Tekniku deklaroi se e gjithë përgjegjësia për disfatën e të kaltërve ishte e tija, pasi dështoi skema taktike, ndërsa flet edhe për Balotelin
Italia kaloi një botëror për t’u harruar në Brazil. E nisi me një ndeshje shumë të mirë ndaj Anglisë, ndërsa ndaj Kosta Rikës dhe Uruguait ishin dy sfida për t’u harruar. Disfata e botërorit të dytë rresht, çka solli edhe dorëheqjen e teknikut Prandeli. Ai deklaroi se një pjesë e mirë e gabimeve kishin qenë prej zgjidhjeve të tij. Ai gjithashtu shtoi se një ndër gabimet kryesore ishte zgjedhja e Mario Balotelit në formacion të parë për ndeshjen e Uruguait, kur mund të kishte zgjedhur një mënyrë tjetër për të mos dëmtuar lojën. Ndërsa pas kombëtares tashmë tekniku italian është në aventurën e tij të re në Turqi me Gallatasarajin. Ish-trajneri i Italisë bën edhe psikologun, kur pyetet për lojtarin problematik, ndonëse në përgjithësi flet me nota pozitive për Super-Marion. “Është vërtet një djalë i mirë, por që jeton në një dimension tjetër. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë asgjë. Është vetëm 24 vjeç dhe ka ende mundësinë që të mësojë nga eksperiencat që ka përjetuar”. I sapoemëruar te Gallatasaraji, Prandeli nuk pranoi ta ndante me askënd përgjegjësinë për dështimin e të kaltërve në Brazil, ku u larguan që në fazën e grupeve. “Projekti që kishim nuk funksionoi. Duhet t’i shkaktonim probleme Kosta Rikës me strategjinë tonë, por nuk ia dolëm dot. Përgjegjësia ishte e stafit teknik, i cili dështoi. Pra, ishte faji im dhe pikë”. Për Prandelin, problematika në kombëtare nis që në nivelin e klubeve italiane, duke i akuzuar ato si egoiste, që mendojnë vetëm për interesat vetjake. “Kur Gjermania ishte në vështirësi, pyetjes se cila skuadër ishte më e rëndësishmja iu përgjigjën kombëtarja dhe jo Bajerni apo Dortmundi. Edhe në Itali, ekipi më i rëndësishëm nuk është Juventusi, Roma, Interi apo Milani, por përfaqësuesja. Shpesh u jam drejtuar klubeve italiane me thirrjen që të investojnë më shumë te të rinjtë, ndërkohë që skuadrat vazhdojnë të jenë të mbushura me futbollistë të huaj”. Tekniku i Gallatasarajit kujtoi se në Serinë A vetëm 38% e futbollistëve janë italianë dhe konkretisht, theksoi Prandeli, te Juventusi 6 nga 11 titullarë janë lojtarë të huaj. Një Itali, e cila duhet të ketë një format të ri të kombëtares dhe që duhet të fokusohet më shumë të moshat. Mbipopullimi me amerikano-latinë apo dhe ballkanas ia ka bërë të pamundur Italisë të nxjerrë një produkt cilësor nga fidanishtet dhe efektet janë vënë re në këto dy botërorët e fundit. Tashmë pritet që të zgjidhet edhe tekniku i ri që do të drejtojë kombëtaren. Favorit mendohet që është Konte, duke e lidhur me dorëheqjen e tij të menjëhershme nga Juventusi. Një lëvizje kjo që mund t’u sjellë të kaltërve një trajner, i cili është shumë i talentuar dhe që mund të ndryshojë fytyrën e skuadrës për Evropianin e 2016-ës.
