Anxhela Tato
Denoncimi i të afërmve: Bajrami kishte 30 mijë dhe Xhemali 20 mijë lekë, nuk i gjetëm në rroba
Ceremonia mortore, përcillen për në banesën e fundit viktimat, autori do të prehet pranë 4 familjarëve
Familjarët e 5 viktimave të krimit makabër të ndodhur para dy ditësh në fshatin Suk të Fierit akuzojnë policin se ka vjedhur lekët e xhepit të Bajram dhe Xhemal Vrapit. Ditën e ceremonisë mortore, familjarët tregojnë se në teshat e viktimave nuk janë gjetur më lekët, një shumë prej rreth 500 mijë lekësh të vjetra. Kjo deklaratë është dhënë nga djali i Bajram Vrapit, i sapokthyer nga Greqia. Ai ka thënë se babai i tij ka pasur 300 mijë lekë të vjetra në xhep, ndërsa xhaxhai Xhemali vetëm 200 mijë lekë. Sipas tij, lekët nuk ndodheshin më në teshat e kthyera nga policia, pas ekspertizës dhe procedurave hetimore. “Xhaxhai dhe babai kanë pasur lekë në xhep, por janë zhdukur. Dyshojmë që i kanë vjedhur policët, pasi kur na janë kthyer rrobat, lekët nuk ndodheshin më aty”, – shprehet njëri nga të afërmit. Ndërkohë që i jepet lamtumira e fundit familjes Vrapi, ku bashkë me ta do të prehet edhe arkivoli i autorit të krimit. Familjarë, të afërm miq dhe banorë të zonës kanë përcjellë në banesën e fundit, pesë viktimat e tragjedisë së fshatit, Suk të Fierit. Varri i 73-vjeçarit Bajram Vrapi, i cili dy ditë më parë ekzekutoi 2 vëllezërit, kunatën, mbesën 17-vjeçare dhe me pas vrau veten, do të prehet pranë të afërmeve të tij që u mori jetën. Organizimi i një ceremonie të përbashkët varrimi, ishte vendimi që u mor nga pjesëtarët e tjerë të familjes Vrapi, dy ditë pas ngjarjes së rëndë. Banorët e fshatit e dënojnë ashpër veprimin e autorit të krimit, teksa shtojnë se motivi kësaj tragjedie është fakti se 73-vjeçari nuk është pyetur për fejesën e mbesës tij. Për banorët kjo familje, pavarësisht kësaj tragjedie ishte ndër më të respektuarat në fshat.
Krimi
Krimi i rëndë shënuar në orët e para të mëngjesit të së hënës, kur familja e Xhemal Vrapit po përgatitej për të festuar fejesën e vajzës. Gratë ishin zhvendosur në kuzhinë duke nisur nga gatimet për drekën që do të zhvillohej. Por harmonia në familje nuk ka zgjatur shumë, deri në momentin kur kanë nisur debatet mes Xhemalit dhe vëllait të tij të madh Bajramit, i cili vijonte të kundërshtonte fejesën e mbesës. Në debat e sipër Bajram Vrapi ka vrarë me armë gjahu (çifte) mbesën e tij minorene, dy vëllezërit e tij, kunatën dhe pas këtij akti tragjik, i ka dhënë fund edhe jetës së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit të së martës, në fshatin Suk 2 të Komunës Strum të Fierit. Duhej të ishte ditë gëzimi në familjen e Xhemal Vrapit të fshatin Suk 2 të Komunës Strumë në Fier, pasi fejonte vajzën Merushe që në dhjetor mbushte 18 vjeçe. Por, është kthyer në ditë morti, pasi Bajrami, 73 vjeç, i ka shkuar në banesë vëllait që fejonte vajzën dhe ka vrarë Xhemalin 69-vjeçar, mbesën e tij Merushen, të ëmën e vajzës që ishte dhe bashkëshortja e Xhemalit, Dritën 43 vjeçe, si edhe vëllanë tjetër, Besimin, 60 vjeç, i cili kishte edhe vetë një vajzë në moshën e Merushes, dhe që kishte ndërhyrë për të shmangur gjakderdhjen në banesën e Xhemalit. Bajrami në të njëjtën kohë është nisur drejt banesës tij me qëllim për të ekzekutuar bashkëshorten, Afërdita Vrapi, 56 vjeçe, të cilën nuk e ka gjetur në banesë. Kjo e fundit pak momente pas krimit shprehet e shokuar për ngjarjen e rëndë, teksa ngurron të ndalet tek arsyet. Pas krimit, Bajrami është larguar në drejtim të një are me misër, ku i rrethuar nga policia, ka vrarë veten me të njëjtën çifte gjahu që kishte vrarë 4 pjesëtarët e tjerë të familjes.
