PD: Nuk kemi shëndetësi falas, situata, kaotike në spitale
Premtimi elektoral i qershorit 2013 është kthyer në një akuzë të Kryeministrit Edi Rama ndaj drejtuesve të institucioneve të shëndetësisë. “Nuk është një halucinacion ideologjik elektoral, por një premtim që do ta mbajmë në kohën e nevojshme për këtë revolucion, pasi kemi një sistem të ngritur mbi siguracione që nuk funksionojnë”, – u tha Rama drejtuesve të institucioneve kryesore të shëndetësisë. Kryeministri theksoi se ajo që është bërë deri tani, është e pamjaftueshme. Këto deklarata Kryeministri i bëri gjatë analizës të 300 ditëve të para të Ministrisë së Shëndetësisë.
Akuza mjekëve
Në 300 ditët e para të qeverisjes, shëndetësia, sipas ministrit Ilir Beqaj, ka pësuar ndryshime rrënjësore. Por përveçse kanë renditur disa nga arritjet, si ministri dhe Kryeministri kanë “kërcënuar” mjekët që abuzojnë me recetat. “Tani është në dorën tuaj për t’u provuar shqiptarëve që nuk ka nevojë të japësh para në dorë për të marrë kujdesin shëndetësor që kanë nevojë. Gjëja më e rëndë që ka ndodhur në këto 20 vite është thyerja e besimit”, – tha ministri. “Do të mbështeten me fonde, – tha Beqaj, – ato spitale që do të zhdukin ryshfetin nën dorë ndaj mjekëve”. “Fushata antikorrupsion që do të nisë në vjeshtë do të ketë në zemrën e vet luftën kundër korrupsionit në spitale. Toleranca do të jetë zero dhe do të goditen të gjithë: nga drejtori deri tek i fundit në shërbimin spitalor. Është e patolerueshme që në të gjitha arteriet e shërbimit shëndetësor të Shqipërisë pluskon llumi i korrupsionit”, – u shpreh Kryeministri Edi Rama. Më tej, Kryeministri e cilësoi sistemin shëndetësor si të korruptuar dhe klientelist. “Jemi përballë një sfide që jemi shumë të vendosur ta fitojmë dhe do ta fitojmë pa parë askënd në sy. Sfidën me një sistem që e ka korrupsionin dhe klientelizmin patologji. Ende sot, një numër i madh njerëzish në nevojë mbeten viktima të recetave qëllimisht më të shtrenjta dhe të adresave të imponuara të farmacive nga mjekë që janë sot përpara një zgjedhjeje shumë të qartë: ose heqin dorë nga kjo praktikë, ose do të largohen nga shërbimi”, – theksoi Rama.
PD
Për Partinë Demokratike, 300 ditët e para të qeverisë përkeqësuan shëndetësinë shqiptare. Deputetja Albana Vokshi tha se ende nuk kemi një shëndetësi falas, siç u premtua, por, sipas saj, në vend është përkeqësuar çdo shërbim. Sipas opozitës, shqiptarët sot paguajnë dhe vuajnë më shumë në dyert e spitaleve. “Sot nuk kemi shëndetësi falas, por kemi propagandë falas. Kemi shëndetësi të përkeqësuar në çdo drejtim, në çdo shërbim. Biografia e ilaçeve caktohet nga ministri mbi bazë tarafesh dhe interesash. Emërimet në mjekësi kalojnë nëpër zarfe. Sot, drejtorë spitalesh janë bërë mjekë të dënuar më parë për krime apo shpërdorime në detyrë. Sot, farmacitë e kushërinjve kanë mbirë kudo nëpër dyert e spitaleve. Sot, qytetarët e vendit paguajnë shumë më shumë, por edhe vuajnë akoma më shumë nëpër dyert e spitaleve. Kjo pra është e vërteta e shëndetësisë së rilindasit Edi Rama”, – u shpreh deputetja Albana Vokshi.





