Florenc Drizari
Vendorët kundër qeverisë: Decentralizim financiar e fiskal e jo ndarje hartash territoriale
Përfaqësues të njësive: Reforma administrative-territoriale, një demagogji
Reforma e nisur nga mazhoranca për ndarjen e re administrative-territoriale konsiderohet si demagogji nga disa përfaqësues vendorë, njësitë e të cilëve preken drejtpërsëdrejti me reformën në fjalë, shkrihen me njësi më të mëdha ose, siç quhen ndryshe, zona funksionale.
Gjatë takimit të djeshëm të organizuar nga tri shoqata të pushtetit vendor në Shqipëri, Shoqata e Bashkive, Shoqata e Qarqeve dhe Shoqata e Komunave u publikua edhe rezoluta për reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale. Në fjalën e tyre të zgjedhurit vendorë theksuan se në vend që qeveria të vazhdojë me thellimin e decentralizimit dhe zgjerimin e autonomisë vendore, shumica bën hapa mbrapa në decentralizim dhe ngushton autonominë vendore. Vendorët kërkuan decentralizim financiar dhe autonomi fiskale. “E kanë pasur dhe e kanë mendjen vetëm tek harta e ç’është më e keqja, varianti qeveritar e ndan rrethin Delvinë, duke i hequr dy komuna dhe duke krijuar një bashki mbi bazën vetëm të Bashkisë Delvinë dhe Komunës Vergo”, – u shpreh Dhurim Alimani në emër të Bashkisë Delvinë. Nga ana e tij, Ilir Krosi, në emër të qytetarëve të Peshkopisë, tha se qeveritarët me reformën e ndërmarrë nuk i njohin problemet që ndesh sot pushteti vendor.
“Më së pari duhen korrigjuar gabimet dhe hapat mbrapa ne decentralizim; së dyti të vazhdojë reforma decentralizuese dhe, pse jo, të bëhet edhe një riorganizim territorial por pa ekzagjerime e duke pasur në vëmendje interesat e qytetarit dhe jo ato të pushtetit”, – u shpreh ai.
Një tjetër qëndrim kritik ndaj reformës së ndërmarrë nga qeveria erdhi nga Taulant Grembi, kryetar i Komunës Zharrë në Fier. “Nëse do të zbatohet plani i qeverisë, qoftë ai me 39 bashki e qofte ai me 47 bashki, atëherë të ardhurat e Zharrëzës do të përdoren për paga dhe shpenzime operative të Bashkisë së stërmadhe të Fierit e nuk do të përdoren për investime për komunitetin e Zharrëzës”, – tha Grembi. Në këtë aktivitet fjalën e morën edhe disa të zgjedhur të tjerë vendorë, ndërsa kryefjala e tyre ishte zgjerimi i reformës së qeverisë kryesisht në decentralizimin e pushtetit vendor, e më pas tek përcaktimi i kufijve territorialë.
Reforma Territoriale, Turku: Njësitë vendore të kenë garanci për buxhetin
Njësitë vendore duhet të kenë garanci për buxhetin, si pasojë e reformës së re Administrativo-Territoriale. Kështu e cilësoj reformën Territoriale të propozuar nga e mazhoranca, deputeti i Partisë Demokratike, Ardian Turku. Sipas Turkut, si fillim duhet që të arrihet konsensus politik mes opozitës dhe mazhorancës, jashtë Parlamentit, e më pas kjo reformë të miratohet me shumicën e kartonëve. Më tej, ish-kreu i Bashkisë së Elbasanit bëri me dije disa nga detajet që u diskutuan sot në takimin e përfaqësuesve të qeverisjes vendore dhe këshillave të qarqeve, lidhur me reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale.
“Kemi dhënë mendime rreth realitetit në lidhje me procesin e Reformës Territoriale. A është kjo reformë që kërkon kohë apo është e shpejt?! Këto ishin disa nga përmbledhjet e konventës së sotme që mbajtëm ne nga tre shoqata.”-theksoj Turku. Sa i takon reformës që propozon opozita, limitet kohore të vendosura nga mazhoranca nuk kanë kuptim, theksoj Turku. “Këto kanë qenë reforma që më parë kanë kaluar me konsensus politik. Që në fillim të kësaj reforme, ne kemi kërkuar që në tetor të vitit të kaluar, duhet të mbërrinim në një konsensus politik. Duhet të biem dakord me modalitetet dhe afatet. Por pa konsensus politik s’mund të krijohet asgjë. Parlamenti është procesi i fundit që i vë vulën. Konsensusi duhet të fillonte para se të hynte në Parlament, e më pas të miratohej.”,-tha Ardian Turku.
Dhurim Alimani, Bashkia Delvinë
Në vend që të vazhdojë me thellimin e decentralizimit dhe zgjerimin e autonomisë vendore, qeveria bën hapa mbrapa në decentralizim dhe ngushton autonominë vendore, ndaj janë demagogji gjithçka thonë për reforma. Ne do të kërkonim në këtë drejtim, më shumë decentralizim sa i përket administrimit të pronave, shfrytëzimit të resurseve dhe pasurive, decentralizimit financiar dhe autonomisë fiskale. E kanë pasur dhe e kanë mendjen vetëm tek harta e ç’është më e keqja, varianti qeveritar e ndan rrethin Delvinë, duke i hequr dy komuna dhe duke krijuar një bashki mbi bazën vetëm të Bashkisë Delvinë dhe Komunës Vergo. Ky projekt qeveritar e dëmton, e varfëron dhe e izolon Bashkinë e ardhshme, Delvinë. Duke mbështetur riorganizimin territorial, si vazhdim i reformës decentralizuese, varianti më i arsyeshëm do të ishte ai që merr parasysh lidhjet tradicionale, historike dhe ekonomike të zonës tonë, e cila fillon që nga Muzina, vazhdon në Delvinë dhe shkon deri në Nivicë.
