Boronica e kuqe mund të jetë e mirë edhe për personat të cilët i kanë mbijetuar ndonjë goditje në tru. Studimet amerikane të realizuara kohë më parë tregojnë se ekstrakti i kësaj frute mund të ulë dukshëm vdekjen e qelizave pas goditjes në tru. Vdekja e qelizave të trurit kur ato i janë ekspozuar ekstraktit të boronicës së kuqe ka qenë dyfish më e ulët krahasuar me qelizat e trurit të cilat nuk janë ekspozuar në këtë ekstrakt. Rezultatet tregojnë se boronicat e kuqe mund të ndihmojnë në rikuperimin pas goditjes në tru, veçanërisht në fazat e hershme të saj, kur ndodhin më së shumti dëmtime. Boronica e kuqe është e njohur për efektin e saj në trajtimin e problemeve të sistemit urinar, ndërsa disa studime thonë se ato mund të kenë rol edhe në ruajtjen e shëndetit kardiovaskular. Kjo pasi mendohet se boronica e kuqe rrit nivelin e kolesterolit të mirë dhe nivelin e antioksiduesve në gjak.
Pushimet verore sjellin më shumë infarkte
Katër në pesë persona gjatë pushimeve vjetore merren me aktivitete të cilat shtojnë rrezikun për infarkt. Studimet amerikane të realizuara kohë më parë në afro 2500 persona, tregojnë se infarkti është shkaktari më i shpeshtë i vdekjeve derisa njerëzit janë në pushime. Dhe hulumtuesit e shpjegojnë këtë si pasojë të dëshirës së njerëzve për t’u marrë me sa më shumë aktivitete brenda një periudhe të shkurtër kohore. Në hulumtim është vërtetuar se 53 për qind të njerëzve në pushim vjetor janë të ekspozuar ndaj stresit, 34 për qind hanë së tepërmi, 36 për qind pinë shumë pije alkoolike, ndërsa 59 për qind të cilët normalisht janë joaktivë gjatë pushimeve e teprojnë me aktivitet. Rezultatet e studimit po ashtu kanë treguar se infarkti ishte shkaktari më i madh i vdekjeve në pushime, veçanërisht te personat të cilët udhëtojnë me automobil ose që bëjnë kamping. Rreziku i vdekjes gjatë pushimit rritet edhe për faktin se shumë njerëz gjatë kohës ës pushimit harrojnë të përdorin barnat e përshkruara.
Dush të ngrohtë apo të ftohtë?
Pavarësisht nëse dëshironi dush të ngrohtë apo të ftohtë, rekomandohet që para përfundimit të dushit të lëshoni ujë të ftohtë! Në këtë mënyrë poret mbyllen, pastaj lëkura mbrohet nga papastërtitë. Uji i ngrohtë është i mirë sepse hap poret dhe mundëson në mënyrë të efektshme pastrimin e trupit. Megjithatë, dushi i ftohtë ka një sërë përparësish. Para së gjithash, nxit metabolizmin e trupit. Kur uji i ftohtë prek lëkurën ajo tkurret. Gjaku qarkullon nga brenda dhe kështu forcon qarkullimin e trupit. Uji i ftohtë gjithashtu rinon trupin dhe zvogëlon nivelin e stresit. Ndikon në qetësimin e lëkurës së irrituar apo të djegur nga dielli, pastaj në normalizimin e frymëmarrjes. Sa u përket flokëve, uji i ftohtë zvogëlon elektricitetin, pengon thyerjen dhe dëmtimin, pastaj u jep shkëlqim të veçantë. Megjithatë, është mirë të jeni të kujdesshëm. Dushi i ftohtë nuk u rekomandohet personave të cilët kanë probleme me qarkullimin e gjakut dhe me zemrën. Njësoj vlen edhe për personat e moshës mbi 45 vjeç. Dushi me ujë tepër të ngrohtë, sado që të jetë i këndshëm, i ka anët negative. Mund të ndikojë “shumë” në nerva, pastaj në shfaqjen e plogështisë dhe trullosjes, i zhduk vajrat natyrore nga fytyra dhe dobëson tretjen. Dushi tepër i ngrohtë than flokët, por edhe mund ta bëjë edhe lëkurën të vrazhdë dhe të shkaktojë të kruara. Ju intereson mendimi i ekspertëve? Temperatura ideale e ujit për të bërë dush është ajo as e ftohtë as e ngrohtë, përafërsisht dy gradë më e lartë se temperatura e trupit tuaj!




