Bombat me celular/ Gjykata lë në burg tre ushtarakët profesionistë, zbulohet si ranë në kurthin e policisë  

Sonila Mesareja

minat Prokuroria: Alban Donaj u kap në momentin që do të dorëzohej bomba me celular për t’u shitur te agjenti i infiltruar, Gjinkola ndërmjetës, ndërsa Kola prodhues dhe montues

Në seanca të zhvilluara me dyer të mbyllura, Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg ushtarakët e arrestuar më 15 korrik nga policia e Durrësit dhe ajo e Lezhës, teksa në flagrancë ishin duke tregtuar shtatë bomba me celularë. Masa e sigurisë “Arrest me burg” për tre togerët është kërkuar nga prokurori i çështjes Përparim Kulluri, ndërsa ka qenë gjykatësi Fran Prendi që ka miratuar kërkesën e akuzës. Po ashtu, Prokuroria ka kërkuar edhe tabulatet e ushtarakëve të ndaluar. Sipas akuzës, tre togerët profesionistë që shërbenin në repartin ushtarak të Vaut të Dejës në Shkodër, Alban Donaj, Kleo Gjinkola dhe Fran Kola do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa ata akuzohen për “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” të kryer në bashkëpunim”. Grupi kriminal u zbulua pas hetimeve tre mujore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe infiltrimit të një agjenti policie, i cili mund të blinte tek tre ushtarët një bombë me vlerë 1800 euro. E pas kësaj blerjeje, agjenti infiltruar kishte porositur dhe shtatë të tjera, e kjo porosi kishte bërë që ushtarët të rrisnin çmimin në 2500 euro. Arrestimi i tyre u bë në flagrancë teksa agjenti infiltruar shkëmbente paratë me bombat e telekomanduara me ushtarakët, ndërsa në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 7 bombat si dhe telefonat celularë të togerëve. I vetmi që mban qëndrim mohues deri në këto momente është ushtaraku Fran Kola, ndërsa dy të tjerët kanë pranuar se kryen veprimtarinë e paligjshme, por kanë shpjeguar se kjo ishte hera e parë që shisnin, paçka se akuza pretendon se tre atentate të ndodhura kohët e fundit 2 në Tiranë e një në Durrës janë kryer me bombat e blera tek ky grup.

 

Hetimi

Sipas akuzës, personi nën hetim Kleo Gjinkola dyshohet se i siguronte lëndët eksplozive nga Mali i Zi dhe i trafikonte në drejtim të Shqipërisë, pasi më parë ka kontaktuar me persona të interesuar për blerjen e tyre. Nga shërbimet e Policisë Gjyqësore është siguruar një informacion se shtetasi Gjinkola priste një sasi lënde eksplozive prej 500 gramësh të llojit C4, e cila e montuar bashkë me një telefon celular kushton 2000 euro. Ndërsa një tjetër lënde eksplozive po e llojit C4, por me dy detonatorë, edhe kjo e lidhur me një aparat celulari, kushton 2500 euro. Sipas të dhënave, nga mënyra e përdorimit të këtyre eksplozivëve, Gjinkola ka dijeni se si mund të montohen minat me celular me magnet etj. Pas këtij informacioni të përftuar nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore, Prokuroria, me vendim të posaçëm, ka autorizuar kryerjen e veprimeve hetimore me metoda speciale, duke autorizuar gjithashtu edhe blerjen e një bombe të tillë të prodhuar nga të dyshuarit. Me datë 26.5.2014 është kryer edhe blerja e stimuluar e eksplozivit me shpërthim të komanduar me anë të aparatit celular, blerje e cila është kryer në qytetin e Lezhës, si vend i zgjedhur nga ana e shtetasve të dyshuarve.

