Gëzim Saliu
“Të ngrihemi e të bashkohemi me të gjithë shqiptarët për të mbrojtur demokracinë dhe idealin e lirisë”
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri të ditur dje kërcënimin që po u bëhet vlerave të demokracisë nga mazhoranca qeverisëse. Nga Shkodra, të cilin kryedemokrati e cilësoi si qytetin që nuk iu dorëzua asnjëherë antivlerave, Basha tha dje se ky alarm nuk po përcillet vetëm nga PD-ja, por edhe nga aleatët e Shqipërisë, mes të cilëve dhe SHBA. Lideri i demokratëve solli në vëmendje qëndrimin e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry në letrën drejtuar senatit, ku shprehte shqetësimin për vonesat në emërimin e ambasadorëve në disa vende strategjike, mes të cilave dhe në Shqipëri, ku vlerat e përbashkëta demokratike janë kërcënuar. “Dy ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha, citoj: ‘Pa autoritetin e një ambasadori, ne nuk mund të merremi plotësisht me zyrtarët e niveleve më të larta në vendet ku vlerat e përbashkëta demokratike janë kërcënuar’. Kjo është një deklaratë që pason alarmin e tij të disa muajve me parë për rrezikun që i kanoset demokracisë nga instalimi në disa vende i pushtetit oligarkik, pra të një grushti sundimtarësh që nuk pyesin as për ligj dhe as për vlera, siç është rasti i qeverisë “Rama-Meta”. Duke synuar të zëvendësojnë programet e zhvillimit me shitblerjen e votës, shtetin e së drejtës me sundimin oligarkik, meritokracinë me pazaret e pista, vlerat e krijuara brez pas brezi me interesat e paskrupullta”, – deklaroi Basha.
Thirrja
Në kuvendin zgjedhor të Shkodrës, kreu i PD-së shprehu vendosmërinë e çdo demokrati dhe të çdo shqiptari për të mbrojtur vlerat e demokracisë, të cilat, siç tha ai, u fituan me sakrifica të mëdha nga shkodranët dhe të gjithë shqiptarët. Në këtë kontekst, Basha kërkoi bashkimin e të gjithë qytetarëve për të ndalur rrënimin e demokracisë. “Duhet të ngrihemi, duhet të bashkohemi me njëri-tjetrin dhe me gjithë shqiptarët që kanë në zemër ëndrrën e demokracisë dhe idealin e lirisë. Nuk duhet ta falim për asnjë çast ëndrrën e madhe të demokracisë, sakrificat dhe gjakun e heronjve të 14 janarit dhe 2 prillit të Shkodrës, sakrificat dhe përpjekjet e këtyre 23 vjetëve. Në këtë betejë, në këtë mision, në ketë udhëtim kemi përkrah fuqinë më të madhe të botës, SHBA, kemi përkrah Bashkimin Evropian. Ju demokratët shkodranë dhe demokratët në mbarë vendin po e përmbushni këtë mision sot duke zhvilluar demokracinë dhe zgjedhjet e lira brenda partisë”, pohoi lideri i opozitës. Pas mbylljes së procesit të votimit në qytetin verior, ku pati balotazh, si dhe pas garës që do të zhvillohet sot në Durrës, në fillim javë pritet të mbahen zgjedhjet edhe në Skrapar e Kolonjë. Me këto zgjedhje PD përfundon procesin e ripërtëritjes në rrethe, ku risi në këto zgjedhje ishte votimi përmes parimit një anëtar një votë. Në fund të muajit korrik pritet që të zhvillohen zgjedhjet edhe në 15 degët e Tiranës e rrethinave për të ripërtërirë tërësisht strukturat pas humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit.
Kreu i ri i PD-së së Vlorës
Meminaj: Riformatim të strukturave të PD-së, do të kthejmë besimin e vlonjatëve
Kreu i ri i PD-së në Vlorë, Mojsi Meminaj, i zgjedhur në zgjedhjet e së premtes ku kryesoi me 260 vota kundrejt kandidates Valbona Mezini, premton ringritjen e demokratëve. Sipas tij, Partia Demokratike e Vlorës ka nevojë për një riformatim të strukturave, duke u rikthyer demokratëve besimin te subjekti i tyre politik. “Tashmë dihet që mazhoranca pas Tiranë ka instaluar shtabin e saj elektoral në Vlorë, ku deputeti i zonës është Kryeministër. Do jetë një sfidë dhe një opozitë e fortë, reforma kryesore do jetë ringritja e PD-së dhe strukturave të saj. Fitimi i besimit të humbur të qytetarëve, ne demokratët kemi mësuar nga gabimet tona dhe do mundohemi që të gjitha gabimet t’i kthejmë në oportunitete. Në platformën për ringritjen e PD-së, shumë shpejt do dalim me grupe pune në terren. Sipas funksioneve të ndryshme, grupe pune për ekonominë, rendin, mjekësinë, arsimin. Grupet e punës do bëjnë një analizë të detajuar të gjithë situatës. Nuk do të merremi me premtimet e mazhorancës, por do shikojmë në terren se çfarë mungon”, – deklaroi Meminaj, duke theksuar se ish-të përndjekurit politikë janë zemra e PD-së dhe si të tillë ata do të jenë pjesë e rëndësishme në funksionimin e degës së Vlorës. Referuar pozitës dhe qëndrimit të subjektit politik që ai tashmë drejton, Meminaj u shpreh se nuk do të jetë bllokues. “Opozitë e fortë, por pa munguar bashkëpunimi aty ku në themel do të jetë interesi i qytetarëve vlonjatë”.
