Lazarat / Kapet 1 ton drogë, zbulohet baza e përpunimit të vajit të hashashit

Sonila Mesareja

Policia: Baza përdorej edhe për përpunimin e marijuanës dhe paketimit të saj në formën e çokollatave, shpallet në kërkim Maliq Bejko

 

lazarat_droge_armeLazarati ende në qendër të vëmendjes, çdo ditë kapen drogë apo armë, si dhe arrestohet ndonjë nga banorët e përfshirë në kultivimin e drogës apo si i dyshuar për qëllim me armë ndaj uniformave blu. Në çdo banesë të fshatit apo territorin e komunës ushtrohet kontroll, çka ka bërë që të arrihet në gjetjen e një tjetër baze laboratorike ku prodhohej vaj hashashi. Kjo bazë u zbulua gjatë ditës së djeshme, ku nga kontrollet është mundur të zbulohet baza që prodhonte jo vetëm vaj hashashi, por që shërbente edhe për përpunimin e marijuanës, me të cilën përgatiteshin çokollata. Gjithashtu, dje u bë e mundur që të asgjësohej edhe 1 ton marijuanë, e cila u gjet në një banesë. Policia bën me dije se droga u sekuestrua në banesën e Maliq Bejkos. Në banesën e këtij shtetasi u sekuestruan edhe 2 automjete, si dhe u shpall në kërkim pronari i kësaj banesë, shtetasi Maliq Bejko. Më herët u arrestuan edhe dy persona, njëri për kultivim të bimëve narkotike dhe tjetri për marrëdhënie seksuale me dhunë, duke e çuar në 33 numrin e të arrestuarve në Lazarat. Policia e Shtetit ka bërë me dije se do të vijojë operacionin në Lazarat për kontrollin e territorit dhe ambienteve, me qëllim gjetjen e asgjësimin e lëndëve narkotike, sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimore, si dhe vënien para drejtësisë të atyre personave që kanë kryer veprime të kundërligjshme.

 

Kontrollet

Plot 55 thasë me marijuanë janë gjetur gjatë kontrollit të një banese në Lazarat. Lënda narkotike u gjet në papafingon e banesës së shtetasit Maliq Bejko, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Ndërkaq, është sekuestruar droga prej 1 ton, si dhe dy automjetet që ndodheshin në oborrin e banesës. Po në Lazarat, gjatë orëve të paradites, në një banesë tjetër u zbulua një bazë ku prodhohej vaj hashashi dhe përpunohej marijuana në formë çokollate. Po kështu u sekuestrua makineria që prodhonte çokollatën dhe vajin e hashashit, 3 litër vaj hashashi, si dhe format që bëhej droga çokollatë. Në vijim të operacionit të policisë në Lazarat, një tjetër person ka rënë në prangat e policisë paraditen e djeshme duke e çuar në total 33 numrin e të arrestuarve. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 61-vjeçarit Ismail Buci, iu gjetën në papafingo 7 thasë me marijuanë, në një sasi totale prej 82 kilogramë. Deri më tani janë arrestuar 33 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë, për shkatërrim prone. Burime policore bëjnë me dije se nga kontrollet e ushtruara në 787 banesa gjatë këtyre ditëve, që nga fillimi i ndërhyrjes në Lazarat, në total janë zbuluar dhe asgjësuar rreth 62.5 ton dhe rreth 134 mijë rrënjë kanabis sativa.

 

Bilanci

Nga policia vjen edhe një bilanc për asgjësimin e drogës dhe kapjes së armëve dhe municioneve, si dhe laboratorëve ku përpunohej droga. Ndërhyrja në Lazarat ka bërë të mundur asgjësimin e rreth 133.567 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe kapjen e një sasie mbi 62 ton e 515 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminimin. Janë gjetur 5 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës Lazarat, janë sekuestruar dhe 14 kg e 750 gram lëndë narkotike e dyshuar çokollatë (me datë 20.06.2014 në banesën e R.Gaba në Lazarat u gjet një sasi prej rreth 13 kg, e cila pas verifikimeve rezultoi e dyshuar lëndë narkotike çokollatë dhe një tjetër sasi ishte sekuestruar në një tjetër ambient), si dhe 3 kg farë kanabis sativa, rreth 8.8 litër vaj hashashi. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë ku u sekuestruan 27 llampa për ngrohje.

 

Armët dhe municionet e sekuestruara

 

– 401 armë zjarri automatikë (312) dhe pushkë (89),

– 25 pistoleta,

– 2 snajper,

– 1 mitraloz kundërajror me gjithë shtrat, 26 mitraloza, 1 gulinov, 4 antitank, 4 murtaja dhe 5 granatëhedhës,

– 7 armë të vjetra, si dhe 27 armë gjahu, 2 pistoleta shenjëdhënëse, 1 armë pneumatike.

– janë gjetur e sekuestruar 45 armë të djegura: snajper, automatikë, pushkë, pistoleta armë gjahu etj., po ashtu dhe pjesë armësh si 1 silenciator dhe 6 krëhra, si dhe 60 fishekë.

– janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme municioni si: 221.737 fishekë të llojeve të ndryshme, 1158 kallëpe tritol, 718 granata, 360 predha granatëhedhësi e murtaje, 19 mina kundër këmbësorisë, 3539 kapsolla detonatorë, 1234.8 ml fitil zjarrpërcjellës dhe një sasi tjetër fitili zjarrpërcjellës, 593 krëhra fishekësh, 29 mbushje predhash.

– janë sekuestruar pjesë gulinovi 3, pjesë pushke, tyta armësh 4, nga këto 2 të djegura.

– janë bllokuar për këqyrje të mëtejshme 37 automjete nga këto 11 mjete me armë e kanabis brenda tyre, po ashtu janë shoqëruar 17 automjete të tjera.

– janë bllokuar dhe 4 mjete të djegur (2 furgonë, 1 veturë dhe 1 kamionçinë).

– janë sekuestruar 37 targa automjetesh.

– janë sekuestruar 12 pajisje presuese droge, 9 kallëp presash, 20 gërshërë për krasitje kanabisi, 2 pajisje për vakum ajri, 2 pajisje për filtrim uji, ventilatorë të fuqishëm, makineri për presim qesesh 1 dhe 1 peshore.

– është sekuestruar 1 aparat kërkues floriri dhe 4 kasaforta.

– është gjetur e sekuestruar 1 metalkërkues,

– dokumente identitetesh të ndryshme, uniforma policie.

– 7 maska, 1 jelek multifunksional policie, 2 palë doreza, 1 dylbi termike, 1 dylbi optik, 1 dylbi nate, 1 dylbi i djegur.

– nga kontrolli i forcave të policisë në territoret përreth banesës së një shtetasi në fshatin Kordhocë, në një tunel u gjet një sasi prej 26 milion e 480 mijë lekë të vjetër, të cilët u bllokuan me cilësinë e provës materiale.

– një sasi e madhe gëzhojash

– kamera vëzhgimi 5, monitor kamera 1, laptopë 2, 1 makineri për kontrollin e kartëmonedhave, 1 njësi kompjuteri, 1 dvr,

– radio transmetuese 7, karikues radio 1, pajisje për shpërthim 3,

– e një sërë materialesh të tjera.

 

 

 

Share it :