Maqedonia të bëhet shtet dy ose shumëkombësh dhe të monitorohet rreptësisht nga NATO e BE…

Enver Bytyçi

protesta_shkup Partia e Nikolla Gruevskit ka reaguar ndaj një deklarate të Kryeministrit Rama, duke nënvizuar sërishmi se protestat e shqiptarëve në Maqedoni janë me frymëzim radikalist fetar islamik. Ndërkaq, politikanët shqiptarë në Maqedoni, qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, në vend të reagojnë ashpër ndaj këtij manipulimi të tipit milosheviçian e fyes për shqiptarët, ata heshtin, nuk flasin, madje merren me shumë me përgjegjësitë e njëri-tjetrit. Kjo është një katastrofë, që e shënon politikën shqiptare në Ballkan në pikën më të ulët të mundshme në historinë e këtyre 24 viteve.

Dy janë çështjet themelore ende të paqarta në menaxhimin e protestave të Shkupit dhe qyteteve të tjera në Maqedoni: Së pari dhe kryesore artikulimi i qartë i kërkesave, çka përfshin dhe reagimin e ashpër teorik e praktik ndaj akuzave antishqiptare të Gruevskit. Dhe së dyti: Unifikimi i organizimit të protestave, drejtimi i tyre prej intelektualeve dhe personaliteteve të jetës publike shqiptare. Sot, në Kumanovë, pamë në krye të protestës intelektualin e njohur Kim Mehmeti. Një ogur i mirë për ta orientuar zemërimin popullor në rrjedhat e duhura politike, demokratike, morale dhe për të kanalizuar energjinë e shqiptarëve në objektiva të qarta e konkrete. Sot, në Kumanovë, veç zemërimit për dënimin e gjashtë shqiptarëve të pafajshëm me burg të përjetshëm, protestuesit artikuluan thirrjen dhe kërkesën legjitime për njohjen e shqipes si gjuhë zyrtare.

Por nuk mjafton vetëm kjo. Shqiptarët kudo që janë duhet të bëhen bllok për mbrojtjen e të drejtave që ata duhet të kenë në shtetin e Maqedonisë. Ata duhet të jenë bllok gjithashtu për të mbrojtur të drejtën e tyre për të demonstruar identitetin nacional, pa asnjë ndikim prej besimeve politike e fetare. Megjithatë, ka shqiptarë, sidomos jashtë Maqedonisë, të cilët i mbajnë iso formulës fetare të Gruevskit, më së shumti pa e ditur se çfarë bëjnë. Kjo mënyrë reagimi e disa prej tyre për ngjarjet e fundit në Maqedoni, si në faqet e gazetave, edhe në rrjetet sociale ka shkuar në dëm të çështjes shqiptare në Maqedoni dhe në dobi të propagandës false të qeverisë së Gruevskit.

Ndërkaq, Ali Ahmeti, Menduh Thaçi e të tjerë personalitete politike nacionale e lokale ende qëndrojnë në heshtje, nuk i kundërvihen as dhunës së policisë dhe reparteve speciale të Nikolla Gruevskit, as shpifjeve të tij, për gjoja frymëzimit islamik të protestave.

Ky indiferentizëm i atyre që përfaqësojnë interesat politike, sociale, kulturore, gjuhësore, etnike, madje edhe të besimit religjioz të shqiptareve është me pasoja të pariparueshme. Mosreagimi i politikës shqiptare është shkaku themelor i shfaqjes dhe penetrimit në ndonjë rast, të ndonjë simboli fetar. Mospjesëmarrja e kryetarëve të komunave, përveç atij të Strugës, në manifestime e në protesta është shkaku kryesor i degradimit të situatës gjatë procesit, më së shumti në reagim të provokimeve të policisë maqedonase.

Në fjalimin e tij, Kryeministri shqiptar bëri mirë që theksoi me forcë domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Por ajo marrëveshje tashmë mund të quhet e tejkaluar, sepse në rend dite vijnë ndryshime të tjera themelore në kushtetutë e në legjislacionin e Maqedonisë, për të shpallur kushtetutshmërisht këtë vend “shtet të qytetarëve dhe jo të maqedonasve”. Kjo do të thotë që, me kushtetutë të shpallen shqiptarët dhe maqedonasit si popuj formues të këtij shteti, në të cilën të parashikohet dygjuhësia në shkolla, në të gjitha administratat qendrore e lokale, edhe atje ku nuk jetojnë shqiptare, siç do të duhet të përdoret maqedonishtja, edhe atje ku nuk jetojnë maqedonas. Kjo do të thotë që flamuri i Maqedonisë, emri i shtetit të Maqedonisë, stema, preambula e kushtetutës, nenet kushtetuese ta përcaktojnë Maqedoninë shtet shumëkombësh. Kjo do të thotë që me kushtetutë të ndërtohet një sistem i ri decentralizimi, sidomos në aspektin financiar, në themel të të cilit të jetë kontributi përmes taksave. Kjo do te thotë që, përfaqësimi në administratë, në qeveri, në pushtetin lokal, në polici e kudo të realizohet mbi bazën e raporteve përfaqësuese etnike. Kjo do të thotë para se gjithash që të realizohet me mbikëqyrje ndërkombëtare të rreptë regjistrimi i popullsisë e të mos lejohet falsifikimi qeveritar i frymëzuar nga koncepte e praktika nacion-shoviniste.

Nga ana tjetër, ky proces do te kërkojë monitorim ndërkombëtar të rreptë, civil, policor e ndoshta ushtarake. Maqedonia ka marrë statusin e kandidatit për në BE. Prandaj Bashkimi Evropian i ka të gjitha arsyet të marrë përsipër monitorimin civil e policor, si dhe në aspektin gjyqësor. Është shumë pak ajo çfarë kërkon Ali Ahmeti, për gjoja monitorimin ndërkombëtar të rastit “Monstra”. Monstër nuk janë ata, gjashtë shqiptarë të dënuar për jetë, monstër është qeveria e dalë boje e Nikolla Gruevskit, së cilës matet t’i bëjë fresk Menduh Thaçi e në konkurrencë me Thaçin i bën fresk Ali Ahmeti. Maqedonia është anëtare e Paktit të Adriatikut në procesin e anëtarësimit në NATO. Prandaj ajo duhet monitoruar rreptë edhe nga strukturat e NATO-s. Derisa Maqedonia me vullnetin e saj dëshiron të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, atëherë nuk ka nevojë që për të vendosur monitorimin civil, policor, gjyqësor e ushtarak të saj, të vendosë Këshilli i Sigurimit.

Nëse do të duhet të ndalohet dhuna ndaj shqiptareve, nëse do të duhet që Maqedonia të bëhet shtet demokratik stabil, në paqe e siguri, nëse do të duhet zgjidhja përfundimtare e konfliktit midis shqiptarëve dhe maqedonasve, atëherë do të duhet që partitë maqedonase dhe qeveritë që ato formojnë të heqin dorë nga politika e nxitjes së urrejtjes dhe dhunës kundër shqiptarëve. Mënyra e vetme për të arritur këtë, është ndryshimi i kushtetutës, riformulimi i thuajse të gjitha ligjeve në favor të krijimit të shtetit shumëkombësh, por me monitorim të rreptë ndërkombëtar. Kjo do të parandalojë një vatër konflikti, që rrezikon të destabilizojë jo vetëm Maqedoninë, por të gjithë, rajonin e më gjerë.

Share it :