Nga Ilirjan Gjika dhe Etnor Canaj
1
Në fund të mesjetës, në burimet historike, përgjatë bregdetit shqiptar të Adriatikut, përmendet edhe qyteti-port i Spinaricës. Historia flet për herë të parë në vitin 1205, kur ajo i jepet në zotërim Venedikut, si pjesë e provincës së Durrësit (Acta Albaniae. I. 130).
Ndërkohë që, në shekujt XIII-XIV, Spinarica luajti një rol të rëndësishëm si skelë e rëndësishme jo vetëm tregtare por edhe ushtarake.
Gjithsesi, duhet thënë se historiografia e sotme nuk mund t’u japë përgjigje pyetjeve:
-Ku ndodhet sot ajo? Kur “lindi” ky qytet-port apo nga rrjedh emri i saj?
Nga ana tjetër, duke u bazuar në dokumentet e kohës ajo na përcakton vetëm se ekzistenca e Spinaricës, si qytet-port, funksionoi si i tillë midis viteve 1205-1370. Ndoshta themelimi i saj i përket periudhës pas luftërave normane-bizantine të shekujve XI-XII, megjithëse Ana Komneni, historiania që u bëri gjerësisht “jehonë” atyre, nuk e përmend asgjëkund atë në shkrimet e veta (A. Komnene. Alexias. Lib I. 14. Lib III. 12).
“Spinarica ishte porti kryesor ku evadoheshin produktet e Despotatit të Beratit në drejtim të Venedikut dhe Raguzës… Domethënë ajo ishte një zotërim shtetëror i këtij Despotati, gjë që vërtetohet nga prania e konsujve të Venedikut dhe Raguzës në të”, – thekson historiani Pëllumb Xhufi rreth kësaj teme (P. Xhufi. Nga Paleologët tek Muzakajt. Sh. B. 55. Tiranë 2009, f. 35-36).
Duke qenë se përbënte një nga tregjet më të rëndësishme të grurit në Shqipërinë Perëndimore, do të ishte fillimisht Venediku që emëron në të përfaqësuesin e tij (Acta Albaniae. I. 396; I. 762). Në një dokument të vitit 1277 na dëshmohet se “Konsulli venecian kërkon të blejë mëndafsh në Spinaricë” (G. Tafel-G. Thomas. Urkunden zur alteren Handels un Stoatgeschihte der Republik Venedik. Wien 1856-1857. III. f. 272).
Ndërsa tek libri “Dokumente Arkivore të Raguzës” na dëshmohet se, në 13 shtator 1301, Dobroslav “i Kaliçit” u emërua për tre muaj konsull i Raguzës në Spinaricë me një rrogë prej 20 hiperperes (?). Ai duhet të kontrolloj dhe t’i komunikoj Raguzës emrat e tregtareve raguzjanë që vijnë në Spinaricë, shumën dhe cilësinë (e prodhimeve, shënimi im E. Canaj) të Lezhës dhe tregtimeve te tjera…” (Bariša Krekić. Dubrovnik (Raguse) et le Levant au Moyen Âge, Vol. 5, 1961, f. 177).
Përveç përfaqësuesve konsullorë, Venecia dhe Raguza, kishin ngritur aty edhe kolonitë e tyre tregtare. Për t’i shërbyer nevojave tregtare dhe atyre ushtarake u ngrit edhe qyteza aty pranë. Dokumentet e viteve 1326 dhe 1328 na dëshmojnë edhe praninë e popullsisë vendase, ku ndeshim emra të banorëve si “i biri i Nikollës së Spinaricës” dhe “Maria e bija e Mihalit të Spinaricës”.
