i Presidentit/ Nishani: Ja arsyet e kthimit të ligjit

 Në analizë të detajuar të dispozitave të këtij ligji vërejmë: Së pari, parashikimet e nenit 12 pika d dhe dh të ligjit nr. 64/2014 nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes mund të rezervojnë të drejtën e propozimit të strukturës së FA apo planit të përhapjes së tyre por kurrsesi nuk mund të ushtrojnë kompetenca tej atyre që parashikon Kushtetuta.

Së dyti, kufizimi i kompetencave të Presidentit të Republikës lidhur me emërimet, lirimet e ushtarakëve me grada madhore (gjeneralët) nuk është i justifikuar…

Së fundmi, ky ligj përveçse kufizon ndjeshëm kompetencat e Presidentit si Komandant i FA, nuk parashikon shprehimisht detyrimin e Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes që të jenë përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e FA në kohë paqeje. Për sa më sipër, ndryshimet ligjore që sjell ky ligj, nuk janë aspak të justifikuara dhe shkelin parimin e sigurisë juridike në një shtet demokratik.

 

Debate tek Ligjet për vrasjen e Santos, Tom Doshi: Polici, pa radio

 Deputetët e mazhorancës iu rikthyen sërish debateve për vrasjen e biznesmenit Artan Santo dhe se kush duhet të mbajë përgjegjësitë. Në mbledhjen e djeshme të Komisionin e Ligjeve, deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi, ka kritikuar ashpër sërish funksionimin e policisë në vrasjen e ndodhur disa javë më parë në zonën e ish-bllokut në Tiranë. “Rasti i Artan Santos, polici nuk kishte radio. Punonjësi i policisë nuk ka bërë asgjë. Çfarë përgjegjësie ka policia, kur nuk ka radio?”, – ka deklaruar Doshi. “Jemi të ndërgjegjshëm se kemi mangësi”, – është shprehur përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme, Bilbil Mema. Por debati ka vazhduar pasi deputeti Doshi ka këmbëngulur se përgjegjësi e kujt është që punonjësi i policisë nuk kishte radio. “Përgjegjësi e kujt është që nuk kishte radio? Përgjegjësi e kujt është që nuk u ngritën postblloqet? Nuk ka makina dhe nuk ka benzine. U kam dhënë lekë për benzinë policëve”, – deklaroi Doshi. Ai theksoi se më i përgatitur është polici privat se ai i shtetit. Deputeti Doshi ka vazhduar kritikat ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit. Ai është shprehur se po arrestohen njerëz sipas qejfit të ministrit. “Kanë mbajtur në polici për 24 orë, njerëz për teka të Tahirit”, – është shprehur Tom Doshi. Dy ditë më parë deputeti socialist kritikoi emërimet e fundit në Policinë e Shtetit, duke thënë se “është mbushur me tepelenas”.

 

Mungesat në komisione/ Debate me dyer të mbyllura tek Siguria, Braho: Uruam ditëlindjen e një anëtari

Pas mbledhjes së djeshme të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, ku u rrëzua dekreti i kreut të shtetit për ligjin e FA-së, kreu i këtij komisioni, Spartak Braho, zhvilloi një mbledhje me dyer të mbyllura për mediat. Aktiviteti zgjati për rreth 10 minuta, ndërkohë që disa deputetë socialistë, si Pjerin Ndreu, Arben Çuko dhe Paulin Stërkaj, dolën para përfundimit të saj. I pyetur nga gazeta “Standard” se çfarë u diskutua në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, kreu i Komisionit të Sigurisë dha këtë përgjigje: “Diskutuam që një anëtar i komisionit ka ditëlindjen dhe ia uruam atij”. Ndërkohë, burime nga Kuvendi theksojnë takimi i djeshëm pati debate të forta për e mungesës së deputetëve në mbledhjet e këtij Komisioni. Në disa mbledhje të fundit janë vërejtur miratime ligjesh pa kuorum, ndërkohë që kjo çështje është ngritur si shqetësim edhe nga Kryeministri Rama në mbledhjet e grupit parlamentar socialist.

 

 

Share it :