Ceremonia mortore/ Lule dhe lot, përcillet për në banesën e fundit bankieri Artan Santo

 Anxhela Tato

homazhe per artan santon 2 Makina e kortezhit u mbulua me lule të bardha nga punonjësit në ndalesën e fundit tek banka “Credins”

Homazhe 6 orë në shenjë nderimi, politikanë, artistë dhe kolegë ngushëllojnë familjen Santo

Mes lotësh, hidhërimi dhe lulesh është përcjellë për në banesën e fundit njeriu që la një gjurmë shumë revolucionare në sistemin bankar. Ceremonia mortore është zhvilluar ën orën 16:00 në Sharë, ku i është dhënë lamtumira nga familjarë, miq, të afërm, kolege, punonjës dhe njerëz të thjesht, një shenjë respekti i vogël për një figurë të rëndësishme të fushës së ekonomisë. Kortezhi me trupin e pajetë u përshëndet pasditen e djeshme për herë të fundit me Tiranën e tij, bankën “Credins” të cilës i kushtoi jetën, punonjësit e selisë qendrore të institucionit bankar, të cilët mbuluan me lule vendin ku ai u qëllua për vdekje në një atentat të mirëorganizuar një ditë më parë. Makina me trupin e pajetë të Artan Santos, e mbuluar me lule të bardha, u ndal në derën e selisë qendrore të bankës së tij, ku e pritën me lule në duar, lot në sy dhe dhimbje të madhe punonjësit e bankës ‘Credins’. Askush prej tyre nuk e kishte menduar se lamtumira do ishte e tillë, prandaj rendën të vendosin nga një lule në shenjë mirënjohje dhe respekti për figurën e tij. Më pas vijoi rrugën drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet përgjithnjë bashkëpronari i ‘Focus Group’ Artan Santo. Pas rreth 6 orësh homazhe në hotelin “Sheraton”, ku përpara trupit të pajetë të biznesmenit të njohur u përkulën me nderim e respekt miqtë e tij, kolegët bashkëpunëtorët, figura të njohura të artit, biznesit dhe politikës, medias kushdo që e njohu dhe vlerësoi zotin Santos, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Familjarët priten me dhimbje ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Para arkivolit me trupin e pajetë të biznesmenit u përkulën me respekt kryeministri i vendit, ministra, drejtuesit e “Focus Group”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ambasadori Italian, deputetë, gazetarë, artistë e qytetarë të thjeshtë. Pas ceremonisë së homazheve rreth orës 16:00 trupi i bankierit dhe biznesmenit të suksesshëm u nis drejt banesës së fundit pranë varrezave të Sharrës. Jeta e tij u shua mëngjesin e djeshëm, pas një atentati kriminel në dyer e bankës së tij ‘Credins”, por kujtimi i tij do i mbetet gjatë në mendje e çdo personi që e njohu.

 

Kreu i PD: Lamtumirë një miku dhe punëtori të palodhur

Rreth orës 14:00 para arkivolit me trupin e pajetë të biznesmenit Artan Santo u përkul me respekt Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij. Ai u shprehu ngushëllime familjes dhe la shënimet e fundit në librin e kujtimeve. “Sot i japim lamtumirën e fundit Artan Santos, një miku, një qytetari një punëtori të pa lodhur. Një dritë shprese që njerëzit gjenin tek ai, pasi nuk e gjenin gjetkë. Të një miku të madh të artit dhe artistëve të një babai, bashkëshorti, biri. Ngushëllimet e mia më të ndjera për familjen e Tan Sontos. Uroj që zoti t’ua lehtësojë dhimbjen dhe t’i lejë me kujtimet më të mira të të shtrenjtit të tyre. Është një krim makabër, një mizoritet mafioz. Ngjalli terror dhe frikë. Si i tillë do shërbejë si një thirrje madhe qytetare, si një ngritje në këmbë për t’i dalë para dhe për ta ndalur të keqen me çdo kusht”, – u shpreh Basha.

 

Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit nderojnë trupin e pajetë të Santos

Pjesë e homazheve u bë dhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ka ndaluar për disa sekonda pranë trupit të pajetë të mikut të tij, Artan Santo. Së bashku me Kryeministrin Rama, ishte dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhin. Më tej, Rama ka ndalur pranë bllokut të fundit të kujtimeve, në ndër të kujtimit të Artan Santos. Aty ai ka lënë kujtimin e fundit për biznesmenin e njohur. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Ilir Meta.