Ndërkohë që, përveç tregtisë, Spinarica, kryente funksionet edhe të një porti ushtarak. Në vitin 1277 këtu vepronte një skuadër detare bizantine nën komandën e sevastit Stano (Acta Albaniae. I. 491). Kjo gjë shihet edhe tek titulli i tij si “Kapiten i Beratit dhe Spinaricës” (Acta Albaniae. I. 368). Gjithashtu edhe flota anzhuine gjatë sulmit të saj mbi Beratin në vitin 1279, e ktheu atë në bazë të rëndësishme të saj. Në një dokument të datës 10 maj 1279, komandanti anzhuin Hugo de Suli, titullohet si “Kapiten në anët e Spinaricës dhe Vlorës” (A. Duceller. La façade maritime de A’lbanie au Moyen age. Durazzo et Valona du XI au XV siècle. Tessalonike 1981. f. 252).
Kështu për vetë rëndësinëqë kishte, Spinarica kaloi gjatë ekzistencës së saj, kryesisht nën zotërimin e Bizantit dhe më pas të Venedikut, Despotatit të Epirit, Hohenshtaufenve dhe Anzhuinëve të Napolit, mbetërisë Serbe, etj.
Për mallrat kryesore që eksportoheshin nga Spinaricës na tregon edhe një dokument i vitit 1277, i cili na dëshmon për “Dy piratë nga Butrinti, njerëz të Bizantit rrëmbyen një anije veneciane të ngarkuar me grurë dhe mel më Spinaricë dhe e dërguan atë në Butrint” (Acta Albaniae. I. 369). Po kështu kripa duhet të ketë qenë një tjetër produkt vendas, sepse vetë zona bregdetare pranë saj, ajo midis Vjosës dhe Semanit, në mesjetë quhej Sllanica (Sllavisht – kripore, shënimi im I. Gjika).
Ndërsa një tjetër shembull që tregon rëndësinë e saj është edhe përfshirja e këtij qyteti-port, si pjesë e prikës që mbreti i Napolit, Manfredi Hohenshtaufen e mori në vitin 1258, nga martesa e tij me vajzën e despotit Mihal II të Epirit (Acta Et Diplomata. I. 125). Po kështu edhe pasardhësi i tij në fronin e Napolit, Karli I Anzhu, do ta përfshijë Spinaricën si zotërim të tij, në bazë të traktatit të Viterbos të 27 majit 1267 (Acta Albaniae. I. 245).
2
Akoma edhe sot vendndodhja e Spinaricës ka mbetur e palokalizuar. Një gjë e tillë ka ndodhur për arsyen e thjeshtë se arkeologët nuk kanë arritur të gjejnë në terren asnjë gjurmë të saj. Natyrisht që për shtjellimin e mëtejshëm të problemit të lokalizimit të saj duhet një vëzhgim arkeologjik i terrenit, i cili për zonën në fjalë ka munguar. Vetëm për Apoloninë dhe hinterlandin rreth saj janë zhvilluar disa të tillë. I fundit i përket dhjetë viteve më parë dhe përfshiu zonën kudo të kalojë bypass-i i Fierit, pjesë e segmentin të autostradës Fier-Levan që do të ndërtohet tashmë.
Vetëm jashtë këtij segmenti ku ndodhet edhe zona jonë e lokalizimit të mundshëm të Spinaricës nuk janë kryer vëzhgime të mirëfillta në terren. Diku në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, Instituti i Monumenteve të Kulturës kreu studimin e një objekti kishtar të mesjetës, siç ishte kisha e Shën e Premtes, e cila ndodhet sot disa 2 km në perëndim të vijës, ku do të kalojë autostrada e mësipërme.
Ndërkohë që historianët nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe paraqitjes pamore të Spinaricës në hartat dhe portulanët perëndimorë, e vendosin atë në grykëderdhjen e lumit Vjosa, diku në veri të lagunës së Nartës. Megjithatë vështirësia qëndron se, Vjosa e ka ndryshuar shumë herë shtratin e saj drejt jugut, që nga zhvendosja e parë që njohim prej saj, kur lumi “braktisi” portin e Apolonisë, diku në shekullin III.
