Banda e Durrësit/ Gjykata e Lartë ndryshon vendimin për Lul Berishën, i heq burgimin përjetë

Sonila Mesareja

gjykata-e-Larte-300x224Vendimi, ngel në fuqi dënimi për pjesën tjetër të grupit. Rigjykim Plaurent Dervishajt, 25 vite burg Lul Berishës. Argumenti: Në vitet 1998-2000 nuk konceptohej organizata kriminale

 Gjykata e Lartë i ka hequr dje burgimin përjetë Lulzim Berishës, i cilësuar si një ndër krerët e Bandës së Durrësit, për të cilin dy gjykata kishin dhënë dënimin me burgim përjetë. Kolegji Penal i kësaj Gjykate e ka dënuar vetëm me 25 vite burg Berishën, ndërsa ka kthyer për rigjykim Plaurent Dervishajn, kunatin e kreut të njërit prej fraksioneve të Bandës së Durrësit. Ndërkohë, Kolegji ka lënë në fuqi vendimet për pjesën tjetër të bandës, përfshi këtu edhe dënimin për Endrit Doklen. Argumenti i përdorur nga anëtarët e Kolegjit Penal për këtë ndryshim vendimi është se në vitet për të cilat akuzohet Lul Berisha për krimet nuk ekzistonte koncepti i organizatës kriminale dhe për këtë arsye pas kaq vitesh për atë krim nuk mund të dënohet me burg përjetë në kuadër të organizatës kriminale, por duhet dënuar me ligjin e saj kohe. Për këtë arsye e dënuan vetëm me 25 vjet burg për vrasje. Në ato vite, vrasja me paramendim dënohej me maksimumi 25 vjet. Gjykata e Lartë vendosi gjithashtu rigjykimin e Plaurent Dervishajt, kunatit të Lul Berishës, i cili është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm. Vendimi për rigjykim, sipas Gjykatës së Lartë, bëhet për shkaqe procedurale. Ndërkaq, për të pandehurit e tjerë vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë nuk ndryshon. Edhe për të penduarin Adriatik Coli u vendos burgimi i përjetshëm, por për faktin se ka bashkëpunuar me drejtësinë, gjykata vendosi ta dënoi përfundimisht me 10 vite burg. Të pandehurit e tjerë të bandës janë dënuar me masa që variojnë nga 10 deri në 25 vite burg.

 

Vendimi

Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli i Krimeve të Rënda ka dënuar më 16 janar të dy ditëve më parë me 4 burgime të përjetshme katër nga anëtarët e Bandës së Durrësit, Lulzim Berishën, Endrit Doklen, Indrit Taullain dhe Plaurent Dervishajn. Krimet e Rënda gjatë verdiktit përfundimtar për 16 anëtarët e bandës kanë dënuar me nga 10 deri në 21 vite burg 12 prej tyre. Adriatik Coli, i penduari i drejtësisë i shpëtoi kërkesës për “Burg përjetë”, për shkak të kontributit që ka dhënë për zbardhjen e krimeve të kryera nga 1998-2005, nga ish miqtë e tij. Dhe për këtë arsye iu ul dënimi në 10 vite. Ndërkaq për 4 anëtarët e tjerë Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Selman Heti dhe Elvis Hoxhosmani gjykata ka vendosur 25 vjet burg. 20 vite burg ka dhënë gjykata për anëtarët e tjerë të bandës, ndërsa Spartak Kalthi është dënuar me 10 vjet burg, me arsyetimin se ka qenë i mitur në kohën që janë kryer krimet nga Banda e Durrësit. Të pandehurit e Bandës së Durrësit u akuzuan për të paktën 7 vrasje, 2 plagosje, mbajtjen peng të një dëshmitareje, si dhe disa atentate. Banda dyshohet të ketë vepruar që nga viti 1998 deri në 2005, në qytetin e Durrësit. Fillimisht vepronte si një e vetme, por për shkak të prishjes së pazareve u nda në dy fraksione. Hakmarrja e ashpër mes grupeve rivale shkaktoi dhjetëra viktima. Lulzim Berisha u arrestua në 2006 në Maqedoni.