 

Ministrat Tahiri, Panariti dhe Koka nderojnë për herë të fundit të ndjerin

Pjesë e homazheve ishte dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka ndalur para trupit të të ndjerit Artan Santo, ku i bëri nderimet e fundit. Ministri Tahiri nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment për gazetarët, në lidhje me këtë ngjarje. Pjesë e homazheve ishin dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, dhe Ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Pas nderimeve të kryera pranë arkivolit, me trupin e të ndjerit Artan Santo, të dy ministrat kanë lënë kujtimet e tyre të fundit, në bllokun e ngushëllimeve.

 

Ish-kryeministri Fatos Nano në homazhe

Pjesë e homazheve është dhe ish-kryeministri i vendit, Fatos Nano, së bashku me bashkëshorten e tij, Xhoana Nanon. Në shenjë respekti, bashkëshortja e Nanos, u ndal para arkivolit, me trupin e pajetë të Artan Santos, me një tufë me lule. Më pas, Fatos Nano ka lënë shënimet e fundit në bllokun e kujtimeve, në ndër të të ndjerit Artan Santo.

 

Dhoma Amerikane e Tregtisë: Dhimbje për humbjen e Artan Santos

Dhoma Amerikane e Tregtisë shpreh dhimbjen dhe keqardhjen e thellë për humbjen e bankierit dhe biznesmenit të njohur, z. Artan Santo. Dhoma Amerikane i dërgon ngushëllimet më të sinqerta dhe ndihet pranë familjes së z. Santo në këto momente të vështira dhe të dhimbshme për ta. Si një organizatë biznesi, e interesuar për zhvillimin e një klime të qëndrueshme për biznesin në vend, Dhoma Amerikane e Tregtisë mendon se kushtet e sigurisë dhe garancisë për jetën e qytetarëve dhe biznesit jane një faktor kyç në thithjen e investimeve të huaja. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private e biznesit e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.

 

Ardian Fullani: Humbje e madhe për sistemin banker, për mikun tonë kujtimet më të mira. Do na mungojë buza gaz e Tanit, i qeshur. Jeta vazhdon ta kujtojmë gjithmonë për të mira. Është një humbje për sistemin bankar, se ai e krijoi vet institucionin dhe e çoi para. Një institucion që i bëri ballë krizës bankare. Banka ka një staf të përgatitur i cili i motivuar me dhimbje por i motivuar për ta çuar duke i bërë respektin e fundit këtij djali për ta vazhduar punën e tij dhe për të pasur jo vetëm një institucion solid por një institucion të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.

 

Tinka Kurti: Me dhimbje e lot në sy, aktorja e madhe shqiptare Tinka Kurti ka shprehur ngushëllime për humbjen dhe ndarjen nga jeta e Artan Santos. Pas homazheve, Kurti lëshoi një mesash të fortë për të gjithë. “Santo që atëherë kishte dëshirë që tj’a dilte mbanë. Më ka ardhur shumë keq, dhe është dhimbje e madhe. Ne duhet ta duam njëri-tjetrin, duam mirëqenie, duam buzëqeshje.”-u shpreh Tinka Kurti, për ‘News24’.

 

Jozefina Topalli: Të gjithë jemi të shokuar. Kjo është ngjarja më e rëndë, pas vrasjes së Azem Hajdarit. Do them ato fjalë që mendoj për zotin Santo. Impresionues që në takimin parë, inteligjent, njeri i shkolluar. Vlerësoj kontributin e tij. Ajo që ka ndodhur është më e rëndë nga ç’mund ta themi me fjalë. Ngushëllime familjes!

 

Koço Kokdhima: Është një ditë dhimbje, jo vetëm për familjen, për të afërmit, për bashkëpunëtorët, por dhe për qytetarët e Shqipërisë. Kjo ishte një goditje që u bë të gjithëve. Ne e kishim mik, shok dhe kam folur vazhdimisht me të.

 

Anastas Angjeli: Akti kriminal më ka tronditur jo vetëm për mua po për gjithë opinionin publik. Humbëm një mik, unë humba një shok shkolle, një mik profesioni, një bashkudhëtar në sistemin e financave, një aktor të rëndësishëm të mediave dhe sistemit bankar një mik të mirë dhe familjar të mirë. Është detyrë e autoriteteve ligjore të veprojnë me shpejtësi për të gjetur dhe ndëshkuar autorët, me qëllim që të gjithë së bashku të ecim para por mos lëmë kurrë gjurmë të tilla.

 

Spartak Ngjela: Avokati Spartak Ngjela pasi është përulur me respekt para biznesmenit Santo deklaroi për mediat se në Shqipëri krimet nuk zbulohen. “Bankierët nuk i vret krimi. Kanë dashur o të marrin diçka, ose të fshehin diçka. Do e nxjerrin në hetim. Në Shqipëri krimet nuk zbulohen por harrohen.”- u shpreh Ngjela.

