“Shqipëria duhet të dëshmojë rezultate konkrete në gjyqësor në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe në reformën administrative”
Eurodeputeti Eduard Kukan kërkon qëndrueshmëri dhe vijim të dialogut politik mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës për reformat e vendit. Duke marrë shkas nga zgjedhjet brenda Parlamentit Evropian, ku pjesë e tij janë tashmë edhe ato forca politike kundër zgjerimit të BE-së, Kukan bëri thirrje ndaj klasës politike që të provojë edhe tek këta politikanë evropianë se dialogu funksionon me të vërtetë në Shqipëri. “Do të ishte e nevojshme që të vijohet në mënyrë objektive dialogu politik konstruktiv ndërmjet partive politike në vend. Pa këtë, dyshoj se vendi do të përparojë në këtë qasje, sepse të gjithë e mbajnë mend, përfshirë dhe neve në Parlamentin Evropian, se kjo ishte arsyeja pse Shqipërisë iu desh të priste për kaq shumë kohë statusin kandidat, për shkak të mungesës së një dialogu të vërtet politik normal. Për të arritur progres, do të ishte e nevojshme që të vijohej kjo dhe të dëshmohej se është e qëndrueshme dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për vetëm disa sinjale pozitive, por që kjo funksionon me të vërtetë në Shqipëri. Pa këtë do të ishte e vështirë për shkak të faktit se dhënia e statusit kandidat ndaj Shqipërisë ishte i paqartë deri në ditën e fundit, çfarë do të thotë se Shqipëria do të jetë në fokusin e atyre vendeve anëtare që duan të shohin se progresi në vend rigjallëroi atmosferën politike në Shqipëri dhe se kjo është e qëndrueshme dhe e vazhdueshme dhe kjo, për shkak të situatës, është disi kërkuese për Shqipërinë”, – tha eurodeputeti në një intervistë për “Top Channel”. Më tej, ai kërkoi nga qeveria rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si edhe në reformën në gjyqësor. “Jam i lumtur që u dha statusi kandidat më në fund. Mendoj se Shqipëria e meriton dhe se kjo do të ketë një ndikim pozitiv për të nxitur më tej ambicien evropiane të Shqipërisë. Sidoqoftë, ishte e rëndësishme për Shqipërinë marrja e statusit kandidat dhe tani është e domosdoshme që t’u dëshmohet të gjitha shteteve anëtare se bënë gjënë e duhur. Kjo do të thotë se duhet të vazhdojë procesi i reformave dhe është me rëndësi për Shqipërinë të japë rezultate në fushën e gjyqësorit, reformës administrative, e në fushën e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto do të ishin me të vërtetë dëshmi të forta”, – theksoi Kukan.
Zërat kritikë
Sipas Kukanit, edhe pse zërat kritikë për zgjerimin e BE-së janë shtuar me zgjedhjet e reja, Shqipëria nuk duhet të dekurajohet nga ky fakt në kuadër të aspiratës së saj për integrimin në BE. Në këtë kontekst, eurodeputeti theksoi se vetëm duke ecur në rrugën e dialogut politik si edhe duke realizuar reformat e domosdoshme për avancimin e mëtejshëm drejt Evropës, vendi do të arrijë të kthejë edhe mendimin e këtyre forcave politike hezituese për zgjerimin. “Jam i sigurt se kësaj radhe do të dëgjohen më shpesh zërat e atyre që do të flasin kundër zgjerimit, që do të tentojnë të përdorin çdo gabim nga ana e vendeve kandidate për të thënë se ata kanë të drejtë se BE duhet të presë më shumë për zgjerimin. Ju nuk duhet të dekurajoheni nga kjo, por ky është realiteti. Nëse ju bëni punën tuaj, kjo do t’i bëjë ata të heshtin, por është e rëndësishme të përgatiteni për këtë. Grupet politike tradicionale janë në dijeni dhe duan të bashkëpunojnë ngushtë dhe të ruajnë këtë kurs në procesin e zgjerimit të mundshëm të BE-së në të ardhmen, por le të përballojmë realitetin ashtu siç është”, – u shpreh Eduard Kukan.
Ndryshon formula
Vendet me status kandidat, PE me delegacion të posaçëm për Shqipërinë
Parlamenti Evropian do të dërgojë delegacione të posaçëm për vendet kandidat në BE, si Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ndërkohë që Bosnja dhe Kosova përfaqësohen së bashku në një të tillë. Ndryshe nga më parë, kur Shqipëria kishte një delegacion të përbashkët me vendet e tjera të rajonit, tashmë ky delegacion është shkrirë, duke krijuar mundësinë e krijimit të delegacioneve të posaçme. Grupet politike europarlamentare nisën këtë javë negociatat për të kryesuar përfaqësimin për vendet preferenciale të Ballkanit, ku e djathta evropiane kërkoi kreun e delegacionit për Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë, ndërsa Mali i Zi dhe delegacioni për Bosnjën dhe Kosovën mbeten nën drejtimin e së majtës. Mësohet se eurodeputetja rumune e PPE-së, Monica Macovei, është pretendentja kryesore për këtë post në delegacionin për Shqipërinë dhe ajo pritet të konfirmohet javën e ardhshme në seancë plenare. Macovei nisi karrierën e saj si prokurore në Rumani dhe u angazhua më pas në shoqërinë civile, si eksperte në Komitetin e Helsinkit dhe në Këshillin e Evropës. Këtë ndryshim të delegacionit të PE-së për Ballkanin e komentoi dje edhe kreu i tij për shumë kohë, Eduard Kukan, duke theksuar se ka një strukturë tërësisht të ndryshme të delegacioneve dhe se kjo, sipas tij, do të përbëjë një fokus më të detajuar mbi Shqipërinë. “Më parë Shqipëria ishte një ndër 5 vendet që mbulonte delegacioni. Tashmë do të ketë delegacion më vete, ku do të mbahen takime të veçanta e do të diskutohet konkretisht në mënyrë më të detajuar për zhvillimet në vend. Unë do t’i këshilloja kolegët në Tiranë që ta përdorin këtë mundësi për të provuar se situata ka ndryshuar dhe se ajo është konstruktive në Shqipëri dhe se ky delegacion do të jetë një hapësirë e mirë për të përcjellë këto mesazhe përmes tyre. Jam i bindur se cilado qoftë përbërja e delegacionit, do të jetë në ndihmë të Shqipërisë”, – theksoi eurodeputeti.