 

Rolet

Këto bomba prodhoheshin nga të dyshuarit Alban Donaj, i cili kishte aftësi për aparatet telefonikë dhe i dyshuari Fran Kolaj, i cili siguronte lëndën plasëse dhe montimin e saj në aparatet telefonik, duke pasur njohuri mbi to. I dyshuari Kleo Gjinkola ka qenë ndërmjetës midis blerësit dhe shtetasve Alban Donaj dhe Fran Kolaj. Më datë 14.7.2014 pas kontaktimeve të kryera më parë, të dyshuarit do ti shisnin blerësit një sasi prej gjashtë copë eksploziv të montuar për shpërthim të komanduar me anë të aparateve të celularit. Shitja do të kryhej në vendin e quajtur Ishull-Lezhë si vend i sigurt për të dyshuarit. Rreth orës 17:30, në rrugën e Ishull-Lezhës ka shkuar i dyshuari Alban Donaj, i cili mbante një çantë shpine me ngjyrë të zezë. Aty ai do t’i dorëzonte blerësit bombat e porositura por në moment kanë ndërhyrë forcat e policisë duke e arrestuar atë në flagrancë. Pas kontrollit të çantës së tij, rezultoi se brenda saj ndodheshin gjashtë bomba me eksploziv. Mbi bazën e këtyre provave nga ana e policisë gjyqësore është bërë arrestimi në flagrancë i të dyshuarve Kleo Gjinkola, Alban Donaj dhe Fran Kolaj për veprën penale të “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” të kryer në bashkëpunim.

 

Masa/ Vodhi 200 mijë euro nga llogaritë e klientëve, burg punonjëses së bankës

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën “Arrest me burg” për një ish-punonjëse banke të nivelit të dytë në Tiranë, e cila dyshohet nga Prokuroria për vjedhjen e llogarive bankare të klientëve të ndryshëm, me një dëm rreth 200 mijë euro. Masa e sigurisë është ekzekutuar dje nga oficerët e Policisë së Shtetit. Sipas hetimit të Prokurorisë, shtetasja A. Aliaj, me detyrë specialiste krediti në filialin e një banke në Kamëz, nëpërmjet veprimeve të kundërligjshme, ka arritur të mashtrojë një numër të madh klientësh, duke u marrë atyre shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë bankare ose duke u hapur, pa dijeninë e shtetasve llogari kredie, të cilat më pas i tërhiqte vetë. Prokuroria e Tiranës e ka nisur hetimin, bazuar në kallëzimin e dorëzuar nga drejtuesit e bankës ku ushtronte funksionet shtetasja A. Aliaj, pas shqetësimeve që shumë klientë kishin paraqitur. Pas hetimeve paraprake, Prokuroria e akuzon shtetasen A. Aliaj për kryerjen e veprës penale tё “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre”. Ndërkohë, po vijon hetimi për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të tjerë, të cilët dyshohet se e kanë ndihmuar shtetasen nën hetim për të realizuar qëllimet e saj. Sipas akuzës, skema e përdorur prej personit në hetim Aliaj ishte ndarë në katër kategori. E para ishte çelje të kredive në formën e overdrafteve, në mungesë të dokumentacionit, pa kërkesë të titullarit të llogarisë (klientëve), e shoqëruar në shumë raste me tërheqje direkte të shumave nga vetë punonjësja A. Aliaj, si edhe bashkëpunëtorëve të saj jashtë bankës. E dyta, veprime abuzive me kartat e kreditit të përdorura realisht nga shtetasja nën hetim A. Aliaj, nëpërmjet bashkëpunimit me tregtarë të ndryshëm, me të cilët banka kishte marrëveshjeve për kryerjen e shitjeve nëpërmjet poseve (duke zbritur vlerën e komisionit të transaksionit). E treta ishte transferimi apo tërheqje nga llogaria rrjedhëse e klientëve pa kërkesë të paraqitur nga titullari i llogarisë. Dhe e katërta, dhënia e pamerituar e kredisë, në kundërshtim me rregulloren e bankës, ndaj subjekteve që nuk i përmbushin kushtet e përfitimit të kredisë, mbi burime jo reale të të ardhurave (vërtetime page të falsifikuara), e shoqëruar në disa raste edhe me përdorim të drejtpërdrejtë të shumave të kredisë nga shtetasja nën hetim A. Aliaj.

 

 

 

Share it :