Përplasje tek Siguria/ Deputetët e PS-së dhe LSI-së kundër qeverisë për Gardën dhe Byronë

Florenc Drizari
kom,sigProjektligji për Byronë Kombëtare të Hetimit, Braho: Është mbarsur mali dhe ka pjellë një mi

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin “Për Policinë e Shtetit”, ndërsa shqyrtimi i draftit u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës. Socialistët dolën kundër disa neneve të këtij projektligji që kishin të bënin me mënyrën e funksionimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe shkrirjen e Gardës së Republikës. Më konkretisht deputetët e PS-së Arben Çuko, Paulin Stërkaj dhe deputetët e LSI-së Luan Rama dhe Spartak Braho shprehën rezerva lidhur me projektligjin për Policinë e Shtetit. Deputetët theksuan se Garda e Republikës është një institucion i specializuar për ruajtjen e personaliteteve të larta dhe se një mision të tillë nuk mund ta kryejë Policia e Shtetit. Debateve për dy çështjet e kundërshtuara në projektligjin e përgatitur nga Ministria e Brendshme, Braho iu përgjigj duke thënë: “Ka një opozitë me formulimet e ligjit, për dy pjesë, për pjesën e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që është një ide shumë e madhe e lançuar nga Kryeministri, por që mendimi i përgjithshëm edhe në Komisionin e Ligjeve edhe këtu është që është mbarsur mali ka pjellë një mi atje. Këtu janë një pjesë e mirë që kanë qenë kuadër, kanë drejtuar me dhjetëra vjet Gardën e Shtetit, përpara se të bëhej Saimiri jurist”. Kritika për këtë nismë pati edhe deputeti i LSI-së Luan Rama, i cili theksoi se misioni i Gardës së Republikës me atë të Policisë së Shtetit janë të ndryshme. “Të lë përshtypjen që në fazën e parë të përgatitjes së projektligjit, edhe ata që kanë punuar, nuk e kanë pasur idenë ose nuk e kanë pasur në mendje të flasin as për Byronë Kombëtare të Hetimit as për Gardën e Republikës, sepse tek shpjegimi i termave nuk ekzistojnë këto dy koncepte, që do të thotë se kanë dalë rrugës. Shërbimi i Policisë dhe shërbimi i Gardës së Republikës janë dy shërbime krejt të ndryshme, me misione të ndryshme, me struktura të ndryshme. Kur të vjen Presidenti amerikan në Shqipëri, stafi i sigurisë së tij nuk hyn në negociatë me Policinë e Shtetit. Sigurinë fizike të personaliteteve të larta shtetërore nuk e bën policia në asnjë vend të Bashkimit Evropian dhe në asnjë vend të NATOs. Më lejoni të shpjegoj se Policia e Shtetit sot është pa shkollë të lartë policie dhe merren policë me kurs”, – tha Rama. Ndërkaq, debate kundër neneve të projektligjit “Për Policinë e Shtetit” pati edhe nga dy deputetët socialistë Arben Çuko dhe Paulin Stërkaj, të dy ish-funksionarë të lartë të Gardës së Republikës dhe të Policisë së Shtetit. “Garda e Republikës është një strukturë me status të veçantë që ruan marrjen e shtetit. Duhet të dini që 95% e efektivit të Gardës së Republikës sot është me arsimim ushtarak dhe në bazë të këtij ligji që ne do të miratojmë ata dalin të gjithë në rrugë”, – tha Çuko, ndërsa deputeti Stërkaj u shpreh: “A ka mundësi të më tregoni se si do njësoni gradën e punonjësit të Gardës me gradën e punonjësit të Policisë. Nuk e mendoj se do të funksionojë ky kombinim. Garda ka tjetër përgjegjësi, Policia ka tjetër përgjegjësi. Rastet e fundit na kanë treguar që Policia nuk ka radio. Policia nuk ka informacion. Humbi ai zotëria që u vra në mes të Tiranës”. Nga ana e tij deputeti socialist Taulant Balla tha se mazhoranca e re ka një frymë të re të ruajtjes së personaliteteve dhe për këtë kërkoi nga deputetët që t’i diskutojnë nenet e këtij ligji me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. “Nuk mund të kemi 120 efektivë të Gardës që ruajnë Kryeministrin siç ndodhte me ruajtjen e ish-kryeministrit Berisha. Do të ketë një riorganizim të kësaj strukture”, – deklaroi Balla. Nga ana tjetër, dy deputetët socialistë, Pjerin Ndreu dhe Piro Lutaj, shprehën rezerva në projektligj për çështjen e gradave dhe kufizimin e rikthimit në punë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Në fund të diskutimeve, Komisioni i Sigurisë rrëzoi dekretin e Presidentit nr. 8620, datë 4.7.2014, “Për kthimin e ligjit 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

 

