Rritja me 240-480 lekë/ Hyn në fuqi rritja e pensioneve, ja sa do të përfitohet pas datës 1 gusht

1245Pensioni minimal në qytet do të jetë 14 417 lekë

Rritja reale vetëm me 0.4%. Qeveria nuk i heq kompensimet edhe për 2014-ën

 Është botuar ditën e djeshme në “Fletoren zyrtare” vendimi për rritjen e pensioneve. Vendimi parashikon rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë, duke filluar që nga invalidët, pensionistët dhe përfituesit e tjerë të skemës së sigurimeve shoqërore. Rritje përfitojnë edhe pensionet, që caktohen nga data 1 gusht 2014 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të jetë 31 korrik 2014. “Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, që kanë datë fillimi nga 1.8.2014 e në vazhdim në qytet, nuk do të jenë më pak se 14 417 lekë në muaj dhe jo më shumë se 24 528 lekë në muaj. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, me datë fillimi nga 1. 8.2014 e në vazhdim në fshat, nuk caktohen më pak se 8 398 lekë në muaj, por jo më shumë 12 264 lekë në muaj (kompensimit nuk janë të përfshira)”, – thuhet në vendimin e botuar në “Fletoren zyrtare”. “Kompensimin për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave, do ta marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione me datë fillimi 1.8.2014 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave të jetë: deri në 13 914 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë dhe pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi,deri në 13 414 lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare, deri në 9 088 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare. Pas datës 1.7.2014 të ardhurat minimale të personave që përfitojnë pensionet e plota të pleqërisë dhe pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe kompensime vetjake, nuk mund të jenë më të ulëta se 14 414 lekë në muaj. Të personave që përfitojnë nga pensionet e caktuara si dhe kompensime për çmimin e energjisë elektrike e për të ardhurat, nuk mund të jenë më të ulëta se 9 288 lekë në muaj dhe as më të larta se 12 464 lekë në muaj. Kompensimin e çmimeve, sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në vendimet e Këshillit të Ministrave “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”, do ta marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione me datë fillimi nga 1.8.2014 e në vazhdim”, – përcakton vendimi i qeverisë.

 

Rritja reale

Pavarësisht se qeveria thotë që pensionet janë rritur me 2%, rritja reale është vetëm 0.4%. Kjo, për shkak se rritja e indeksit për 2014-ën është 1.6. Ligji shqiptarë e detyron çdo qeveri që të rritë pensionet dhe përfitimet aq sa është dhe rritja e indeksit të çmimeve. Pra, 1.6% qeveria ishte e detyruar për ti rritur pensionin dhe nga kjo del se rritja që ka bërë qeveria është vetëm 1.4%.

 

Kategoritë

Rritja prej 2% do të bëhet për të gjitha kategoritë e mëposhtme. Rriten me 2%: Pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara,pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit, pensionet familjare, pensionet për ish-ushtarakët, pensionet për pilotët fluturues në pension, pensionet për ushtarakët e nëndetëseve, pensionet për punonjësit e policisë, pensionet për punonjësit e nëntokës, minierës, pensionet e posaçme shtetërore, invalidët e luftës kundër pushtuesve nazifashistë, veteranët e luftës, punonjësit e industrisë ushtarake, skema e dëshmoreve, personat që gëzojnë tituj shkencorë, punonjësit e shtetit, pensionet për gardën e republikës, shërbimit informativ të shtetit, policisë së burgjeve, policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit, punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm, pensioneve suplementare të punonjësve të universiteteve të shkollave të larta, qendrës së studimeve albanologjike, akademisë së shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë të cilat kanë tituj shkencorë.

 

Në dy komisionet/ Skema e re, nuk preken pensionet aktuale, ndryshon leja e lindjes

 Petrit Vasili kundër ndryshimeve për barrëlindjen

Ekspertët e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, të cilët kanë hartuar ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore, vazhdojnë të prezantojnë skemën pranë komisioneve përkatëse. Në Komisionin e Ekonomisë, Ali Emini, ekspert i ISSH-së, u shpreh se të gjitha ndryshimet që janë propozuar për sistemin e sigurimit shoqëror të detyrueshëm në Republikën e Shqipërisë, nuk prekin të drejtat e fituara. “E para, në nenin 88 thuhet “që të drejtat e fituara me ligjin 7703, ligjin e vitit 1996, ligjin për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore” nuk janë objekt i ndonjë ndryshimi përveç indeksimit sipas VKM-së”, domethënë nuk preket asnjë e drejtë.