Mbledhja/ KLD emëron 4 kryetarë gjykatash dhe 3 gjyqtarë për te Krimet e Rënda
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vijoi dje mbledhjen e radhës, duke mos pranuar propozimet e ministrit dhe duke proceduar me ato që kishte vendosur më parë në rend dite. Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, KLD e nisi mbledhjen me shqyrtimin e kandidaturave për emërimin e kryetarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore, Lushnjë, Tropojë, Fier dhe Korçë. Para zhvillimit të seancave dëgjimore me kandidatët, Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, dha një mesazh të fortë në mbështetje të kryetarëve të gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apeleve në vendin tonë. Në këtë linjë Presidenti Nishani tha: “KLD duhet të jetë mbështetje për kryetarin e Gjykatës, roli i të cilit është deciziv për mbarëvajtjen e punëve në Gjykatë. Por nga ana tjetër kryetari i Gjykatës duhet të jetë i kujdesshëm më administrimin e Gjykatës. kryetari i Gjykatës duhet t’i japë prioritet eksesit të publikut, për ta sjellë Gjykatën sa më afër qytetarëve”. Më pas, pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit me shumicë votash zgjodhën në detyrën e Kryetarit të gjykatës znj. Esmeralda Çeka si kryetare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; z. Artan Hajredinaj si kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë; z. Roland Jaupaj si kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier dhe z. Admir Belishta si kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës këto kandidatura; znj. Irena Gjoka (Maneku), aktualisht gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Fier, renditur e para me 140 pikë, sipas sistemit të pikëzimit – gjyqtare në gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Z. Gurali Brahimllari, aktualisht gjyqtar në gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, renditur i dyti me137 pikë, sipas sistemit të pikëzimit – gjyqtar në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Zj. Nertina Kosova, aktualisht gjyqtare në gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, renditur e treta me 132 pikë, sipas sistemit të pikëzimit – gjyqtar në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.
Vrasja/ Ekzekutimi i Andi Peqinit, pranga autorit të dyshuar
Arrestohet nga policia një person i dyshuar si autor i vrasjes së 27-vjeçarit Andi Peqini, mbrëmjen e së martës në Kavajë. Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi Elidon Avdyli, i cili dyshohet se ka qëlluar me automatik ndaj të riut Peqini, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë, Elidon Avdyli rezulton person me precedentë penalë, pasi është dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Momentalisht nuk dihen ende shkaqet e vrasjes, ndërsa ekspertët e policisë pritet të zbardhin krimin. 27-vjeçari nga Kavaja Andi Peqini u ekzekutua mbrëmjen e së martës, një muaj pas kthimit nga Italia. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:45 pranë një pike karburanti në hyrje të Kavajës, në prani të dhjetëra dëshmitarëve. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti në pak minuta policia, ndërsa u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të zbardhur atentatin. Dëshmitarët tregojnë se gjithçka ka ndodhur në pak sekonda dhe persona të paidentifikuar që lëviznin me një makinë “BMW X5” me targa italiane qëlluan me breshëri në drejtim të 27-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Mësohet se Andi Peqini, i cili mbeti viktimë si pasojë e breshërisë së plumbave që u derdhën mbi makinën e tij, është person i skeduar nga policia për vepra të ndryshme kriminale. Gjatë viteve të fundit viktima jetonte mes Italisë dhe Shqipërisë, ku dyshohet të jetë përfshirë në grupe kriminale në shtetin italian, kryesisht në trafikun e drogës.
Shkodër/ Gjendet i mbytur një person në lumin Bunë
Një person është gjetur i mbytur në lumin Bunë ditën e djeshme. Trupi i pajetë ende nuk është identifikuar, ndërkohë që policia është nisur drejt vendit të ngjarjes. Ndërkohë, vetëm katër ditë më parë një tjetër trup i pajetë u gjet në ujërat e lumit Bunë. Kufoma i përkiste një gruaje. Nga ekspertiza rezultoi që nuk kishte shenja dhunë në trupin e pajetë ndaj mendohet që gruaja të jetë mbytur.
Itali/ Qëlloi me thikë 3 shqiptarë se nuk paguan qiranë, pranga italianit
Mund të kishte përfunduar në një tragjedi, por fatmirësisht falë ndërhyrjes së policisë italiane gjithçka u neutralizua. Tre shqiptarë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sulmi me thikë nga italiani Alessandro Di Chiazza. Shqiptarët e plagosur sipas policisë italiane janë Bashkim Lloti 42 vjeç, i cili është në gjendje të rëndë, bashkëshortja e tij Raimonda Lloti, si dhe i vëllai Afrim Lloti. Shtetasi italian, pronar i apartamentit, ka qëlluar me thikë shqiptarët në një zënke që nisi, pasi ata nuk i kishin paguar qiranë e apartamentit. Sipas policisë italiani me një thikë kuzhine ka goditur fillimisht dy herë në gjoks Bashkim Llotin e më pas të vëllain dhe bashkëshorten. Pas ndërhyrjes së policisë është arrestuar shtetasi italiani Alessandro Di Chiazza, dhe mbi të rëndon akuza e vrasjes e mbetur në tentativë.
Skrapar/ Sekuestrohen 470 rrënjë kanabis, shoqërohen disa persona
470 rrënjë kanabis janë asgjësuar nga policia në fshatin Vërzhezhë në Skrapar. Policia bën me dije se bima narkotike arrinte lartësinë 2 metra. Burime nga policia bëjnë me dije se janë shoqëruar disa persona si të dyshuar për kultivimin e lëndës narkotike.




