Zona numër 1 dhe një pjesë e zonës 2, ku Greqia do të kërkojë naftë, është pjesë e hapësirës detare të Shqipërisë
Media greke: Greqia do të kërkojë një tjetër marrëveshje, por me të njëjtat kushte si ajo e 2009-ës
Greqia nuk do të heqë dorë nga kërkimi i naftës në det. Një projekt i Ministrisë greke të Energjetikës ka zbuluar 20 zonat në të cilat do të kërkohet naftë. Kompanitë më të njohura për kërkimin e naftës do të përqendrohen në të gjitha zonat, me qëllim identifikimin e vendeve më të pasura me naftë. Gazeta greke “Ethnos” shkruan se janë 20 kompani që kanë kaluar në fazën përfundimtare të përzgjedhjes mes tyre dhe gjigantë botërorë për të tilla kërkime si “BP”, “Exon Mobil”, “Chevron”, “Stat Oil” etj. “Vetë zv.ministri përgjegjës për çështjet energjetike në qeverinë greke, Janis Manjatis, u shpreh optimist për ritmin e shpejtë me të cilin kanë përparuar procedurat e tenderimit. Sipas tij, Greqia fsheh në nëntokën e saj sasi të mëdha nafte dhe gazi. Këto rezerva llogariten në afro 20 miliardë euro përfitime për Greqinë në 20 vitet e ardhshme dhe njëkohësisht e kthejnë vendin në një ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në rajon”, – shkruan gazeta greke “Ethnos”. Sipas zyrtarëve grekë, deri tani ka shenja se në shumë prej zonave që do të tenderohen, ka rezerva të mëdha nafte. “Optimizmi i palës greke shtohet edhe për faktin se në zonën Jugore, pranë Qipros janë gjetur rezerva të mëdha gazi, kurse zona veriore të saj, pikërisht në ishujt e Jonit, fillon shtresa naftë-mbajtëse e Patos-Marinzës”, – shkruan shtypi grek.
Hapësira detare e Shqipërisë
Në bazë të fotos të publikuar Ministria greke e Energjetikës, dallohen 20 zona ku mendohet se ka sasi të mëdha nafte dhe gazi. Konkretisht, zona me numër 1 dhe një pjesë e zonës 2 është pjesë e hartës së Shqipërisë dhe jo e shtetit grek. Siç duket, vendi fqinj është bazuar në marrëveshjen e nënshkruar në 2009-ën, por kjo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare dhe që nga vendimi pakti është i pavlefshëm. Konventat ndërkombëtare parashikojnë që një marrëveshje e nënshkruar mes dy vendeve duhet të miratohet në të dy parlamentet përkatëse. Në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë, marrëveshja nuk ka shkuar për miratim në Parlamentin tonë, pavarësisht se është miratuar në Parlamentin grek. Zona ku Greqia do të kërkojë naftë, sipas kufijve detarë, bën pjesë në zonën ekskluzive ekonomike të Shqipërisë. Gazeta “Ethnos” nënvizon faktin e rrëzimit të marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare, por thekson se autoritetet greke nuk e njohin këtë vendim dhe presin që qeveria të ndërhyjë për të miratuar një tjetër pakt mes dy vendeve, por me të njëjtat kushte, ndryshimin e vijës detare. Pak ditë më parë, edhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangjelos Venizelos, i kërkoi Tiranës ratifikimin e shelfit ndërkombëtar me Greqinë, madje duke theksuar edhe ndihmën që Greqia ka dhënë për marrjen e statusit dhe se Shqipëria tashmë duhet të plotësojë një sërë detyrash.
Udhëzimi/ Ndryshimet në ligj, dokumentet që duhen për të birësuar një fëmijë
Ministria e Mirëqenies Sociale ka publikuar udhëzimin se si do të bëhet pranimi i fëmijëve jetimë në institucionet rezidenciale të përkujdesit shoqëror. “Për fëmijët e moshës 0-18 vjeç, subjekti publik dhe jopublik, që ofron shërbime rezidenciale të përkujdesit social, ku vendoset të sistemohet fëmija, paraqet kërkesën për marrjen e kujdestarisë së tyre pranë gjykatës së rrethit të vendbanimit apo vendqendrimit të fëmijës, 12 muaj pas vendosjes së fëmijës në institucion, në zbatim të vendimit të nxjerrë nga gjykata, fëmija qëndron në institucion deri në moshën 18 vjeç”, – thuhet në udhëzim. Për fëmijët që mbushin moshën 16 vjeç në institucionet e përkujdesit 6-16 vjeç, të cilët ndjekin arsimin e mesëm dhe vendosen në konviktet e shkollave, drejtuesi i institucionit duhet të ndjekë ecurinë e fëmijës në bashkëpunim me personat përgjegjës të konviktit ku është vendosur fëmija dhe gjatë periudhës së pushimeve gjatë të cilave konviktet janë të mbyllura, të marrin përsipër akomodimin e fëmijës në institucionin e përkujdesit.