E dyta, në formulën e pensionit të llogaritur, të përcaktuar në këto dispozita, është pasur parasysh në mënyrë eksplicite që “pensioni minimal” që krahasimisht mund të përdoret me ligjin e mëparshëm që të mos ketë ulje, por edhe me ligjin e ri të ketë një shkëputje që do të jetë graduale dhe që do të vijë për shkak të derdhjes së kontributeve në periudhat në vazhdim. E njëjta gjë ndodh edhe me pensionin maksimal. Kështu që ne mendojmë edhe në kuptimin e barrëlindjeve, edhe barrëlindjet që janë të llogaritura me ligjin e mëparshëm, këto janë të drejta të fituara që do të paguhen deri në shuarjen e tyre, të drejta afatshkurtra që mbyllen brenda një viti, kurse të drejtat e reja që fillojnë e ndryshojnë thelbësisht, që nga ajo periudha e sigurimit që më përpara merrej deri në 12 muaj”, – u shpreh Ali Emini.

 

Komisioni i Ligjeve

Në Komisionin e Ligjeve ishte ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ai që paraqiti skemën e re të pensioneve. “Kjo skemë aktuale që kemi sot po jep përfitime shumë të ulëta për disa kategori dhe ç’është më e rëndësishmja përfitimet do të vazhdojnë të ulen edhe më shumë në rast se kjo skemë nuk reformohet. Së dyti skema aktuale që kemi karakterizohet nga element theksuar padrejtësie”, – u shpreh ministri Veliaj. Deputetët në parim janë shprehur pro ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Mirëqenies Sociale, ndonëse kanë dhënë dhe sugjerimet e tyre. Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, është shprehur kundër ministrit Veliaj, për sa u përket ditëve të pushimit për barrëlindjen, por edhe pagesave të kësaj periudhe. “Kam dëgjuar në mënyrë të vazhdueshme, edhe në raportin e ministrit, edhe në media, çështjen e të paguarit më pak të grave. Ky është një problem shumë kritik, delikat dhe serioz”, – tha Vasili. “Duke qenë se e kanë të gjitha vendet e BE-së që leja e detyrueshme të jetë 63 ditë dhe pastaj sigurisht viti tjetër është me një pagesë më të reduktuar ashtu siç ka qenë. Thjesht kemi rritur këtë standard meqenëse ka qenë një kërkesë konstante e ILO”, – u shpreh Veliaj. “Kjo leje është e pamjaftueshme për këtë kontekst social që ne kemi, këtë nivel varfërie që kemi, i cili sigurisht do të kërkojë kohën e tij të reduktohet, sepse nuk mund të jetë i barabartë dhe i njëjtë me evropianët. Kështu që, unë kam një sugjerim dashamirës për të parë mundësinë e rritjes së tij”, – theksoi Vasili.

 

Barrëlindja, debatet në Komisionin e Ekonomisë

 Erjon Braçe: Çdo grua që është në periudhën e shtatzënisë deri në fund të vitit, në bazë të cilës formulë i merr përfitimet? Është shtatzënë në gusht të këtij viti.

Ali Emini: Ajo që është shtatzënë në fund të këtij viti, por edhe që i bie të përfitojë në vitin 2015 do të marrë përfitime sipas ligjit të ri.

Erjon Brace: D.m.th. ju thoni që formula ekzistuese të zbatohet vetëm për ato gra që hyjnë në periudhën ligjore të përfitimit brenda këtij viti?

Ali Emini: Ka tri gjëra, më lejoni ta shpjegoj. Çështja e parë ishte kjo se në ligjin e mëparshëm thuhet se e drejta për të marrë lindje është vetëm kur ka 12 muaj sigurime dhe përjashtohej rasti nëse kishte lindur një shtatzëni e re brenda 12 muaj nga përfitimi i shtatzënisë së parë. Ka pasur 15-20% të grave që nuk përfitonin këtë të drejtë vetëm për këtë gjë. Pastaj është kujdesi i fëmijëve për bashkëshortët dhe këtu duhet të kemi parasysh se papunësia në gra është më e lartë se burrat…

Erjon Braçe: Zoti Ali, nuk pyetëm për këtë gjë, as për burrat që marrin leje lindje dhe as për gratë që brenda 12 muajve hyjnë në një shtatzëni të dytë, pyetëm për këtë: Krijohet ndonjë shqetësim në lidhje me të drejtat e fituara deri në 31.12.2014, derisa të hyjë në fuqi ky ligj.

Ali Emini: Me të drejtat e fituara nuk krijohet dhe do vazhdojnë të paguhen kështu siç janë paguar deri në 31.12 edhe gjatë vitit të ardhshëm.

 

 

Share it :