Kros: Nuk desha të largohesha nga Bajerni
Gjermani pas prezantimit si galaktik ka folur për transferimin, duke u shprehur se nuk ka qenë dëshira e tij për t’u larguar nga Bajerni. Sipas 24-vjeçarit, kontaktet me kampionët e Evropës nisën atëherë kur bisedimet me bavarezët për rinovimin e kontratës nuk po ecnin përpara. “Nisa të mendoja për largimin nga Bajerni vetëm atëherë kur nuk po gjenim gjuhën e përbashkët për zgjatjen e bashkëpunimit. Bajerni ka qenë gjithmonë prioriteti im, madje unë as e çoja në mendje largimin. Vendosa të largohesha për një sfidë të re, atëherë kur nuk kishte më hapësira për një marrëveshje të re”. Kros ruan përshtypjet më të mira për eksperiencën që kaloi në Bavari, edhe pse drejtuesit e Bajernit nuk pranuar t’ia rrisnin pagën. “Nuk u largova nga Bajerni, sepse nuk ndihesha i vlerësuar. Unë kam luajtur për një klub të madh dhe kam qenë titullar me trajnerë të ndryshëm. Bajerni gjithmonë më ka qëndruar pranë, ndërsa Guardiola dhe Sameri kanë qenë shumë të rëndësishëm për mua”. Megjithatë, një emër i madh si i Realit të Madridit nuk mund të refuzohet lehtë. “Reali është një sfidë e madhe për mua. E gjithë bota e njeh këtë skuadër. Gjatë prezantimit tim ishin të pranishëm mijëra tifozë, ndërsa Florentino Perez u detyrua të ndërpriste disa herë fjalën për shkak të brohoritjeve. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur”, – deklaroi fantazisti gjerman.
Xherard jep dorëheqjen nga kombëtarja
Legjenda e Liverpulit, Stiven Xherard, largohet nga kombëtarja angleze në moshën 34-vjeçare pas 114 paraqitjesh me “tre luanët”. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ish-kapiteni i kombëtares, i cili iu ka komunikuar të gjithë tifozëve anglezë vendimin e tij. “Është e dhimbshme për mua ta di se nuk do ta vesh më fanellën e kombëtares angleze. Mbetem në dispozicion të Federatës për ta dhënë ndihmën time në forma të tjera. I falënderoj mbi të gjitha familjarët dhe miqtë e mi, më pas çdokënd që ka bërë pjesë në karrierën time me përfaqësuesen. E falënderoj trajnerin Hoxhson që ma dha shiritin e kapitenit menjëherë si erdhi në Kombëtare”, – deklaroi mesfushori.
Rodrigez prezantohet sot te Reali i Madridit
Ylli kolumbian Xhejms Rodrigez do të prezantohet si lojtar i Realit të Madridit ditën e nesërme në “Santiago Bernabeu”. Kampioni i Evropës ka arritur marrëveshje me Monakon për transferimin e kolumbianit, ndërsa gjatë ditës së hënë i ka finalizuar kushtet personale me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij. E marta është caktuar si dita në të cilën 23-vjeçari do t’u prezantohet tifozëve dhe medias. Tashmë thuhet se ka filluar ndërtimi i një skene speciale në stadium për ceremoninë e prezantimit të futbollistit të ri. Reali do të paguajë 88 milionë euro për shërbimet e Xhejmsit. Ndërkohë, “Los Blancos” shpresojnë që të sigurojnë edhe nënshkrimin e Radamel Falkaos.
Negredo dëmtohet, disa muaj larg fushës
Lajme të këqija për Alvaro Negredon. Spanjolli ka njoftuar se ka pësuar një frakturë në këmbë dhe nuk mund të luajë për disa muaj. 28-vjeçari u lëndua në ndeshjen miqësore kundër Hearts të premten dhe tashmë do të mungojë në xhirot e para të Premier Ligës. “Dua t’ju njoftoj se do ta kem të vështirë në disa muajt e ardhshëm. E kam thyer ashtin e pestë metatarsal dhe nuk mund të luaj për disa muaj. Do të kthehem më i fortë se kurrë”, – ka shkruar spanjolli në rrjetin social. Negredo është lidhur me një kthim në La Liga gjatë kësaj vere, mirëpo ai deklaroi se dëshiron të qëndrojë te kampionët e Sitit.




