Ervin Kaduku
– Pranohet në një raport nga Fondacioni Helenik për Politikën e Jashtme dhe Evropiane
Kriza kombëtare e borxhit të Athinës, jo vetëm që goditi Greqinë, por edhe dëmtoi shpresat e fqinjëve të saj ballkanikë për t’u pranuar në BE, referoi një raport nga Fondacioni Helenik për Politikën e Jashtme dhe Evropiane. Raporti i publikuar së fundmi ekzaminoi dy dekada të marrëdhënieve tregtare dhe të huaja midis Athinës dhe fqinjëve të Ballkanit dhe zbuloi se kriza ekonomike dhe recesioni i rëndë që goditën Greqinë që nga kriza e borxheve të vitit 2008, dëmtuan rëndë shanset e fqinjëve të saj për një aderim të shpejtë në BE, sipas shtypit të huaj.
Ndërsa kriza e ktheu Greqinë nga një prej historive më të suksesshme të BE-së në delen e saj të zezë, ajo i shtoi edhe një njollë tjetër diskreditimi rajonit si një i tërë, duke dëmtuar imazhin e tij. “Rajoni i Ballkanit, tashmë perceptohet me nivel të lartë korrupsioni dhe jostabilitet politik, me një transparencë të vakët qeveritare,gjyqësor aspak efektiv dhe me pak reforma të rëndësishme strukturore”, – tha Ritsa Panagiatou, bashkautore e raportit.
“Situata aspak e këndshme e Greqisë është përdorur nga skeptikët e zgjerimit për të përhapur perceptimin e të gjithë rajonit të Ballkanit si një zonë jo e besueshme korruptive dhe pa stabilitet, ku në fakt janë arritur shumë pak konvergjenca me kriteret e BE”, – shtoi ajo.
Raporti vë në dukje se rënia e regjimeve komuniste në Ballkan pas vitit 1989 ofroi mundësisë që Athina të bënte një hap përpara dhe të pretendonte rolin e saj si një udhëheqëse rajonale, si i vetmi vend në rajon me një demokraci të konsoliduar dhe anëtarësim në NATO dhe BE.
Pas shpërthimit të ekonomive të centralizuara të fqinjëve të saj, Greqia e pozicionoi veten në vitet 1990 si një partner kryesor tregtar dhe i investimeve për fqinjët e Ballkanit deri sa shpërtheu kriza e borxhit në vitin 2008. Deri në vitin 2008, bankat greke kishin krijuar një rrjet prej rreth 20 filialesh në rajon, duke punësuar më shumë se 23,000 njerëz, ndërsa zinin 30 për qind të sektorit bankar në Bullgari dhe Maqedoni, 25 për qind në Shqipëri dhe 17 për qind në Serbi dhe Rumani.
Investimet e Huaja Direkte greke në rajon arritën kulmin në vitin 2006 në 787 milionë euro.
Raporti vë në dukje se për shkak të përfshirjes dinamike ekonomike greke në rajon, kriza e borxhit preku rëndë ekonomitë e fqinjëve të saj në Ballkan, duke çuar në një rritje më të ngadaltë të PBB-së, papunësi dhe shtimin e borxhit të jashtëm.
Në frontin diplomatik, që nga mesi i viteve 1990, me një prani të fortë diplomatike në rajon, Athina e konstatoi veten si një kampion i shpresave të integrimit të Ballkanit në BE, një angazhim i cili arriti kulmin e tij gjatë Samitit të BE-së në vitin 2003 në Selanik.
Megjithatë, që nga shpërthimi i krizës në vitin 2008, ajo shfaqet më pak aktive për sa u përket aspekteve diplomatike në rajon, ndërkohë që politika e jashtme është zhvendosur drejt nocioneve të së kaluarës dhe ideve të gabuara.