“Institucioni rezidencial i përkujdesit shoqëror, publik apo jopublik, në kujdestarinë e të cilit është fëmija, krijon një dosje personale ku arkivohet dokumentacioni i përcaktuar në kreun i të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 425, datë 27.6.2012, “Për përcaktimin e kritereve dhe të dokumentacionit të nevojshëm për pranimin e personave në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror”, si dhe dosje për planet e përkujdesjes në institucion në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 659, datë 17.10.2005, “Për standardet e shërbimeve të përkujdesit shoqëror për fëmijët në institucionet rezidenciale”. Dosja me dokumente personale dhe dosja e planit të përkujdesit e shoqëron fëmijën në rastet e kalimit nga institucioni 0-3 vjeç në institucionet 3-6 vjeç dhe më pas në institucionet 6-18 vjeç”, – përcakton udhëzimi.
Fëmijët
Kalimi i fëmijëve nga një institucion rezidencial i përkujdesit shoqëror në tjetrin, sipas grup-moshës së tyre do të bëhet me vendim të komisionit të SHSSH-së, qarkut/bashkisë/komunës, në varësi të të cilit ai funksionon, si dhe shoqërohet me një procesverbal të institucioneve të origjinës dhe atyre pritëse. Institucioni, nga i cili transferohet fëmija, kryen procedurat pranë gjykatës për çregjistrimin në institucionin e origjinës dhe regjistrimin e kujdesit të ri në institucionin pritës. Prindërit biologjikë, të afërmit e fëmijës apo familja kujdestare, që kërkojnë të marrin kujdestarinë e fëmijëve të vendosur në institucionet rezidenciale të përkujdesit shoqëror, publik ose privat, i drejtohen gjykatës për të vendosur transferimin e kujdestarisë së fëmijës nga institucioni te personi/familja kujdestare kërkuese. Transferimi i fëmijës nga institucionet rezidenciale të përkujdesit shoqëror, publik ose privat, në familjen kujdestare, bëhet në bazë të urdhrit të ekzekutimit, të nxjerrë nga gjykata dhe pasohet me një procesverbal midis titullarit të institucionit dhe familjes kujdestare që merr fëmijën në kujdestari. Familja kujdestare ka të drejtë të informohet mbi dokumentacionin që gjendet në dosjen për planet e përkujdesjes në institucion të fëmijës.
Dokumentet për birësim
– Kërkesë e institucionit rezidencial të përkujdesit shoqëror drejtuar Komitetit Shqiptar të Birësimeve.
– Certifikatë e lindjes.
– Certifikatë e prindërve biologjikë të fëmijës, nëse ata njihen.
– Procesverbali për marrjen e fëmijës nga materniteti, nëse është marrë prej këtij institucioni ose procesverbalin e strukturave të tjera shtetërore, të cilat kanë gjetur fëmijën.
– Vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror për sistemimin e fëmijës në institucionin rezidencial të përkujdesit shoqëror.
– Vërtetim i cili dokumenton pranimin e fëmijës në institucionin rezidencial të përkujdesit shoqëror, pas marrjes së vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të SHSSH-së.
– Deklaratën me shkrim të prindit biologjik për pëlqimin për birësim ose vendimin gjyqësor që ka dhënë pëlqimin për birësimin e fëmijës, ose vendimin gjyqësor që e ka deklaruar fëmijën të braktisur.
– Kërkesë e institucionit rezidencial të përkujdesit shoqëror për shpalljen e fëmijës si i braktisur.
– Vërtetim i institucionit rezidencial të përkujdesit shoqëror që nuk ka pasur interesim.
– Raport për gjendjen psikologjike, fizike dhe sociale të tij.
– Raport për gjendjen shëndetësore ekzistuese dhe historikun mjekësor.
-Mendimin e fëmijës, nëse ai ka mbushur moshën 10 vjeç, duke pasur parasysh aftësinë e tij për të arsyetuar.
– Pëlqimin e fëmijës për birësim, nëse ai ka mbushur moshën 12 vjeç.
– Raport me të dhëna mbi historikun mjekësor të prindërve, nëse ata dihen dhe informacion për shtatzëninë dhe lindjen.