 

Luan Bregasi: Na iku një shok shumë i mirë, një mik, sipërmarrësi i talentuar dhe i suksesshëm. Në gjithë këtë aktivitet për tërë këto vite, Tani do mbetet një nga sipërmarrësit më të suksesshëm. Ndihemi keq sot, që Artan Santon s’do ta kemi më. Kemi besimin që ky aktivitet do të vazhdojë, dhe i bëjmë thirrje shtetit, institucioneve, që të bëjnë çështje e mundur që të zbardhet kjo vrasje, e mikut tonë, Artan Santos.

 

Krimi mafioz/ Hetimet, sekuestrohet dokumentacioni dhe laptopi në zyrën e Artan Santos

Momentet e tmerrit të policit rrugor që u përballë dhe gjurmoi vrasësit: Ende nuk më besohet që shpëtova

Mbledhje urgjente e policisë për krimin, masë ndëshkuese nëse konstatohet shkelje nga komisariatet

Efektivi rrugor afër bankës “Credins” sinjalizoi i pari blutë për çka kishte ndodhur duke u vënë në gjurmim të dy atentatorëve, ndonëse kërcënimit që i kanosej me jetë. Me një motor të thjesht polici T.Qepuri ka nxituar ritmin që të ndiqte vrasësit me pagesë, të cilët kanë arritur t’i shmangen pas disa metrave. Por ka qenë e pamundur për t’i arritur dy autorët, të cilët kanë ecur me 200 km/h duke shmangur kështu çdo patrullë policie, që është vënë pas tyre. Identiteti i tyre është ende mister për blutë, duke qenë se nuk kanë lënë asnjë lloj gjurme që të çoj në krijimin e një identikiti. Veshjet e errëta dhe skafandra e ka bërë të pamundur fiksimin e një elementi të vetëm fizik të dallueshëm. Të përgatitur për çdo lloj skeme të mundshme autorët kanë kapërcyer dy herë policinë, që i është vënë nga pas. Vetëm një ditë pas vrasjes së frikshme vjen rrëfimi i policit rrugor, që bisedoi dhe u përball me dy vrasësit me pagesë. T.Qepuri është marrë në pyetje nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, ku ka treguar me detaje momentin nga parkimi i motoçikletës së autorëve, vrasja dhe largimi i kriminelëve. Efektivi sapo ka parë dy djemtë që kanë ndaluar para bankës i është afruar me mirësjellje, duke i kërkuar që të largoheshin nga aty, pasi është vend i ndaluar për parkim. Drejtuesi i motoçikletës, me kokore në kokë, i është përgjigjur se vetëm 5 minuta punë kishte dhe do të largohej. Në një fragment sekondash ka mbërritur makina e drejtuesit të bankës Artan Santo. Sapo viktima ka dalë autorët e kanë thirrur në emër dhe kanë hapur zjarr. I tmerruar nga gjithë kjo dhe në krye të detyrës efektivi i është afruar në tentativë për të ndërhyrë. Por çdo gjë ka qenë e kotë, pasi ai është vënë përballë armës dhe kërcënimit për jetë. Ka qenë një mrekulli sesi autorët nuk e kanë vrarë dhe kanë ndezur motorin për tu larguar. Ndonëse kanosjes dhe presionit psikologjik efektivi Qepuri nuk ka hezituar në asnjë moment për të kryer detyrën e tij. Ka marrë motorin dhe është vënë pas dy vrasësve me pagesë. Por nuk ka mundur dot që të qëndroj shumë gjatë pas tyre, pasi djemtë lëviznin me një shpejtësi të madhe prej 200 km/h, duke iu shmangur në këtë mënyrë efektiv. Qepuri ka njoftuar policinë duke i dhënë të gjitha informacionet që kishte rreth ngjarjes. “Akoma nuk më besohet që kam arritur të shpëtoj dhe nuk e di sesi kam shpëtuar. Unë isha i gatshëm për patrullën rrugore atë mëngjes, kur afrohet motori me dy persona. Ata parkojnë para bankës, ku nuk lejohet ndalimi i automjeteve. I afrohem dhe i kërkoj që të lëvizin motorin, pasi ndalohej parkimi. Njëri prej tyre më kthehet duke më thënë se pak minuta punë kishin dhe do largoheshin. Në pak sekonda ka ndodhu krimi i rëndë dhe unë tentova të ndërhyja. Më drejtuan armën dhe nuk e sesi u shmanga për pak çaste. Ende nuk jam në terezi dhe nuk e kam marrë veten nga çka ka ndodhur, mua më ndihmoi Zoti. Njoftova menjëherë policinë dhe mora motorin për t’i vajtur nga pas. Arrita deri në një fare pike t’i ndiqja, por ata u shmangën dhe lëvizën me shumë shpejtësi”, – dëshmia e efektivit.