Debatet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare

Stërkaj: Përgjegjësitë e Gardës janë të ndryshme me ato të Policisë.
Braho: Shfuqizimi i ligjit për Gardën e Republikës nuk është as i saktë, as i plotë.
Stërkaj: Përveçse argument politik që të shkrihet Garda e Republikës, nuk po gjej asnjë argument ligjor.
Braho: Këtu ka oponencë për dy pjesë, Byroja e Hetimit dhe Garda… këtu ka kuadro që kanë kohë që kanë punuar para se Saimiri të bëhej jurist edhe ministër.
Stërkaj: Është një eksperiencë e mirë te Garda e Republikës. Mos u mundoni të cenoni një institucion të cilin as ju nuk po e dini ku e çoni.
Nuk mund ta mbyllim Gardën se ka hedh dikush një fjalë në treg. Ju keni për t’i hedhur efektivët e Gardës në rrugë. Vota ime do të jetë kundër që Garda të shkrihet në strukturën e Policisë.
Çuko: Nuk mund të bashkosh dot misionin e Gardës së Republikës me të Policisë. 90% e efektivëve të Gardës së Republikës me arsimim  ushtarak. Do t’i hidhnin efektivët e Gardës në rrugë.
Stërkaj: Nuk mund të bëhet gardisti polic. Unë mund të ndryshoj, po të dua. Vota ime kundër.
Balla: Mazhoranca e re ka një frymë të re të ruajtjes së personaliteteve. Nuk mund të kemi 120 efektivë të Gardës që ruajnë Kryeministrin siç ndodhte me ruajtjen e ish-kryeministrit Berisha. Do të ketë një riorganizim të kësaj strukture. Hajde të ulemi me ministrin dhe t’i sheshojmë këto moskoordinime dhe të bëjmë një ligj të pranueshëm.
Ndreu: Neni që parashikon që nëse nuk punon në polici, brenda dy vitesh të hiqet grada, është aspak ligjor. Nuk mund të heqësh gradën se shkëputesh nga puna. Ju sistemin e gradave e keni masakër. Ligji duhet të ritrajtojë nga fillimi të gjithë efektivët për gradën. Politika e ka bërë çorap policinë. Lazarati është rasti për t’u marrë shembull që vullneti politik u alternua me eksperiencën policore dhe solli atë rezultat të suksesshëm.
Braho: Ministri ka qenë i hapur për ndryshimet që do të propozohen. Ne do ta shikojmë ligjin hap pas hapi, nuk do nxitohemi. Kemi afat edhe 15 ditë për ligjin.
L. Rama: Kërkoj që ligji të mos hidhet në votim në parim derisa të ndahet nëse Garda do jetë më vete apo do shkrihet. Unë parimisht jam kundër shkrirjes s Gardës së Republikës.

 

Prezantohet projektligji në Kuvend, Tahiri: Një shtet, një polici

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri prezantoi dje Komisionin e Ligjeve projektligjin “Për Policinë e Shtetit”, duke theksuar rolin e ri që pritet t’u japë kjo nismë ligjore forcave të rendit në përballje me krimin dhe mbrojtjen e qytetarëve. Gjatë diskutimeve të projektligjit në parim, ministri i Brendshëm bëri vetëm prezantimin dhe pastaj u largua për shkak të anxhendës së takimeve që kishte, ndërkohë që deputetët e Komisionit vijuan me debate për nene të veçanta të këtij ligji. Në fjalën e tij ministri foli për parimin: “Një shtet, një polici”, që rregullon, hedh bazat ose hedh themelin për të rregulluar në mënyrë definitive anarkinë e kompetencave ndërmjet shumë policive dhe për të përqendruar kompetenca të ndjekjes penale edhe për këto vepra penale, funksionimin e përditshëm të Policisë së Shtetit; që do të thotë, me hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe me ndryshimet që duhet të bëhet më pas në një sërë ligjesh të tjera, të cilat ne i kemi parashikuar, çdo shkelje e kësaj natyre, si ndërtimet pa leje, krimet kundër mjedisit, duhet të trajtohen njëlloj si krimet e tjera dhe shkelësit duhet të vendosen para përgjegjësisë penale. Sepse para se të jenë shkelje administrative apo cenim i kompetencës së institucioneve të tjera administrative, janë më së pari vepra penale dhe duhen trajtuar si të tilla… Ligji i Policisë së Shtetit nuk mund të adresojë të gjithë aspektet e reformimit të drejtësisë penale, por e sigurt është që krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, kështu siç e kemi parashikuar në draftin e sjellë nga Ministria e Punëve të Brendshme, hedh një hap të rëndësishëm në kapacitetin e Policisë së Shtetit për t’iu përgjigjur sfidave për të luftuar me tolerancë “zero” krimin e organizuar dhe korrupsionin, veçanërisht korrupsionin elitar”, – deklaroi ministri i Brendshëm.

Share it :