Bulqizë / Basha: Vota e lirë, përgjegjësi dhe garanci për PD-në dhe vendin

Gëzim Saliu

“Përkeqësim në çdo statistikë të rendit, transparenca dhe përgjegjshmëria e pushtetarëve para qytetarëve, në nivelet më të ulëta që nga kapërcimi i diktaturës moniste”

 

Basha ne Bulqize

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkon nga anëtarësia e PD-së ta përdorë me përgjegjësi votën e saj, me të cilën do të ndërmerren vendimet më të rëndësishme në forcën më të madhe opozitare. Pjesëmarrës në kuvendin zgjedhor të demokratëve të Bulqizës, kryedemokrati kërkoi reflektim të dyfishtë në zgjedhjen e drejtuesve të rinj, nga njëra anë në vlerësimin e vlerës dhe meritës, dhe nga tjetër në kundërvënien e vlerave të PD-së përballë antivlerave të promovuara nga mazhoranca. “Ndonëse jemi gjithsecili këtu i mandatuar, të gjithë jemi të barabartë me çdo demokrat tjetër brenda dhe jashtë kësaj salle dhe gjithsecili prej nesh ka një votë. Vendosja e votës së lirë në bazë të vendimmarrjes është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, një përgjegjësi që kërkon një reflektim të thellë nga gjithë ju ushtruesit e kësaj të drejte, një reflektim të dyfishtë. Nga njëra anë, brenda vetes tonë për çdo rast të shkarjes apo degradimit nga parimet e vlerës dhe meritës brenda radhëve tona dhe një reflektim tjetër në raport me vendosmërinë tonë për t’ju kundërvënë projektit më ogurzi por dhe më të pashpresë politik që ka kundërshtari ynë, të mbajtjes dhe menaxhimit të pushtetit përmes promovimit të antivlerave”, – deklaroi Basha.

Përballë mazhorancës

Duke marrë shkas nga situata ekonomike, sociale dhe e sigurisë në vend, kreu i PD-së tha se drejtuesit e rinj të forcës më të madhe opozitare duhet të nisin hartimin e alternativës së demokratëve. Sipas Bashës, papunësia ka arritur shifra alarmuese dhe se papërgjegjshmëria e qeverisë ka arritur kulmin. “Mungesa e perspektivës dhe vizionit e ka zhytur Shqipërinë në ditën e saj më të keqe. Janë mbyllur vende pune, janë hedhur në rrugë njerëzit, përkeqësim në çdo statistikë të rendit, vrasje, tentative vrasje, grabitje dhune, transparenca dhe përgjegjshmëria e pushtetarëve para qytetarëve është në nivelet më të ulëta që nga kapërcimi i diktaturës moniste. Sot është koha që demokratët e Bulqizës dhe gjithë Shqipërisë, nën drejtimin e ekipeve të reja të ndërtojnë alternativën tonë të re bazuar në parimet e lirisë, konkurrencës së lire e të pastër dhe të zhvillimit”, – deklaroi lideri i PD-së. Zgjedhjet e lira dhe analiza e humbjes janë cilësuar si pika kyçe nga kryetari Basha për të ardhmen e Partisë Demokratike, në kuadër të synimit për marrjen e drejtimit të vendit. Sipas kryedemokratit, me zgjedhjen e drejtuesve me personalitet, integritet dhe alternativë të qartë, PD do të mund të sigurojë fitoren që në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2015. Po ashtu Basha ka vlerësuar lart votën e lirë, duke theksuar se vetëm në këtë formë, demokratët do të mund të synojnë hapjen, bashkimin dhe ringritjen e partisë. Ndërkaq, në degën e PD-së në Gjirokastër në zgjedhjet e zhvilluara dje përmes parimit një anëtar një votë është shpallur fitues Roland Bejko. Ky i fundit ka qenë kandidat për deputet i Partisë Republikane, ndërsa garën e djeshme e fitoi me 8 vota diferencë kundrejt Shemsho Lamajt.

