Anxhela Tato
Ekspertë të akuzës shprehen se mbetjet e barutit mund të shkaktohen nga shumë komponentë, si duhani apo tymi i makinës
Dyshimi për kushërinjtë Gjozi, Prokuroria në pritje të përgjigjeve të kompanive celulare dhe të ekspertizës kimike
“Rrëzohet” policia në konkluzionin për gjetjen e gjurmëve të barutit në duart e dy kushërinjve Gjozi. Burime nga organi i akuzës kanë bërë me dije se nuk mund të dilet në përfundime paraprake, pasi baruti mund të jetë si rrjedhojë e përdorimit apo kontaktit të lëkurës me produkte të ndryshme. Pa pasur në dorë ekspertizën e provëzës me lëndën kimike dërguar në laborator, çdo gjë mbetet në rangun e dyshimeve. Sipas Prokurorisë, duhet pritur edhe përgjigjja nga kompanitë celularë, e cila do të faktojë nëse dy kushërinjtë Gjozi janë autorët kryesorë të dyshuar për vrasjen e bankierit Artan Santo. Mbetjet e barutit, sipas Prokurorisë, janë grimca të vogla kimike që pas shkrepjes së armës, shpërndahen në ajër dhe mbeten në pjesë të trupit që janë të ekspozuara. Edhe pas larjes, kjo lloj lënde nuk largohet lehtë dhe pas ekzaminimit kimik shfaqet qartë në pjesën e duarve, krahëve apo fytyrë. Ekspertët thanë se mbetje baruti apo bloze në trupin e njeriut mund të shkaktohet edhe nga duhani, guri fleksibël, tymi i makinës apo edhe shumë komponentë të tjerë. Zyrtarisht, policia tha se dy të rinjtë, në momentin e ndalimit, nuk kishin të veshura rrobat me të cilat dyshohet të kenë kryer krimin dhe po punohet për gjetjen dhe sekuestrimin e veshjes së asaj dite.
Hetimet
Të pyetur për këtë fakt, pjesëtarë nga grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës thanë se përveç përfundimit të raportit të ekzaminimit ata janë në pritje të përgjigjeve edhe nga kompanitë telefonike. Këtyre të fundit u është kërkuar zbardhja e vendndodhjeve përmes antenave të numrave të telefonit që dy kushërinjtë Gjozi kishin në përdorim. Kjo do të mundësonte zbulimin e të gjitha lëvizjeve dhe itinerarit të ndjekur nga të afërmit Gjozi gjatë gjithë ditës së enjte. Përmes aparateve celularë do të verifikohet nëse ditën e ngjarjes Klodian dhe Gazmir Gjozi kanë qenë në Tiranë. Avokati dhe vetë të dyshuarit kanë mohuar të kenë lidhje me ekzekutimin e Santos. Ata pretendojnë se gjithë ditën e enjte kanë qenë në fshat, duke punuar së bashku me shumë persona të tjerë në shtrimin e tubave të ujit të pijshëm në zonë. Kjo alibi do të zbardhet me pyetjen e banorëve të fshatit. Edhe motori i Klodian Gjozit, i sekuestruar në servisin ku ishte dërguar për riparim, rezulton se nuk ka të njëjtat të dhëna me motorin e shfaqur në fotot dhe videot e shpërndara nga policia. Nga krahasimi i tyre rezulton se motori i atentatorëve kishte dy pasqyra dhe dy marmita, ndërsa ai i të arrestuarve, kishte nga një. Policia tha se motori i të arrestuarit Klodian Gjozi është vjedhur në Selanik, ku ky i fundit ka vuajtur disa vite burg për aksident rrugor me pasojë vdekjen. Për sa i përket motorit të gjetur në një magazinë të dyshuar se përdorej nga vëllai i baronit të drogës Kujtim Çela, Prokuroria u shpreh se është sekuestruar për mungesë sinjalizimesh nga policia. Për organin e akuzës efektivët e policisë kanë vepruar me iniciativën e tyre, në mungesë të dyshimeve apo provave për të sekuestruar motorin dhe skafandrat, të cilët nuk i përkasin vrasësve me pagesë. Në magazinën që mendohet se ka lidhje pronësie me Kujtim Çelën, vëllain e të kërkuarit Gëzim Çela, është gjetur edhe motori që ka të njëjtën markë dhe numër serie me skafandrat në fjalë. Motori ka markë tjetër dhe numër kubikësh tjetër nga ai që është përdorur në vrasjen e Santos në Tiranë.