Si rezultat, vë në dukje raporti, mosmarrëveshjet dypalëshe, si në çështjen e emrit me Maqedoninë, ashtu edhe mosmarrëveshjet për kufirin detar me Shqipërinë, kanë filluar të mbizotërojnë axhendën e politikës së jashtme. Për shkak të krizës, Panagiotou tha se aftësia e Athinës në zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj dhe në nxitjen e procesit të pranimit të tyre në BE është kufizuar. “Përmes periudhës së krizës, e cila është shumë më tepër se një krizë ekonomike, ajo është edhe një krizë e thellë politike, shoqërore dhe institucionale, Greqia është diskretituar dhe ka humbur shumë nga pushteti i saj në skenën ndërkombëtare”, – tha ajo.
“Megjithatë, përfundimi i Presidencës së BE-së e ka ndihmuar imazhin e vendit sado pak, duke treguar se pavarësisht krizës së thellë, vendi është në gjendje që dalëngadalë të nisë të kërkojë dhe të luajë një rol ndërkombëtar në rajon dhe ndoshta të riaktivizojë rolin e saj si një kampion i zgjerimit të Ballkanit”, – përfundoi Panagiotou.
Kryeqyteti britanik, destinacioni më i popullarizuar turistik
Raporti “Mastercard Global Cities” parashikon se Londra gjatë këtij viti do të vizitohet nga 18.7 milionë njerëz. Këto të dhëna tregojnë se Londra do ta lërë prapa edhe Bangkokun, i cili kryesonte në anketën e vitit 2013, madje për rreth 300.000 turistë
Gjatë dy viteve të fundit, Londra ka mirëpritur Lojërat Olimpike, festimet e Jubileut të diamante të mbretëreshës, si dhe “Tour de France” – ngjarjet që e kanë bërë atë të dukshme për syrin publik. Dhe, duket se pozita e Londrës si magnet për vizitorët ka të ngjarë që të vazhdojë, meqë kryeqyteti britanik është shpallur destinacioni më i popullarizuar turistik në botë.
Vlerësime sipas vizitave turistike
Sipas një studimi të ri, Londra ka të ngjarë që të joshë më shumë vizitues sesa ndonjë qytet tjetër në botë edhe gjatë vitit 2014, duke lënë nën hije kështu qytetet si Nju Jorku, Roma, Parisi, Pekini dhe Dubai.
Raporti “Mastercard Global Cities” parashikon se Londra gjatë këtij viti do të vizitohet nga 18.7 milionë njerëz. Këto të dhëna tregojnë se Londra do ta lërë prapa edhe Bangkokun, i cili kryesonte në anketën e vitit 2013 edhe atë për rreth 300.000 turistë.
Kjo është anketa e katërt e këtij lloji, e cila studion vizitat turistike në 132 qytete të mëdha në botë, duke i klasifikuar më pas ata në bazë të popullaritetit.
Rezultatet e këtij viti me gjasë do t’iu pëlqejnë shumë evropianëve, meqë në këtë kontinent gjenden tetë nga 20 qytetet më të pëlqyera për turistët.
Bangkoku zbret në vendin e tretë
Parisi gjendet i dyti në listë, me Stambollin, Barcelonën, Amsterdamin, Milanon, Romën dhe Vjenën po ashtu në vende të larta.
Kryeqyteti tajlandez, Bangkok, nga vendi i parë, të cilin e mbante në vitin 2013, tani gjendet në të tretin, por vazhdon që të jetë përpara qyteteve si Singapor dhe Dubai, që gjenden në vendin e katërt, respektivisht të pestë.
Këto rezultate janë përshëndetur në kryeqytetin britanik, me ç’rast kryetari i Londrës, Boris Johnson ka thënë se, për këtë, meritën e ka e kaluara dhe e tashmja.
“Qyteti ynë kombinon në mënyrë perfekte historinë, trashëgiminë, artin dhe kulturën, për të mos përmendur hapësirat e mëdha me gjelbërim dhe evenimentet e rëndësishme”. Kjo është hera e parë që Londra e mban këtë titull.





