Dy ditë pas krimit / Çipa: Krimi, i mirorganizuar, Santo nuk ka njoftuar për kërcënime

Sonila Mesareja

Numri një i Policisë së Tiranës shfajëson policinë për ngjarjen: Efektivi i Rrugores ndoqi autorët, nuk është çështje e mungesës së gatishmërisë

 

Motorri-i-vrasesve-te-SantosDy ditë pas vrasjes së biznesmenit dhe bankierit të njohur Artan Santo, Policia e Tiranës ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka shmangur veten nga çdo përgjegjësi lidhur me këtë vrasje. Gjithashtu, numri një i policisë së kryeqytetit ka justifikuar edhe veprimet apo mosveprimet e efektivëve të policisë apo Rrugores, me argumentin se nuk kishin ndonjë informacion se 58-vjeçari, drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i bankës “Credins” kishte marrë ndonjë kërcënim nga dikush më herët. “Bankieri Artan Santo, drejtues prej vitesh i bankës “Credins”, nuk ka pasur probleme dhe s’ka pasur asnjë njoftim se mund të rrezikohej jeta e tij, por shtoi se po hetohet gjithë aktiviteti i Santos dhe çdo e dhënë që mund të çojë në identifikimin e autorëve” u shpreh drejtori i Policisë së Tiranës. Sipas tij, fakti që dy autorët që ekzekutuan tri ditë më parë bankierin Artan Santo arritën të dilnin nga Tirana me motorin e krimit, nuk është aspak për mungesë të gatishmërisë së policisë, por se krimi ishte i mirorganizuar. Ndërkohë që dha edhe disa detaje më se të dukshme edhe nga fotot për dy vrasësit. Ardian Çipa konfirmoi faktin se autorët udhëtonin me një motor të zi, pa targa, me kokore dhe të armatosur, ndërsa theksoi se kishin trupa mesatarë.

Itinerari

Më pas, drejtori Çipa përshkroi në deklaratë për mediat edhe një herë itinerarin e përshkruar nga autorët para dhe pas ngjarjes. Autorët udhëtonin me motor të zi pa targa të veshur me të zeza, dhe ndërsa kanë ndjekur makinën e Santos nga banesa e tij pranë Liceut Artistik duke kaluar nga Ambasada Italiane, përballë Radio-Televizionit Shqiptar, më tej tek Kryeministria, Kryesia e Kuvendit dhe së fundi në bankën “Credins” tek ish-Blloku, ku Santo shkonte si çdo ditë në zyrën e tij. Autorët janë pikasur nga kamerat e sigurisë tek kryqëzimi pranë Kryeministrisë ku duken fill pas automjetit të bankierit Artan Santo. Ata e kanë pritur të zbriste nga makina për t’iu drejtuar bankës, e kanë qëlluar me armë që dyshohet të ketë qenë me mulli, pasi nuk është gjetur asnjë gëzhojë, dhe nga ky moment janë larguar me motor, ku janë pikasur sërish nga kamerat e sigurisë tek kryqëzimi i Librit Universitar. Sipas tij, në ndjekje të tyre u vu menjëherë një efektiv i Policisë Rrugore, me motor, i cili në momentin e krimit, ishte afër vendit të ngjarjes. Disa shërbime u ngritën në drejtimin nga po udhëtonin autorët e vrasjes si dhe u ngritën pika të përforcuara kontrolli në të gjitha daljet e Tiranës. Autorët u ndoqën deri në afërsi të Liqenit të thatë, duke përshkuar rrugëkalimet përmes pallateve në lagjen “Komuna e Parisit” Tiranë. Aty mjeti në ndjekje i humbi kontrollit të efektivit të policisë, për shkak të devijimit të rrugës dhe shpejtësisë së lartë të mjetit. Autorët e dyshuar kanë dalë nga Tirana përmes zonës së Yzberishtit, duke përdorur rrugë dytësore, nëpërmjet nënkalimin të Kasharit e më pas nëpërmjet rrugës nacionale të aeroportit të Rinasit, duke u drejtuar drejt zonës së Fushë-Krujës. Policia e Fushë-Krujës mori masa për ngritjen e pikës së kontrollit në hyrje të qytetit dhe rrugën nacionale. Në këtë zonë, sipas Çipës, mjeti motor me 2 autorët e dyshuar është konstatuar nga një tjetër patrullë e qarkullimit, e cila është vënë në ndjekje të tyre, deri në Urën e Gjolës, vend ku kanë devijuar sërish dhe kanë hyrë në fshatrat e zonës, pa hyrë në Fushë-Krujë. “Është ngritur menjëherë grupi hetimor në përbërje të të cilit ishin ekspertë kriminalist për krimet e rënda, të cilët kryen veprimet e para hetimore duke fiksuar dhe administruar provat në vendin e ngjarjes”, – bëri me dije numri një i policisë së kryeqytetit.