 

 

Denoncimi

PD: I akuzuari për uzurpim prone emërohet në krye të task-forcës për pronat

Partia Demokratike denoncoi dje emërimin e Alket Hysenit në krye të task-forcës për pronat në Vlorë, i cili, sipas opozitës, është akuzuar më parë për uzurpim prone. Zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, tha dje se i kallëzuari në Prokurorinë e Kavajës për marrjen me forcë të një parcelë në një fshat turistik, po bën karrierë me qeverisjen e majtë. “Çfarë ndodh me një zyrtar që denoncohet publikisht dhe kallëzohet në prokurori nga një qytetar për uzurpim prone, për marrjen e tokës që nuk është e tij, me forcën që i jep pushteti. Me Edi Ramën, ky zyrtar promovohet, ngrihet në detyrë dhe bën karrierë. Kështu ka ndodhur me Alket Hysenin, i cili është kallëzuar në prokurorinë e Kavajës për marrjen me forcë të një parcele në një fshat turistik. Kur Partia Demokratike denoncoi publikisht rastin mbi bazën e ankesës së bërë nga qytetari, nga zotëruesi i pronës, Qeveria reagoi fillimisht duke thënë se Alket Hyseni nuk ishte nëpunës i saj. Por tani del në dritë, një urdhër i Kryeministrit Rama, që jo vetëm vërteton se i kallëzuari për uzurpim prone është punonjës i qeverisë, po mban detyra shumë të rëndësishme”, – deklaroi ajo. Më tej, Vorpsi tha se Kryeministri i ka besuar të kallëzuarit në Prokurori për uzurpim prone verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore, në Qarkun e Vlorës, në rivierën e Jonit. “Kjo pra është meritokracia e z. Rama. Kjo është mënyrë se si të bësh karrierë me Rilindjen. Uzurpo pronën e tjetrit, që të bëhesh shef i verifikimit të ligjshmërisë së pronave në bregdet”, – theksoi zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi.

 

 

Dy gëzime në një ditë

Berisha feston përvjetorin e 43-të të martesës dhe ditëlindjen e bashkëshortes

Ish-kryeministri Sali Berisha së bashku me bashkëshorten festojnë dy gëzime në një ditë. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “FB”, Berisha shkruante dje se urimi i tij ishte një ndjenjë mirënjohje e pakufishme për dashurinë. “Sot ne si familje kemi një festë të veçantë, ditëlindjen e Lilit dhe 43-vjetorin e martesës sonë! I pari që e urova Lilin isha unë. Urimi im ishte mbi të gjitha një ndjenjë mirënjohje e pakufishme për dashurinë, mbështetjen, përkushtimin e saj tejet të çmuar këto 43 vite së bashku, pa të cilat unë nuk do mund të isha ky që jam sot. Por edhe një mirënjohje e veçantë për përkushtimin e saj për më shumë se katër dekada ndaj fëmijëve të sëmurë dhe në nevojë të këtij vendi”, – theksoi ish-kreu i qeverisë. Më tej, deputeti demokrat bëri të ditur urimet nga nipërit dhe mbesat si dhe miqtë e shumtë, ndër të cilët spikat ai i dy të rinjve romë, në shenjë mirënjohje për kujdesin e saj ndaj tyre si presidente e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”. “Pas meje, Lilin e uruan me radhë mbesat dhe nipërit Sara, Dalila, Amla, Medina, Lajdoni, Arti dhe e gjithë familja. Urime të panumërta erdhën dhe nga miq tanë të shumtë. Por pas rrethit familjar, buqetën e parë të luleve e sollën Danjela dhe Flori, dy të rinj romë, si mirënjohje për kujdesin e Lilit ndaj tyre. Shumë urime Lili! Gëzuar për shumë mot”, – mbylli Berisha urimin e tij.

 

Share it :