Anxhela Tato
Policia: “Dhuroi” leje legalizimi 2 ndërtime pa leje në zonën e Qytetit Studenti, u regjistruan në Hipotekë pa u verifikuar
Denoncimi nga raporti i auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, u kallëzuan penalisht 14 punonjës në 2012-ën
Skuadra e antikorrupsionit e Policisë së Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj dy punonjëses së Hipotekës së Tiranës, Majlinda Bozgo, 55 vjeç, dhe ish-drejtori i ALUZNI-t Tiranë, Kreshnik Bozho, 44 vjeç, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Policia e Tiranës njoftoi se inspektorja e Hipotekës dhe ish-kreu i ALUIZNI-t në Tiranë do të procedohen në gjendje të lirë. Shkak për procedimin është bërë një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka zbuluar se ish-drejtori Bozho në vitin 2012 ka pajisur me leje legalizimi në shkelje të ligjit dy ndërtime pa leje në zonën e Qytetit Studenti në Tiranë. Fill pas këtij vendimi dy ndërtimet janë regjistruar në Hipotekën e Tiranës, ku dyshohet që verifikimi dhe rekomandimi të jetë bërë nga inspektorja Bozgo. “Procedimi ndaj tyre ka filluar pasi mbi bazën e informacioneve të seksionit për Korrupsionin si dhe në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku ka rezultuar se shtetasi Kreshnik Bozho, dyshohet se në vitin 2012, ka pajisur me leje legalizimi në shkelje të ligjit, për dy ndërtime pa leje në zonën e Qytetit Studenti Tiranë. Po ashtu, në vijim këto ndërtime janë regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë në kundërshtim me ligjin e regjistrimit, duke shmangur detyrimet që do të depozitoheshin në këtë institucion”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. Hetimet janë mbështetur tek një kontroll i bërë nga KLSH-ja gjatë vitit 2012, ku u konstatuan një sërë shkeljesh për leje legalizimesh të dhëna në mënyrë abuzime. Në atë kohë Prokurorisë iu dërgua një listë prej 14 emrash punonjësish, por ende nuk ka të dhënë për të vërtetuar nëse emri i ish-drejtorit ishte pjesë e listës.
Raporti i KLSH-së
“Kontrolli i Lartë i Shtetit evadoi materialet e kontrollit të ushtruar nga data 9 maj-15 shtator 2011 në Drejtorinë Qendrore të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) dhe në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t për qarqet Tiranë, Durrës dhe Fier, për periudhën e aktivitetit nga 1.1.2009 deri më 30.4.2011. Ky kontroll shqyrtoi zbatimin e ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar dhe i akteve përkatëse nënligjore. Më konkretisht, nga 270 000 aplikime për legalizim, 240 000 prej tyre kanë paguar tarifën e shërbimit, nga të cilat vetëm 8,712 dosje ose 4 për qind janë dërguar në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t për miratim leje legalizimi dhe për 7,039 prej tyre, është kryer ky proces. Ky fakt tregon për një nivel të ulët performance nga drejtuesit dhe punonjësit e Drejtorisë Qendrore dhe Drejtorive Rajonale të këtij institucioni. Për 14 punonjës (drejtues dhe specialistë) te ALUIZNI-t që nuk kanë zbatuar kërkesat e ligjit dhe të akteve nënligjore, KLSH ka bërë dy Kallëzime Penale, respektivisht në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë me Nr. 197/11 datë 20.2.2012 dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës nr. 199/9 datë 16.2.2012, për konsumim të figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i ligjit nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar. Kallëzimet i janë dërguar edhe Prokurorisë së Përgjithshme”.
Shkodër/ Përplasen 3 makina, përfshihet nga flakët autobusi, 2 të plagosur
Tri automjete janë përfshirë në një aksident automobilistik ditën e djeshme në aksin rrugor Shkodër – Lezhë, në vendin e quajtur Krye Bushat. Një autobus që vinte nga Kosova është përfshirë nga flakët, mjeti me targa 01 840 CM, që drejtohej nga Rexhep Berisha, 40 vjeç dhe që fatmirësisht ka qenë pa pasagjere, është goditur nga mbrapa nga një fuoristradë tip “Kia” që drejtohej nga Agustin Markaj, 58 vjeç nga Lezha. Drejtuesi i fuoristradës ka tentuar të parakalojë autobusin, por ka humbur kontrollin e makinës tij dhe pasi ka goditur autobusin është përplasur më një tjetër mjet brenda të cilit ndodheshin 6 persona dhe më pas ka dalë nga rruga. “Si pasojë e përplasjes së fortë autobusi, i cili ka qenë pa pasagjerë është përfshirë nga flakët, ndërsa automjeti tjetër ka dalë nga rruga duke rënë në kanal. Si pasojë janë dëmtuar dhe janë dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër të dy drejtuesit e mjeteve, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e policisë së shtetit, të zjarrfikëses dhe të spitalit Shkodër, për t’u ardhur në ndihmë personave të dëmtuar”, – bëhet me dije nga policia. Policia dhe forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë shuar flakët dhe kanë nisur nga zbardhja e shkaqeve të aksidentit. Dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Shkodrës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Zjarri që përfshiu autobusin u vu nën kontroll nga zjarrfikëset, të cilat erdhën me urgjencë në vendin e ngjarjes.
Tiranë/ Përdhunonte sistematikisht bashkëjetuesen, arrestohet 44-vjeçari
Bie në prangat e policisë Gjovalin Hasani, person me precedentë penal dhe i skeduar më përpara për vjedhje. Këtë herë 44-vjeçari është arrestuar për ushtrim dhune dhe abuzim seksual ndaj bashkëjetueses. Arrestimi tij është bërë ditën e martë në afërsi të Kamzës. Sipas të dhënave të policisë mësohet se ndaj Hasanit është bërë një denoncim nga bashkëjetuesja e tij me inicialet S. D. Ajo ka kallëzuar penalisht 44-vjeçarin, pasi ai sistematikisht ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/ Shantazh ish-të dashurës për të mos i kthyer lekët, pranga 19-vjeçarit
Një i ri me banim në Tiranë ka përfunduar në prangat e policisë, pas denoncimit të ish-të dashurës së tij. Alban Kaca, 19 vjeç, lindur në Burrel dhe me banim në Paskuqan, është arrestuar nën akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie. Kaca dyshohet se prej muajit dhjetorit e në muajt në vijim i ka marrë të dëmtuarës shumën e 1000 eurove. Fillimisht shumën e parave ia ka marrë me këste, duke i thënë se do ia kthente gradualisht, por më tej ata janë zënë dhe 19-vjeçari nuk ia ka kthyer më paratë. Vajza i ka kërkuar mbrapsht shumën e parave, por i riu e ka kërcënuar duke i kërkuar para të tjera në mënyrë që të mos publikohej lidhja e tyre. Përballë kësaj situate, vajza ka bërë denoncimin në polici për ish-të dashurin, duke çuar në arrestimin e tij.