Kontrollet

Më pas, drejtori tregoi për hapat e mëtejshëm të policisë, pas humbjes së gjurmëve të dy autorëve. “Nga ana tjetër, duke analizuar informacionet e marra në terren me mbështetjen dhe të shërbimeve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcës së Posaçme të DPQ janë kryer kontrolle të imtësishme në zonën e Krujës, Laçit, Lezhës, kontrolle që vijojnë edhe në këto momente”, – shtoi z. Çipa, duke shtuar se “duke bashkëpunuar ngushtësisht me strukturat e Policisë së qarqeve Durrës dhe Lezhë, janë kontrolluar të gjitha objektet të cilat kishin kamera të vendosura nga Ura e Gjolës deri tek nënkalimi i Mamurrasit ku janë marrë si prova materiale pamjet filmike para dhe pas ndodhjes së ngjarjes, që dokumentonin itinerarin e lëvizjes së motorit të dyshuar”. Grupi hetimor i kryesuar nga Prokuroria e Rrethit Tiranë po heton me intensitet për të dokumentuar shkaqet e vrasjes, si dhe identifikimin e autorëve të saj.

Shpërblimi

Policia rikujton edhe një herë shpërblimin e vendosur për dhënie informacioni, përkatësisht 100 mijë euro. Ky shpërblim vendoset për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin e autorëve, duke siguruar anonimat të plotë. “Gjithashtu, u bëjmë edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve të ndihmojnë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, duke dhënë çdo informacion të nevojshëm”, – përfundoi komunikimin me mediat Çipa.

 

 

Vrasja e Santos

Pyetet në burg vëllai i baronit të drogës, Kujtim Çela

 

Në vijim të hetimeve intensive për zbardhjen e vrasjes së bankierit Artan Santo, mësohet se gjatë ditës së djeshme janë pyetur në burg shtetasit Astrit Bushi dhe Kujtim Çela, të cilët qëndrojnë pas hekurave nën akuzën e trafikimit të drogës, pas zbulimit të një laboratori kokaine në një vilë në Mamurras. Kujtim Çela është vëllai i Gëzim Çelës, i cilësuar si baroni i drogës. Ai vijon të jetë ende i lirë, duke i shpëtuar operacionit antidrogë në banesën e tij në Fushë-Kuqe të Mamurrasit, ku u gjet kokainë me vlerë disa miliona euro, si dhe një arsenal armësh. Mbetet e paqartë se si mundi Gëzim Çela, një njeri jo pak i njohur për policinë e drejtësinë shqiptare në tërësi, t’ju shpëtonte prangave.

 

Policia

Lihen të lirë dy kushërinjtë Tushaj dhe vëllezërit Gjozi

 

Katër nga të shoqëruar pas vrasjes së Santos janë lënë të lirë. Burime policore kanë konfirmuar se pas marrjes në pyetje, dy kushërinjtë nga Lezha, Bledar dhe Kreshnik Tushaj, janë lënë të lirë. Emrat dy kushërinjve dolën gjatë marrjes në pyetje të ish-pronarit të motorit me të cilin dyshohet se është kryer krimi, por edhe të pronarit të servisit ku dyshohet se u modifikua motori me të cilën lëvizën vrasësit e Santos mëngjesin e 25 qershorit, ditën kur dy atentatorët i morën jetën. Së bashku me dy kushërinjtë nga Lezha janë lënë të lirë edhe vëllezërit Sajmir dhe Klodian Gjozi, pasi alibia e tyre është plotë dhe nuk është krijuar dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e tyre në ngjarje.

Share it :