Kombëtarja e Seleçaos do të sfidojë pancerat në një ndeshje ku do të mungojnë dy nga yjet e saj kryesorë
Brazili dhe Gjermania do të përballen në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në një sfidë e cila do të përcjellë shumë emocione. Një duel i cili mban shumë histori brenda dhe që ka shumë arsye për të qenë i fortë. Mjaftojnë të kujtojmë finalen e 2002-shit, kur brazilianët fituan 2-0 në finale. Një triumf i madh i brazilianëve në atë kohë që me anë të Ronaldos arritën të çonin Kupën e pestë të Botës në shtëpi. Ndërsa nga krahu tjetër, gjermanët kanë që nga viti 1990 që nuk e kanë marrë Kupën në shtëpinë e tyre. Në katër kompeticionet e fundit gjermanët prekin gjysmëfinalet, por pa arritur të bëjnë asgjë. Duket se tashmë është momenti më i mirë i skuadrës dhe duhet ta shfrytëzojë. Ka një skuadër me lojtarë që janë mësuar të luajnë në nivele të larta dhe kanë përvojën e duhur për të zgjidhur ndeshjet e mëdha. Grupi që ka ndërtuar Lëvi ka vite që luan bashkë dhe kjo e ndihmon shumë në momentet e duhura. Nga krahu tjetër, Brazili ka një strukturim tjetër. Në përgjithësi skuadra ka disa kohë që luan bashkë, por Skolari ka shumë lojtarë që kanë jo më shumë se një vit që luajnë rregullisht. Duke llogaritur këtu edhe ndryshimet që bën tekniku, skuadra ka treguar që ka pak vështirësi në përshtatje. Ndërsa fakti i të luajturit në tokën e vet i ndihmon edhe më shumë, pasi mbështetja që tifozët japin për lojtarët e tyre është e jashtë zakonshme. Diferencat midis dy ekipeve nuk është se janë shumë të mëdha. Si në lojtarë, por edhe për sa i përket pjesës së stolit. E vetmja gjë që ndryshon në përballjen midis dy kombëtareve është fakti që Brazili do të hyjë në fushë pa dy nga yjet e saj. Nejmari është ylli i kombëtares dhe tek ai i mbajnë të gjitha shpresat. Mirëpo lojtari në ndeshjen ndaj Kolumbisë pësoi një dëmtim të rëndë pas një ndërhyrjeje nga Zuniga. Dëmtimi i Nejmarit solli edhe reagimin e disa prej emrave më të njohur të botës së sportit, të cilët dalin në krah të yllit brazilian, duke i dhënë kurajo. Argjentinasi Lionel Mesi që është edhe shok skuadre te Barcelona me 22-vjeçarin, shkruan: “Nejmar, miku im, shpresoj që të rikuperohesh sa më shpejt!” Është ky mesazhi që Mesi i dërgoi nga “Facebook”-u si në spanjisht ashtu edhe në anglisht. Por nëse Mesi mendon të mbështesë Nejmarin, Kobi Brajant shfryn ndaj lojtarit kolumbian, Kamilo Zuniga. “Goditja ndaj Nejmarit është një shembull i keq dhe pa klas për ata që konkurrojnë në sport”, – shkruan lideri i Los Anxheles Lejkërs. Ndërkohë, mbrojtësi David Luiz u shfaq mjaft i mërzitur përpara mediave braziliane, pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer dhe golit të shënuar në fitoren e Brazilit. Sipas tij, çdokush në skuadër është i mërzitur për atë që i ndodhi sulmuesit. Për kapitenin Tiago Silva, Nejmar që e ka ëndërruar që fëmijë pjesëmarrjen në Botëror është një nga ata lojtarë që i jep futbollit gëzim dhe magji. Mbrojtësi e pranon se Brazili është i varur nga 22-vjeçari, pasi ai bën diferencën në fushën e lojës. Në fund, Tiago Silva shton se të gjithë shokët e skuadrës do të luftojnë për ta fituar Kupën e Botës edhe për të. Ndërkohë, vetë kolumbiani Kamilo Zuniga shprehet se faulli i tij nuk kishte për qëllim dëmtimin e sulmuesit. “Nuk veprova për të dëmtuar. Në fushën e lojës luajmë fort, por asnjëherë për të dëmtuar kundërshtarët”, – u shpreh lojtari i Napolit. Ndërsa Tiago Silva do të mungojë për shkak kartonësh. Mirëpo lojtari njihet për rolin që ka në skuadër. Mbrojtësi është shtylla kryesore e fazës mbrojtëse, ku së bashku me Davi Luizin formojnë edhe murin e pakalueshëm. Ndërsa fakti i të qenit kapiten e ndihmon shumë për të karikuar skuadrën në momente të vështira. Të dyja këto dy mungesa duket se ia bëjnë të vështirë Skolarit përballjen që gjithsesi ka disa zgjidhje për të bërë. Në vend të Silvës mendohet që do të jetë lojtari i Bajernit, Dante, ndërsa në vend të Nejmarit mund të jetë Uilliam Bernard apo dhe Hernanes. Pavarësisht kësaj, loja do të sjellë shumë spektakël.
Podolski: Gjermania nuk ka yje, por kolektiv
Lukas Podolski ka pranuar se Gjermania nuk ka futbollistë të tillë, si Nejmar e Lionel Mesi, mirëpo falë fuqisë kolektive mund të kualifikohet në finale të Kampionatit Botëror. “Ne nuk kemi lojtarë si Mesi apo Nejmari, të cilët mund të shënojnë me një lëvizje speciale, por ne kemi një skuadër të fortë. Të gjithë janë të bashkuar dhe kjo është e rëndësishme. Mund të jesh skuadra më e mirë në botë, vetëm në rast se e fiton Kupën e Botës. Nëse humb në gjysmëfinale, eliminohesh. Prandaj duhet të fitojmë. Ne luajmë për fitore. Pa dyshim se loja ndaj Brazilit në Brazil do të jetë e veçantë. Do të jetë një ndeshje e shkëlqyer për t’u shikuar, ndërsa neve na kanë mbetur edhe dy triumfe për ta fituar titullin”, – ka deklaruar Podolski.
Murinjo: Silva, mungesë e rëndësishme
Hoze Murinjo thotë se mungesa e Tiago Silvës është handikap më i madh për Brazilin sesa ajo e Nejmarit. Silva është i pezuluar për sfidën ndaj Gjermanisë, teksa Nejmari ka pësuar një dëmtim. “Brazili ka nevojë për Nejmarin, sepse ai është një lojtar që mund të fitojë në situata një në një, sepse ai mund të shënojë gola dhe të shpërqendrojë një mbrojtje. Por, them se Tiago Silva për momentin është më i rëndësishëm se Nejmari. Mungesa e Silvës do të jetë shumë me rëndësi në Brazil për shkak të strukturës së mbrojtjes, është për shkak të stabilitetit që i jep Tiago Silva atij ekipi”, – u shpreh Murinjo.