Kështu një grup studiuesish kanë hedhur hipotezën se gjatë në antikitetit, Vjosa derdhej në një lagunë të madhe përballë qytetit të Apolonisë. Nëpërmjet saj bëhej i mundur ankorimi i dhjetëra anijeve të ndryshme tregtare dhe ushtarake, ashtu siç e ndeshim nga analet historike.
Ndërkohë që me lokalizimin e Spinaricës fillimisht është marrë Kostandin Jeriçek dhe pas tij Milan Shuflai. Jeriçek shkruan se “vendi ku derdhej lumi (Vjosa) në det quhej Spinarica” (Grup autorësh. Vëzhgime Iliro Shqiptare. Camaj-Pipa. Shkodër 2004. K. Jeriçek. Vlora në Mesjetë. f. 132). Ndërsa Shuflai nënvizon midis të tjerave “…Spinarica e kohëve të mesme mbi grykën e lumit Vjosë” (M. Shuflai, Serbët dhe Shqiptarët, Sh. B. Bargjini, Tiranë, 2001, f. 17).
Në Revistën Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine, vëll. 15, viti 1941, në faqen 189 shkruhet: “Qëndresat më të rëndësishme të kufijve jugorë në shekullin XIV, ishin Vlora, Kanina, Spinariza, Pirgu dhe Berati. Kështjella mesjetare e Vlorës gjendej në Vloren e sotme moderne pranë portit të sotëm; Spinarica në grykëderdhjen e Vjosës; Pirgu pranë grykëderdhjes së Semanit; dhe Berati në hinterlandin pranë këmbeve të malit Tomor.
Ndërkohë që një tjetër mendim i shprehur mbi vendndodhjen e Spinaricës është edhe ai i studiuesit Alen Dyselie, i cili thekson se “Spinarica ndodhej në Zvërnecin e sotëm pranë Nartës” (A. Ducellier. La façade… f. 36).
Por, një tjetër studiues, Teki Sadiku, mendon se “pozicioni i këtij qyteti-skelë duhet kërkuar në anën jugperëndimore (të Fierit, shënimi im I. Gjika), ku mbarojnë kodrat e Mallakastrës dhe konkretisht në fshatrat Levan, Peshtan, Frakull, Kafarajnë, në të cilat ka pasur shtratin lumi i Vjosës dhe prej nga fillon grykëderdhja e tij për në det” (T. Sadiku, Mallakastra dhe Myzeqeja e Vogël në rrjedhat e historisë deri më 1840, Sh. B. Migjeni, Tiranë 2009, f. 120).
Po ky autor e zgjeron tezën e tij duke theksuar se “gjatë shekullit XIII në Spinaricë disa shtete të huaja kishin përfaqësues konsujt e tyre, si: Venediku (1277) dhe Raguza (1301)… Përveç interesave ekonomike që ata mbronin, konsujt e huaj interesoheshin edhe për objektet shpirtërore që u ishin njohur atyre në vitin 1210” (Po aty, f. 121).
Këtë ide ai e mbështet tek dokumenti i 20 qershorit të vitit 1210, kur despoti Mihal I i Epirit, i akordoi venedikasve përveçse privilegjeve ekonomike edhe privilegje shpirtërore. Midis të tjerave në të thuhet se “në të gjitha tokat e tij venedikasit le të kenë ku të duan kishën, kurjen dhe fondikun dhe të gjitha nderimet e tjera shpirtërore…” (Acta Et Diplomata. I. 140). Pra, pasi u vendos në Artë në vitin 1204 dhe krijoi Despotatin e Epirit, Mihali I, nisi zgjerimin e territoreve të tij drejt veriut, ku deri në vitin e sipërpërmendur, 1210, i kishte marrë Venedikut territoret deri në Shkumbin, ku përfshihej edhe Spinarica.
Kështu sipas gjasave edhe në qytetin-skelë, apo port të Spinaricës, për nevojat e tyre shpirtërore, venedikasit,duhet të kenë ndërtuar edhe ndonjë objekt kulti pas këtij viti. Kështu ka ndodhur edhe në skelën “simotër” të Pirgut që ndodhej më në veri përgjatë grykëderdhjes së lumit Seman.
