Nuland: SHBA mbështet integrimin e Shqipërisë. Takimi kokë më kokë 45 minuta me Bashën

Gëzim Saliu

Zv.sekretarja amerikane për Evropën dhe Euroazinë

Takimet me Ramën, Nishanin e Metën. Basha, Nuland: Presioni i qeverisë mbi drejtësinë, alarm për stabilitetin në vend

 

Basha me Nuland

Ndihmës sekretarja amerikane për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland vizitoi dje Shqipërinë, ku zhvilloi takime me Presidentin e vendit Bujar Nishani, me kryeparlamentarin Ilir Meta, kreun e PD-së Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama. Në takimet e saj me krerët e politikës shqiptare u diskutua për çështje të ndryshme dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë dhe integrimin euro-atlantik të vendit tonë në Bashkimin Europian.  Në takimin e tij me zyrtaren amerikane, Presidenti Nishani e ka njohur atë me sfidat që duhet të kapërcejë sot sistemi gjyqësor në Shqipëri, duke e vënë theksin tek gjithëpërfshirja, profesionalizmi dhe ruajtja nga influenca e politikës dhe grupeve të interesit. Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland në takimin me kryeparlamentarin Meta nënvizoi faktin se SHBA do të qëndrojë edhe më pranë Shqipërisë në drejtim të avancimit të të gjitha reformave të nevojshme për progresin e vendit drejt perspektivës evropiane. Ndërkaq mësohet se në takimin e tij me zyrtaren amerikane kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka informuar atë për zhvillimet politike të fundit, ndërsa ka akuzuar qeverinë për kapjen e institucioneve të pavarura. Basha mësohet t’i ketë treguar zonjës Nulan edhe për incidentin me deputetin Strazimiri, duke shtuar se Kryeministri ka ngritur në parlament një strukturë dhune me elementë kriminalë për të kërcënuar opozitën. Por pas takimit zyrtar me kryetarin e opozitës, i cili shoqërohej nga deputetët Bumçi, Bogdani dhe Tabaku, Nuland ka kërkuar ta vijojë atë kokë më kokë me Lulzim Bashën. Mësohet se takimi i dytë ka zgjatur për thuajse 45-minuat dhe në qendër të tij kanë qenë të gjitha zhvillimet politike në vend.

Takimet

Në takimin e tij me zyrtaren amerikane, Presidenti e ka njohur atë me sfidat që duhet të kapërcejë sot sistemi gjyqësor në Shqipëri, duke e vënë theksin tek gjithëpërfshirja, profesionalizmi dhe ruajtja nga influenca e politikës dhe grupeve të interesit. “Presidenti Nishani falënderoi Shtetet e Bashkuara dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën dhe mbështetjen e dhënë në përgjithësi për të gjitha proceset demokratizuese, duke veçuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe procesin e integrimit europian, si arritje të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe si kontribute për paqen dhe stabilitetin në Rajon”, thuhej në njoftimin e zyrës së shtypit të presidencës.  Ndërkaq në takimin me kreun e PD-së, ky i fundit e njohu znj.Nuland me shqetësimet e opozitës për zhvillimet në vend, si kapjen e institucioneve të pavarura, moszbatimin e vendimit të gjykatave nga qeveria, pushimet masive në administratë në kundërshtim me Ligjin për Nëpunësin Civil, futjen e elementëve kriminalë në strukturat shtetërore dhe bllokimin politik të pushtetit vendor në kundërshtim me interesat e qytetarëve . “Partia Demokratike, ka shprehur mbështetjen pa kushte të akteve dhe masave që çojnë në integrimin europian të vendit dhe ka shpallur vullnetin të bashkëpunojë në emër të interesave të Shqipërisë mbi bazën e kushtetutës, ligjeve dhe traditës më të mirë të konsensusit mes palëve”, deklaroi Basha. Duke u ndalur tek rasti i goditjes dhe kërcënimit me jetë të deputetit Strazimiri në Kuvend, kreu i demokratëve tha se Partia Demokratike është e shqetësuar për faktin se Kryeministri ka ngritur në parlament një strukturë dhune me elementë kriminalë për të kërcënuar opozitën dhe fjalën e saj.  Në këtë kontekst, Basha shprehu vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike, për të qëndruar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit ligjor, të drejtave dhe dinjitetit të individit, si vlera të ndara me demokracinë e madhe amerikane, dhe si rruga e drejtë për të ecur përpara për mirëqënien dhe sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 

Mesazhi në Kroaci

Nuland: Kleptokratët po plaçkisin shtetin, kërcënojnë opozitën e po rrjepin qytetarët

Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ka mbajtur një fjalim me nota të forta për gjendjen e korrupsionit në rajonin tonë. Ajo foli në një forum në Dubrovnik të Kroacisë, ku tha se korrupsioni rrezikon sovranitetin kombëtar. “Në këtë rajon ne shohim se korrupsioni, spostimi demokratik, konfliktet e stërzgjatura, tensionet etnike dhe dhuna sërish kërcënojnë shumë shtete. Dhe, ndërsa ne mbështesim vlerat e komunitetit transatlantik, lufta kundër korrupsionit dhe prapambetjes demokratike duhet të jetë një shqetësim i barabartë i vijës së parë. Europa nuk mund të jetë e plotë kur kleptokratët i trajtojnë shtetet si një burim fitimi dhe plaçkitje për vete dhe miqtë e tyre. Dhe nuk mund të jetë e lirë kur zgjedhjet manipulohen, media e pavarur heshtet dhe minoritetet poshtërohen. Dhe nuk mund të jetë në paqe kur zyrtarët e korruptuar përdorin frikësimin politik, ekonomik dhe gjyqësor për të shtypur opozitën dhe për të shqyer qytetarët. Korrupsioni gjithashtu kërcënon sovranitetin kombëtar për shkak se çdo politikan i pistë në mesin tonë, çdo kontratë jo-transparente që lejojmë ne, krijon një tjetër vrimë të zezë cenueshmërie dhe një mundësi për shkatërrim nga forcat e jashtme. Nga Ballkani në Balltik deri në Detin e Zi, ne duhet të kuptojmë se siç bënë ata në Maidan, se korrupsioni nuk është vetëm një vrasës i demokracisë, por është një mjet gri në arsenalin e autokratëve dhe kleptokratëve, që duan të zgjerojnë ndikimin e tyre, të dobësojnë demokracitë tona dhe të pasurinë veten në kurriz të qytetarëve tanë”, tha Nuland.

 

 

Share it :