Vlorë/ Vetëvaret me çarçaf në qeli Ervis Hysi, dhunoi gruan me levë
I jep fund jetës në qelitë e paraburgimit Ervis Hysi. Nën një gjendje të rënduar psikologjike, duke mos ia falur dot vetes dhunën e ushtuar ndaj gruas së tij, i riu është gjetur i varur në litar në qeli. Hysi është arrestuar nga policia më 13 maj për veprën penale “Dhunë në familje”. 32-vjeçari, banues në lagjen “24 Maj” në Vlorë, të dielën e 11 majit ka marrë bashkëshorten e tij A. H., 24 vjeçe, dhe fëmijën e tyre nga banesa e prindërve të saj, e ka çuar në periferi të fshatit Kotë, ku ka ushtruar dhunë ndaj saj. Sipas policisë, ai e ka goditur me levë bashkëshorten e tij dhe më pas e ka braktisur atë në afërsi lumit të fshatit Kotë. Familjarët e gruas kanë njoftuar policinë e cila është vënë në kërkim të saj dhe brenda një kohe të shkurtër ka mundur ta gjejë atë si dhe të kryejë arrestimin në flagrancë të Ervis Hysit. Nga hetimet dyshohet se shkak për këtë ngjarje të ishte xhelozia.
Lazarat/ Arrestohet 60-vjeçari që sulmoi me armë policinë, iu gjet 1 ton marijuanë
Policia ka arrestuar një tjetër person që dyshohet se ishte pjesëtar i “grupit të zjarrit” që qëlluan ndaj policisë në aksionin e Lazaratit. Pertef Brahimi, 60 vjeç, është arrestuar nga policia, pasi në tavanin e banesës iu gjet 1 ton marijuanë. Gjithashtu ai akuzohet për sulm ndaj policisë dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, aksioni në Lazarat ka vijuar edhe ditën e djeshme, ku nga kontrolli i ushtruar në 8 banesa e ambiente përreth, janë arritur të zbulohen një tjetër arsenal armësh. Kështu është arritur të zbulohen dhe sekuestrohen 7 armë zjarri kallashnikov, 1 aparat minakërkues, 6 krehra fishekësh dhe 2410 fishekë. Operacioni i policisë në Lazarat është në ditën e 18, ndërsa deri më tani numri i të arrestuarve shkon në 38 persona. Në këto ditë të aksionit të policisë në Lazarat janë asgjësuar 133.567 rrënjë bimë narkotike dhe fidanë, si dhe janë kapur 65 ton e 86.937 kg kanabis sativa. Gjithashtu janë gjetur edhe 5 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 4.395 kg farë kanabis sativa dhe rreth 16.8 litër vaj hashashi. Ndërkaq janë gjetur 410 armë zjarri automatike, 27 pistoleta, 2 snajper, 36 mitraloz të llojeve të ndryshme, 4 mortaja dhe 6 granatahedhëse.
Tiranë/ Arrestohen grabitësit e celularëve, dokumentohen 10 raste
Mbi 10 raste të grabitjeve të armatosura me dhunë ndaj qytetarëve në Tiranë kanë autorë 4 të rinj, të cilët janë arrestuar pas mesnatës së 1 korrikut nga komisariati numër 2 i kryeqytetit. Pas hetimit ndaj tyre është dokumentuar implikimi në disa vjedhje me dhunë i 17-vjeçarit me inicialet D. S., i 23-vjeçarit Aleksandër Gjoni, 18-vjeçarit Jupe Braja dhe 19-vjeçarit Xhuljan Gjoshi, të katërt banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye pasi ka rezultuar se shtetasit e mësipërm dyshohet të jenë autor të vjedhjes me dhunë, të shtetasit G. Xh., vjedhje e ndodhur më datë 29.6.2014, në bulevardin “Gjergj Fishta”. Nga kryerja e veprimeve hetimore të shtetasve ju gjetën dhe ju sekuestruan me cilësinë e provës materiale, disa telefona të vjedhur. Po ashtu, është bërë u bë dokumentimi i disa vjedhjeve me dhunë, që këta shtetas kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kohë e vende të ndryshme. Më datë 19.12.2013 në rrugën “Nikolla Lena”, vjedhje me dhunë ndaj shtetasve A. B., ku kanë arritur të marrin disa telefona celular. Më datë 26.4.2014, në rrugën “Medar Shtylla”, vjedhje dhe plagosje e lehtë me dashje ndaj shtetasve B. M. dhe V. M. Më datë 28.4.2014, në ambientet e një qendre tregtare kanë vjedhur me dhunë çantën e një shtetaseje. Më datë 22.4.2014, në rrugën “Mine Peza“, kanë vjedhur nga qafa varësen e floririt shtetases M. D. Më datë 24.5.2014, në rrugën “Myslym Shyri“, kanë vjedhur telefonin tip “HTC” shtetasit Th. Q. Më datë 27.1.2014, në rrugën “Karl Gega”, kanë vjedhur portofolin shtetasit E. L. Materialet iu referuan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë.