Pranë rrënojave të sotme të kullës së saj, “Pirgut”, ndodhen rrënojat e kishës së Shën Marinës, të cilat edhe sot janë objekt pelegrinazhi nga vendasit.
Por në zonën ku sot kërkohet vendndodhja e Spinaricës midis dy anëve të shtratit të sotëm të Vjosës, çuditërisht gjendet vetëm një objekt kulti që i përket periudhës kur “jetoi” Spinarica, asaj të shekujve XIII-XIV. Pikërisht në kryqëzimin e rrugës Levan-Darzëzezë (deti Adriatik) dhe vijës Apoloni-Vjosë gjendet në vendin e quajtur Povelçë (Fier), kisha e shën e Premtes, e ndërtuar diku nga fundi i shekullit XIII-fillimi i shekullit XIV, të cilën studiuesi i saj, Aleksandër Meksi, e emërton si kisha e Shën e Premtes në Sop, një fshat aty pranë (Aleksandër Meksi, Arkitektura Mesjetare në Shqipëri, Sh. B. 8 Nëntori, Tiranë 1983, f. 122-123).
Kisha ndodhet 3 km në lindje të vijës bregdetare pranë njërit prej shtretërve të dikurshëm të lumit Vjosa, që mund të vihet re shumë lehtë, jo vetëm në terren por edhe në studio, mjafton të kesh një kompjuter dhe të futesh në “Satellite Map”. Duke studiuar me vëmendje rastin, vëmë re gjurmën e shtratit të dikurshëm të Vjosës, i cili vijonte duke u ju referuar urës së sotme të Vjosës në autostradën Levan-Vlorë, për të vazhduar drejt veriut në fshatin e sotëm Boçovë, ku pas disa “gjarpërimeve” mbërrinte pranë kishës së Shën e Premtes. Këtu Vjosa e linte faltoren në të djathtë dhe merrte kthesën drejt perëndimit për t’u derdhur në det, nga ku edhe sot në fshatin Darëzezë në perëndim të kishës duket edhe delta e dikurshme e saj.
Por, le të kthehemi tek kisha e Shën e Premtes e shpallur edhe monument kulture në vitin 1979. E ndërtuar me një teknikë të përzier ndërtimi, për këtë faltore janë përdorur materiale të marra nga Apolonia antike, e cila ndodhet vetëm disa kilometra më tej, në verilindje të saj (Aleksandër Meksi, Arkitektura… f. 122-123).
Atëherë mund të aludojmë se Jeriçeku ka pasur të drejtë kur shkruante: “Disa shënime raguziane të 1297 e 1298, përmendin udhëtime nga Durrësi drejt Spinaricës afër Pojanit” (K. Jeriçek, Vlora në Mesjetë, f. 132).
Edhe Pëllumb Xhufi në librin e tij “Nga Paleologët tek Muzakajt” e pranon faktin se Spinarica ndodhej pranë Apolonisë dhe skelës mesjetare të saj Sllanikut. Ja se ç’shkruan midis të tjerave ai: “Një anije raguziane e nisur nga Durrësi, u detyrua për një avari të ankorojë në vendin e quajtur Slanicë pranë Spinaricës. Këtu u shkarkua ngarkesa me mall, që pastaj u shpërnda në shtëpitë e Buvalcariorum de la Polina… Polina është emri mesjetar i Apolonisë së lashtësisë dhe i Pojanit të sotëm” (P. Xhufi, Nga Paleologët tek Muzakajt, f. 135).
Në këtë piketë argumentimit tonë na vjen në ndihmë edhe albanologu Milan Shuflaj, i cili sqaron se “krahina bregdetare Slanicë përgjatë lumenjve Devoll e Vjosë” (M. Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 17).