 

Dënimet

Lulzim Berisha nga “Burg përjetë” dënohet 25 vite burg

Endrit Dokle “Burg përjetë”

Indrit Taullai “Burg përjetë”

Plaurent Dervishaj nga “Burg përjetë” kthehet për rigjykim

Dritan (Adriatik) Coli 10 vite burg (i penduar)

Kujtim Buna 25 vite burg

Sardian Sulejmani 25 vite burg

Altin Olloni 25 vite burg

Elvin Hoxhosmani 25 vite burg

Alban Neli 25 vite burg

Selman Heti 25 vite burg

Spartak Kalthi 25 vite burg

Altin Nikolla 20 vite burg

Kristian Begu 20 vite burg

Osman Karpuzi 21 vite burg

Ahmet Ajeti 21 vite burg

 

Krimet e Rënda/ Vrasja e Lamajt, më 23 korrik do të pyetet bashkëpunëtori i drejtësisë

Më 23 korrik pritet që në Gjykatën e Krimeve të Rënda të pyetet dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë A. Ndoka, prova më e fortë e akuzës kundër të pandehurit Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Fakti u bë i ditur dje në Gjykatë nga prokurorët e çështjes, por pa përcaktuar mënyrën sesi do të pyetet, do të vijë në sallë apo do të pyetet përmes video-konferencës. Pikërisht ardhja e këtij dëshmitari ka qenë sërish dje objekt i replikave të ndërsjella mes të pandehurit dhe prokurorëve, ku vetë Frroku ka kërkuar të sillet sa më parë për të dëshmuar A. Ndoka. Më pas, në seancë janë shfaqur sërish një sërë pamjesh filmike për itinerarin e Frrokut ditën e ngjarjes, ku ky i fundit pretendon se ka qenë duke udhëtuar drejt Greqisë në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Këto pamje pasojnë ato të shfaqura një javë më parë, ku dukej momenti i ekzekutimit të kryekomisarit, lëvizjet para dhe pas vrasjes të makinës tip “BMW”, si dhe një makinë e bardhë që ndodhej pranë vendit, e cila pretendohet nga akuza se është e biznesmenit Frroku. Gjithashtu, përmes këtyre pamjeve u tregua edhe vendi ku ka qenë dëshmitari i mbrojtur, i cili ka nxjerrë para hetuesve emrin e biznesmenit si i pranishëm në vendngjarje dhe si nga autorët e krimit.

 

 Mbledhja/ KLD shkarkon Shtjefën Lleshin, paralajmërim gjyqtarit Musta

Pas tri mbledhjesh të dështuara për procedimin e gjashtë gjyqtarëve, më në fund dje KLD është mbledhur për të vijuar me këto procedime të kërkuara nga ministri i Drejtësisë. Vendimi i parë ka qenë ai i pranimit të kërkesës për gjyqtarin e Pukës, Shtjefën Lleshi, duke e shkarkuar nga funksioni i gjyqtarit, për shkak të përfshirjes në një aferë ryshfeti të denoncuar publikisht në emisionin investigativ “Fiks Fare”. Shkarkimi i tij u bë unanimisht nga 14 anëtarët e këtij institucioni, të drejtuar nga kreu i Shtetit Bujar Nishani dhe në prani të ministrit të Drejtësisë Nasip Naço. Lleshi nuk ka qenë i pranishëm gjatë procedimit disiplinor ndaj tij në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ish-kryetari i Gjykatës së Pukës ndodhet në “Arrest shtëpie”, ndërsa ndodhet në gjykim për korrupsion në drejtësi. Po ashtu, është shqyrtuar edhe masa disiplinore për gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Bujar Musta, i cili mori “Vërejtje me paralajmërim” për përjashtim nga sistemi i drejtësisë. Ministri i Drejtësisë ka bërë kërkesën për nisjen e procedimit disiplinor edhe për gjyqtarin e Elbasanit Ilir Pashaj, Herila Çela në Gjykatën e Vlorës, Adelina Zarka në gjykatën e Fierit, dhe Bujar Krasniqi në Gjykatën e Tiranës.

 

Share it :