Skandali i Apolonisë/ Arkeologët:Çmenduri skelat e hekurit. Ministria “fshihet” pas firmës

V. Murati

apoloniArkeologia Nallbani: Çmenduri, Tare: Turp i madh

Ministria e Kulturës firmosi kontratën, tani pa hekurat?!

 Forumi për Mbrojtjen e Trashëgiminë ka denoncuar dje në rrjetet sociale përmes disa fotove “pushtimin” e Apolonisë me struktura metalike të rënda, me qëllimin e një aktiviteti që do të organizohet aty nga një kompani private.

Denoncimi dhe reagimet janë bërë nga profesionistë të fushës, pra arkeologë e njerëz që kanë pasur gjithmonë vëmendje ndaj monumenteve, por nuk ka ndodhur ndonjëherë të shkonte deri në këtë gradë si shfaqen në fotot e publikuara. Përgjegjësi kryesor është Ministria e Kulturës. Dje, nga zyra e shtypit ka dalë një njoftim mbi këtë situatë skandali mbi monumentet, përmes së cilës luhaten rëndë kompetencat institucionale. Ndërsa thuhet se midis Ministrisë dhe kompanisë ka një kontratë të firmosur mes palëve për të drejtat dhe detyrimet ligjore referuar Kartës së Veronës në “përdorimin” e monumentit, zyrtarët e Ministrisë kanë lajmëruar se janë pakësuar strukturat metalike nga inspektimi i një dite më parë. Ministria vazhdon se do të garantojë të mos mbështetet asnjë strukturë metalike mbi monumentet, ndërsa paska qenë në dijeni të gjithë formatit të veprimtarisë dhe në dijeni ç’po bëhet aty.

Paradoksalisht me ç’thotë më lart, në njoftimin për shtyp vazhdon se “me qëllim shmangien e kontaktit fizik me monumentet, të gjitha strukturat provizore metalike (të lehta) janë të mbështetura mbi platforma druri dhe gome”. Mirë që ka vullnetin për të kuptuar se edhe nismat private duhet të bëjnë aktive këto qendra antike në shërbim të turizmit, por ky vullnet nuk reflektohet në anën tjetër për t’i mbrojtur ato, për shkak si duket të mos leximit si duhet të Kartës së Veronës. Ndryshe, për këtë na bindin, nuk do të kishim një reagim të menjëhershëm, denoncimin që mbërriti nga vendngjarja Forumi në Mbrojtje të Trashëgimisë, po qe se do të respektoheshin rregullat, dhe principet e mbrojtjes së monumenteve. Ndryshe nuk do të kishim edhe reagimet ekstreme, por të pafuqishëm për t’u dëgjuar në ironi, të arkeologëve dhe specialistëve. Arkeologia Etleva Nallbani, referuar fotove të publikuara, shkruan: Kjo është çmenduri! Njohësi i monumenteve, dhe një njeri që shpesh ka hyrë në konflikte për shkelje të tilla, Auron Tare, reagon: Ky është një turp. A duhet t’i mjaftojë aq Ministrisë së Kulturës për të dërguar në media atë njoftim paçavure, që largon përgjegjësi, që fsheh të vërtetën dhe që firmos kontrata me skelete hekurash që shpërfytyrojnë trashëgiminë?! Në të kundërtën mendojmë se paratë vlejnë më shumë se historia dhe kjo po përsëritet shpesh: Në Apoloni, Elbasan, Durrës…

 

 

 

Share it :