Ndërsa një tjetër autor i njohur, Neritan Ceka, në librin e tij “Apolonia e Ilirisë”, thekson midis të tjerave se “…Pollina mesjetare, që del si qendër në afërsi të skelës së Sllanicës (Sllaniku i sotëm, rreth 4 km nga Apolonia)…” (Neritan Ceka, Apolonia e Ilirisë, Sh. B. 8 Nëntori, Tiranë 1982, f. 229).
Madje edhe emërtimi “kodrat e Sfinaricës” (…dhe viti i pare i sundimit mbi qytetet Durrës, Berat, Vlorë, Kodrat e Sfinaricës) që e ndeshim në një dokument të vitit1258 (Miklosich Muller. Acta e diplomata Graeca, III, f. 239-242), besojmë se bën fjalë për kodrat e Apolonisë apo të prapatokës së saj, si ato të Peshtanit në Mallakstrën e poshtme, të cilat po t’i vëzhgosh nga kisha e Shën e Premtes në Povelçë, shfaqen shumë qartë sepse ndodhen pikërisht aty pranë.
Ndoshta në funksion të kësaj teme është edhe teza se deri në periudhën e pushtimit turk, në vitin 1417, Apolonia ishte qendër e garnizoneve ushtarake bizantine si dhe atyre të huaja, qoftë napolitane, venedikase apo serbe. Si qendër e tyre mund të ketë shërbyer edhe manastiri i Shën Marisë, i cili bën pjesë tek tipat e manastireve të fortifikuara. Pikërisht ndërtimi i ekzonarteksit të tij në stilin romanik, që lidhet me një pushtim perëndimor, ai i trapezarisë që lidhet me një pushtim serb, apo piktura murale e Mihalit VIII dhe Andronikut II, të cilën luftuan kundër anzhuinëve në Berat, dëshmojnë ekzistencën e garnizoneve ushtarake që u instaluan këtu (Heide und Helmut Buschausen, Dir Marien Kirche von Apolonia in Apolonien, Wine 1976, f. 32; 47). Madje edhe gjetja e disa artefakteve të tjera na e plotëson këtë ide. Pikërisht gjatë gërmimeve në teatër në vitet 1970, arkeologia Aleksandra Mano, gjeti aty një koleksion monedhash mesjetare si veneciane, anzhuine apo të Principatë së Akesë (A. Mano, Apolonia e Ilirisë, Tiranë 2006, f. 38; 554-560).
Kështu prania e këtyre garnizoneve ushtarake si duket i ka shërbyer qytetit-port të Spinaricës, i cili për të komunikuar me Beratin përdorte trasenë e rrugës së njohur që nga antikiteti. Për këtë arterie komunikimi midis Beratit dhe Spinaricës, në librin “Berati Historia dhe Arkitektura”, theksohet se “rruga tjetër Apoloni-Berat, rruga e Muzakies, rreth 50 km e gjatë, pasi kapërcente lumin poshtë kalasë, vijonte majtas Osumit. Në Kuç ajo bigëzohej. Një degë vazhdonte deri në Apoloni ose Spinaricë…”, (A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, Berati Historia dhe Arkitektura, Sh. B. 8 Nëntori, Tiranë 1988, f. 6).
3
Një nga dilemat që studiuesit nuk i kanë dhënë akoma përgjigje është edhe ajo se nga rrjedh emri i Spinaricës? Kështu i vetmi formulim i cili kërkon në të ardhmen konfirmim më të plotë, është ai që na dëshmon se ishin raguzianët që e emërtuan kështu: ” …sikurse ne mesjete (quajtur “Boosa” ose “Bousa” prej bizantinëve, “Spinarica” apo “Sfinariza” prej raguzianëve, Thalloczy, III. “alb Forsch., 174-175 cituar nga “Studi storici, Edizioni 125-131. Istituto storico italiano per il medio evo, 1980). Megjithatë ky rast nuk përbën një shembull të shkëputur sepse prej raguzianëve trashëgojmë edhe disa emërtime të tjera të bregdetit tonë. Të tilla janë “Balta di Avalona” për lagunën e Nartës dhe “Porto Raguzeo” për gjirin e Raguzës në Gadishullin e Karaburunit.