Akuza dhe kundërpërgjigjja
PD: Deputeti i PS-së, i dënuar në Itali për prostitucion. Ndoka: Ja e vërteta ime
Partia Demokratike publikoi dje dokumente, që, sipas saj, vërtetojnë akuzat për lidhje të Kryeministrit Edi Rama me krimin. Në një deklaratë nga selia e PD-së, deputeti Arben Ristani publikoi një dosje, që, sipas tij, i përket deputetit socialist Arben Ndoka, i cili rezulton i dënuar nga drejtësia italiane për shfrytëzim prostitucioni dhe heqje të paligjshme të lirisë. “Po bëjmë sot publike para qytetarëve shqiptarë dokumentet zyrtare që vërtetojnë lidhjen e Edi Ramës me krimin. Dokumentet zyrtare që vërtetojnë se përfaqësuesit e botës së krimit janë sot deputetët e Edi Ramës, që urdhërohen prej tij për të goditur fizikisht opozitën. Kemi këtu dosjen e plotë të deputetit Arben Ndoka, i dënuar nga Gjykata e Romës me 7 vjet e 27 ditë burg nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana të rënduara dhe heqje të paligjshme të lirisë ndaj personave të tjerë”, – theksoi Ristani. Më tej, ai theksoi se gjykatat shqiptare, ajo e Faktit në Lezhë, dhe e Apelit në Shkodër, kanë bërë njohjen e vendimit të Gjykatës së Romës dhe e kanë ulur masën e dënimit në 4 vjet burgim. “Arben Ndoka është transferuar nga Italia për ta vuajtur dënimin në Shqipëri. Arben Ndoka më pas ka përfituar nga sistemi ynë i drejtësisë lirim para kohe me kusht dhe në vitin 2005, është liruar. Ky është pra personi që Edi Rama futi në listën e Lezhës në zgjedhjet e 23 qershorit. U rikujtojmë shqiptarëve se për t’i hapur rrugë futjes së Arben Ndokës në Parlament, Edi Rama spostoi dhunshëm dy deputete gra, që ishin para Ndokës në listën e kandidatëve. Ky është personi që Edi Rama urdhëron të godasë fizikisht deputetët e opozitës. Kjo është rilindja e Edi Ramës”, – u shpreh deputeti demokrat. Ndaj akuzave të Partisë Demokratike reagoi dje deputeti Ndoka, i cili tha se opozita shfrytëzoi një lapsus të sistemit të drejtësisë italiane, të cilin po përpiqet ta transformojë, sipas tij, në njollë dhe në të kaluar kriminale. “Në moshën 18-vjeçare, si shumica e shqiptarëve dhe rinia lezhjane, pjesë e së cilës isha dhe unë, emigruam për një jetë më të mirë në shtetin italian ku na sistemuan për disa muaj në një kamp për emigrantë në Monopoli dhe më pas jam sistemuar në qytetin e Peruxhas, ku kam qëndruar dhe punuar disa muaj. Ngjarja së cilës i referohet vendimi i publikuar në media nga opozita është pikërisht për këtë periudhë të qëndrimit tim në shtetin italian. Gjatë kësaj periudhe më ka ndaluar policia italiane dhe pasi janë bërë sqarimet për ngjarjen në fjalë me të cilën nuk kisha aspak lidhje, siç e vërteton dhe fashikulli hetimor, kam vazhduar i qetë rutinën e jetës sime në atë qytet”, – shkruante në rrjetin social “FB” deputeti socialist. Më tej, ai bëri të ditur se procesi ka vazhduar pa dijeninë e tij si në shumë raste në vendet fqinje, duke u marrë masa në mungesë. “Jo vetëm duke mos u mbrojtur në proces nga ndonjë avokat, por përkundrazi duke u abuzuar me mungesën time nga avokatët e të akuzuarve të tjerë, për të lehtësuar klientët e tyre, duke rënduar pozitën time. Këtë e provon dhe fakti që personat të cilët akuzoheshin si autorë morën dënime minimale, ndërsa ndaj meje, për krijimin e lehtësirave ishte dhënë një masë shumë më e rëndë me të cilën jam njohur krejt rastësisht në vitin 2002”, – theksoi Ndoka. Nga ana tjetër, deputeti socialist deklaroi se për deputetë demokratë, si Strazimiri, Ristani apo edhe ish-kryeministri Berisha, do të bëjë të ditur më vonë gjëra që, sipas tij, nuk janë dëgjuar kurrë nga shqiptarët. “Unë dua t’i kujtoj opozitës se në ndryshim nga shumë deputetë të saj, unë nuk kam zgjedhur të kandidoj në ndonjë qytet tjetër, por pikërisht në qytetin ku jam rritur dhe ku më njohin të gjithë. A mund të arrihej ai rezultat rekord i cili u arrit në qytetin e Lezhës, nëse unë do të përfaqësoja atë që pretendon opozita?”





