Gëzim Saliu
Reforma në drejtësi, OSBE: Për të qenë tërësore, nuk duhet ndryshuar vetëm ligji për KLD-në
OSBE shprehet kundër propozimeve të mazhorancës qeverisëse për disa ndryshime në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në një letër drejtuar Komisionit të Ligjeve, ku analizon draftin e hartuar, OSBE e konsideron masë shumë të ashpër dhe kërcënuese për funksionimin e KLD-së amendamentin e disa deputetëve të majtë që në rast procedimi penal ndaj një gjyqtari, Këshilli i Drejtësisë ta pezullojë atë nga detyra. “Mendojmë se pezullimi automatikisht i gjyqtarit vetëm për shkak të regjistrimit të një procedimi penal është masë shumë e ashpër dhe nëse abuzohet me të mund të kërcënojë funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti por edhe të gjyqësorit në përgjithësi. Mendojmë se është më e udhës që legjislatori të dallojë në dy lloje pezullimi; në një pezullim automatik që mund të jetë masa e duhur kur gjyqtari i është nënshtruar një mase sigurie shtrënguese për të cilën Këshilli i Lartë i Drejtësisë është shprehur dakord sipas pikës 1 dhe në rastet kur procedimi penal është regjistruar për një krim të kryer me dashje. Nga ana tjetër sugjerohet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të vendosë, rast pas rasti, kur procedimi penal është regjistruar për një kundërvajtje penale apo për një krim të kryer nga pakujdesia”, thuhej në letër. Në këtë kontekst, OSBE këshillon se një formulim i mundshëm i pikës b) të nenit 5 të projektligjit mund të jetë që gjyqtari të pezullohet nga detyra në të gjitha rastet kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë është shprehur dakord për vendosjen e një mase shtrënguese sipas pikës 1 të këtij neni si dhe kur ndaj tij është regjistruar një procedim penal për një krim të kryer me dashje. “2)Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin e gjyqtarit kur ndaj tij është regjistruar një procedim penal për një krim të kryer nga pakujdesia apo një kundërvajtje penale. 3) Pezullimi zgjat deri në marrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Në rastet kur fajësia nuk provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, gjyqtari ka të drejtë të kthehet në punën e tij të mëparshme dhe të marrë pagën e plotë që nga koha e pezullimit”.
Letra
Në krye të letrës, Prezenca e OSBE-së renditi disa komente mbi projektligjin “Për organizimin e funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, ku vlerësohet se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe kërkon një qasje serioze dhe të gjithanshme, duke përfshirë në konsultime të gjithë aktorët e interesuar. “Ne mendojmë se ligji për organizimin dhe funksionimin e KLD-së nuk është i vetmi ligj që duhet të ndryshohet dhe se ndryshimet e propozuara ndoshta nuk janë të vetmet që duhet të propozohen apo miratohen, në lidhje me këtë ligj, për kryerjen e një reforme tërësore të sistemit të drejtësisë, me qëllim rritjen e pavarësisë, paanshmërisë dhe efiçencës së sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe do të ishte e preferueshme që projektligji në shqyrtim të ishte pjesë e një pakete ligjesh të hartuara për këtë qëllim”, theksoi OSBE. Sa i përket nenit 3 të projektligjit, OSBE mendon se shfuqizimi i pikës 2 krijon një boshllëk në vendimmarrjen e Këshilli të Lartë të Drejtësisë duke bërë të panevojshme edhe veprimtarinë e komisionit të verifikimit të mandateve. Një formulim i mundshëm i pikës 2 të këtij neni të projektligjit, mund të jetë: “Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë çmon se zgjedhja apo qëndrimi në detyrë i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk janë në përputhje me ligjin, me vendim të arsyetuar i përcjell qëndrimin e tij, sipas rastit, Konferencës Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”. Nga ana tjetër, Prezenca në rekomandimin e saj ka vlerësuar ndryshimet e paraqitura për Shkollën e Magjistraturës.
Dy kundërshtitë kryesore në letrën e OSBE
1-Pezullimi automatikisht i gjyqtarit vetëm për shkak të regjistrimit të një procedimi penal është masë shumë e ashpër dhe nëse abuzohet me të mund të kërcënojë funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti por edhe të gjyqësorit në përgjithësi
2-Ne mendojmë se ligji për organizimin dhe funksionimin e KLD-së nuk është i vetmi ligj që duhet të ndryshohet dhe se ndryshimet e propozuara ndoshta nuk janë të vetmet që duhet të propozohen apo miratohen, në lidhje me këtë ligj, për kryerjen e një reforme tërësore të sistemit të drejtësisë, me qëllim rritjen e pavarësisë, paanshmërisë dhe efiçencës së sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe do të ishte e preferueshme që projektligji në shqyrtim të ishte pjesë e një pakete ligjesh të hartuara për këtë qëllim
KLD: Projektligji zvogëlon kompetencat
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kundërshtuar ashpër pak ditë më parë projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë “për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”. Në letrën që Këshilli i ka dërguar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj dhe ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, thuhej ndër të tjera se,: “ky projektligj nuk sjell asnjë të re në punën e KLD-së, por synon realisht zvogëlimin e kompetencave të tij”. Po ashtu KLD thekson se projektligji ka probleme të mëdha kushtetuese e nuk reflekton rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë. “Për mendimin tonë, në shkelje të të gjitha parimeve kushtetuese po i hiqet sovraniteti këtij Këshilli, po cenohet siguria juridike dhe po minohet sistemi gjyqësor”, theksohej në letër.
Qëndrimi i OSBE-së/ Halimi: Prezenca qëndroi në anën e parimeve dhe standardeve
Ish-ministri i Drejtësisë, deputeti demokrat reagoi dje lidhur me letrën e Prezencës për reformën në drejtësi , ku tha se OSBE edhe këtë herë qëndroi në anën e parimeve dhe standardeve. “Falënderoj OSBE si një partner i hershëm i reformave të mëdha në vend dhe asaj të drejtësisë në veçanti, që edhe këtë herë qëndroi në anën e parimeve dhe standardeve europiane të funksionimit te shtetit ligjor dhe një demokracie funksionale ne Shqipëri. Jam i bindur se jo vetëm OSBE por dhe partneret e tjerë do jenë në krah të parimeve europiane dhe kundër kapjes politike te drejtësisë”, shkruante Halimi në FB. Më tej, ligjvënësi demokrat tha se nuk ka asnjë dyshim se sistemi gjyqësor duhet të reformuar, duke rritur përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe luftuar korrupsionin, por kjo duhet bërë sipas tij duke ruajtur pavarësinë e sistemit, jo nga ligji, por nga ekzekutivi. “Kjo reformë duhet bërë në dialog me partnerët, me aktorët, por edhe në bashkëpunim me opozitën në mënyre që t’i shërbejë interesave të qytetareve për një gjyqësor të pakorruptuar por dhe të pavarur por dhe t’i rezistoje kohës në mënyrë që mazhoranca e nesërme ta njohë dhe të vijojë më tej me këtë proces, që as ka nisur sot dhe as do përfundoje nesër”, pohoi Halimi.