Por nga rrjedh hidronimi Spinaricë? Ndoshta origjina e saj duhet kërkuar prej latinishtes “spina”-gjemb. Kështu prej dialektit sicilian kemi termin “Spinarisi”, që do të thotë “të jesh i shpuar prej gjembave” (Michele Pasqualino. Vocabolario siciliano etimologico, italiano e latino, Volumi 4-5. 1790, f. 84).
Ndoshta raguzianët e quajtën kështu sepse, e gjithë zona bregdetare e ultësirës pranadriatike, përfshirë edhe zonën ku kërkohet sot lokalizimi i Spinarices është e pasur me Zhuka (Juncus), një bimë barishtore me dege të holla që përfundojnë me maja në formë gjembi.
Mbi këtë bazë vetë vendi ku u ngrit qyteti-port u quajt si “vendi i gjembave” apo “vendi që të shpon” (Gjembas).
Edhe sot në të dy anët e lumit Vjosa ndeshim vendbanime të shumta me origjinë bimore si Kavaklli, Ferras, Pishë, Dëllinjë, Sheq-Marinas etj., të cilat janë toponime që dëshmojnë në favor të tezës sonë.
4
Pas vitit 1370, Spinarica, nis të mos përmendet më në dokumentet historike. Ajo mbeti vetëm një emërtim i përdorur vetëm në hartat dhe portulanët perëndimorë të lundrimit. Ndoshta krijimi i principatave shqiptare pas vitit 1355, solli përveçse strukturave të reja shtetërore edhe ndryshime në strukturat ekonomike. Ndoshta pushtimi i Vlorës nga Balshajt në vitin 1309 solli edhe monopolizimin e tregtisë detare në Adriatik dhe e bëri të panevojshëm funksionimin e qytetit-port të Spinaricës. Mbase edhe ndonjë katastrofë natyrore apo ndonjë ndryshim i mundshëm i shtratit të Vjosës solli fundin e pashmangshëm të saj.
Një tezë të tillë se ndryshimi i shtratit të Vjosës solli edhe braktisjen e Spinaricës e ka hedhur vite më parë Neritan Ceka, në shkrimin e tij studimor për skelën mesjetare të Pirgut, që ndodhej mbi lumen Seman (Neritan Ceka, Pirgu i Myzeqesë, Monumentet historike në vendin tone, Sh. B. 8 Nëntori,Tiranë 1979, f. 68-71). Midis të tjerave ai thekson se duke u bazuar në dokumentacionin e kohës pas vitit 1344, Spinarica nuk ka funksionuar më (po aty, f. 69).
Kështu gjatë përpjekjeve të “Zonjës së Vlorës”, së vesë së Balshës II, Komitës, për t’i dorëzuar Venedikut në vitin 1386 qytetet dhe skelat e bregdetit, Spinarica nuk përmendet. “Pasi ka shumë ditë që ndodhet këtu (Venecia), një peshkop i Shqipërisë, ambasador i zonjës së Vlorës, i cili thotë se kjo zonjë është e kënaqur dhe e gatshme të japë vendet e veta që janë katër d.m.th. Vlorën, Kaninën, Himarën dhe Kullën e Pirgut”, thuhet në një nga dokumentet e kohës (Acta Et Diplomata. II. 540).
Pra me humbjen e funksioneve të saj si skelë lumore nisi edhe braktisja e Spinaricës, diku ndoshta midis viteve 1344-1370. Më pas me pushtimin turk e gjithë kjo zonë u kthye në një rajon periferik dhe të braktisur. Koha solli edhe harresën. Vetëm kisha e Shën e Premtes mbeti “në këmbë” ashtu siç është edhe sot, në gjendje gjysmë rrënojë, për të na treguar se ndoshta këtu “qëndron çelësi” i problemit të lokalizimit të Spinaricës.