Ilir Krosi, Peshkopi
Ju them nga kjo konferencë, me argumentet e sipërcituar dhe shumë të tjerë, se një rreth – një bashki nuk është zgjidhja e problemeve, por do të jetë një problem shtesë që do t’i rëndojë problemet aktuale. Të paktën edhe për 1-2 dekada, kjo gjë nuk duhet bërë.
Më së pari duhen korrigjuar gabimet dhe hapat mbrapa ne decentralizim; së dyti të vazhdojë reforma decentralizuese dhe pse jo, të bëhet edhe një riorganizim territorial por pa ekzagjerime e duke pasur në vëmendje interesat e qytetarit dhe jo ato të pushtetit.
Decentralizimi real, sidomos ai financiar dhe fiskal garanton suksesin dhe zgjidhjen e problematikave të qytetarëve dhe njësive respektive vendore dhe jo bashkimet mekanike në njësi të stërmëdha. Ndaj, ju ftoj të mbështesim platformën tonë decentralizuese, administrative dhe territoriale, për një qeverisje vendore autonome, efektive, me qytetarin dhe për qytetarin e Peshkopisë dhe gjithë Shqipërisë”.
Mahxhid Cungu, Qarku Shkodër
Në të dy projektet e qeverisë, me 39 dhe 47 njësi qeverisëse të nivelit të parë, as që bëhet fjalë për qarqet si nivel i dytë. Nëse do të miratohet ky projekt, atëherë brenda secilit qark do të ketë 3-4 bashki super të mëdha. Edhe nëse numri i qarqeve bëhet 5-6, përsëri brenda secilit qark do të ketë 6-8 bashki super të mëdha. Ç’nevojë do të kenë këto bashki për qarkun, nëse qarku ka po ato kompetenca që ka edhe sot?! Bashkimet e mëdha, në kushtet e deritanishme më shumë i rrinë larg qarkut se sa bashkëpunojnë me të. Mendoni kur bashkimet të jenë shumë më pak në numër dhe shumë më të mëdha në territor dhe popullsi, ndaj reforma duhet të trajtojë edhe qarkun ose qarku duhet të fuqizohet me kompetenca që merren nga drejtoritë e ministrive ose një fuqizim i këtillë i bashkive dhe pakësim i numrit, pa fuqizuar edhe qarkun e bën ekzistencën e qarkut të pakuptimtë! Qarku dhe roli i tij është një çështje e rëndësishme që duhet diskutuar e vlerësuar me kujdes e jo të lihet zvarrë, siç po bën qeveria.
Taulant Grembi, kryetar i Komunës Zharrëz, Fier
Nëse do të zbatohet plani i qeverisë, qoftë ai me 39 bashki e qofte ai me 47 bashki, atëherë të ardhurat e Zharrëzës do të përdoren për paga dhe shpenzime operative të bashkisë së stërmadhe të Fierit e nuk do të përdoren për investime për komunitetin e Zharrëzës.
Kjo s’do të thotë aspak që në Zharrëz jemi kundër riorganizimit territorial, por ai duhet bërë më mend në kokë, për të siguruar zhvillimin ekonomik dhe qeverisje efektive në shërbim të qytetarëve e komuniteteve. Qeveria nuk po i merr parasysh këto. Ajo po bën atë që ka vendosur të bëjë dhe nuk po dëgjon askënd. Zharrëza kërkon të dëgjohet dhe ka të drejtë të dëgjohet ashtu siç kërkojnë dhe kanë të drejtë të dëgjohen të gjithë vendorët e tjerë. Ashtu siç kërkojnë dhe kanë të drejtë të dëgjohen banorët e Zharrës dhe të të gjithë bashkive e komunave të vendit. Qeveria e ka për detyrë të na dëgjojë. Ndaj unë, në emër të komunitetit të Zharrëzës i them “jo” projektit qeveritar dhe i bashkohem konkluzioneve dhe ideve reformuese të kësaj konference ku jemi mbledhur sot për të shpallur platformën tonë decentralizuese, administrative dhe territoriale”.
Fatmir Guda, kryetar i Bashkisë Leskovik
Në emër të qytetarëve të Leskovikut dëshiroj të shpreh kundërshtimin tonë për variantin qeveritar të shndërrimit të rrethit Kolonjë në një bashki të vetme. Këtë mendim e kam thënë publikisht në media dhe në aktivitete të ndryshme. Kanë folur bashkë më mua edhe qytetarët e Leskovikut.
Riorganizimi territorial i qeverisjes vendore është një nga mundësitë për të përmirësuar demokracinë dhe qeverisjen vendore por i bërë në mënyrën siç po e bën qeveria ai jo vetëm nuk do të sjellë përmirësim por do të krijojë probleme të mëdha, veçanërisht të zonat malore, ku njësoj si Leskoviku, Erseka dhe komunat e rrethit tonë, ndodhen edhe shumica e njësive vendore të vendit.
Reforma territoriale e qeverisë, e cila në fakt nuk është asgjë më shumë se sa një copë hartë e ndarë në 39-47 njësi, që në krye të herës është antikushtetuese, sepse Kushtetuta përcakton se ndryshimet territoriale kryhen duke pyetur më parë qytetarët si dhe konsiderohen interesat ekonomike dhe traditat historike të secilës zonë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë moment me propozimin qeveritar.