 

Hetimet

Janë 50 persona të shoqëruar për tu pyetur në lidhje me krimin. Të afërm, familjarë dhe dëshmitarë që mund të kenë dijeni për çka ka ndodhur, janë shoqëruar nga policia. Por momentalisht nuk ka ende asnjë pistë zyrtare apo e dhënë rreth vrasësve me pagesë. Krimi mafioz ka alarmuar policinë, ku vetë kreu i bluve ka zhvilluar një mbledhje urgjentë për tu informuar rreth punës së bluve dhe të dhënave konkrete. Mbledhja është zhvilluar në ambientet e drejtorisë së policisë, ku të pranishëm kanë qenë të gjithë strukturat.  Ndërkaq, në “sitën”  e policisë janë vënë edhe veprimet dhe mosveprimet e uniformave gjatë ditës së djeshme. Pritet që të vërtetohet puna e bërë nga komisariatet rrugore dhe në rast të konstatimit të parregullsive apo shkeljeve pritet marrja e masave. Por pesha kryesore në këtë ngjarjes është alarmi për një krim të ndodhur në mes të ditës, në prani të shumë dëshmitarëve nga dy perona, të cilët kanë arritur të arratisen duke mbetur mister. Nga ana e bluve është kontrolluar zyra e viktimës, ku janë marrë gjithë dokumentet dhe laptopi personal. Sekuestrimi është bërë për të verifikuar pistat e konkurrencës apo konfliktet në biznes. Si një person i fuqishëm dhe me investime në disa sektorë ka dyshime se Artan Santo mund të jetë vënë nën shënjestër për ndonjë debat apo problem nga biznesmenë apo aksioner. Të gjitha këto versione ngelen thjesht aludime, të cilat nuk kanë ende një dritë jeshile. Nga ana e saj prokuroria ka kërkuar zbardhjen e tabulateve të bisedave telefonike.

 

Skema e arratisjes/ Motori iu shmang policisë tek “Komuna e Parisit”

Itinerari: Pallati me shigjeta-Yzberisht-Nënkalimi te kthesa e Kazmës

Motori lëvizi prej dy javësh pranë institucioneve më të rëndësishme duke ndjekur bankierin Artan Santo Këtu përfshihen, veprimet e policëve rrugorë në ditët që pretendohet se dy vrasësit kanë ndjekur dhe fiksuar oraret dhe intinerarin e lëvizjeve të bankierit, duke lëvizur me të njëjtin motor pa targa, me të cilin ishin dhe ditën që e vranë. Ky fakt u pohua në një deklaratë bombë të shoferit të bankierit, i cili tregoi për policinë se ky motor i ka ndjekur prej mëse dy javësh. Duke iu referuar kësaj dëshmie, motori pa targa prej dy javësh ka lëvizur lehtësisht pranë institucioneve të rëndësisë të veçantë (duke iu referuar itinerarit të përditshëm që Santo kryente nga banesa pranë Liceut Artistike për në zyrën e tij në bankës Credins në zonën e ish-bllokut).Atentatorët kanë lëvizur me motor, pranë ambasadës amerikane, përballë Televizionit Publik Shqiptar dhe ambasadës italiane, përbri Ministrisë së Integrimit, Kryeministrisë, kryesisë së Kuvendit, Presidencës dhe institucione të tjera të rëndësishme shtetërore. Janë kërkuar informacionet dhe raportet e Gardës së Republikës apo Shërbimit Informativ Shtetëror, dhe arsyet pse ka mungesa të këtyre informacioneve, ndonëse motori i dyshimtë pa targa ka lëvizur pranë institucioneve të rëndësisë së veçantë duke u bërë objekt për sulm edhe ndaj tyre, qofshin përfaqësi diplomatike të huaja, apo institucione të rëndësishme shtetërore. Janë kërkuar filmimet e kamerave të sigurisë për të parë nëse motori edhe në ditët e mëparshme ka lëvizur pa targa, dhe për të fiksuar veprimet e policisë rrugore që kanë për detyrë bllokimin e të tilla mjeteve. Motori i fuqishëm i autorëve i ka ikur policit në zonën e Komunës së Parisit, ndërkohë që shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në postblloqe tek TEG dhe në Sauk. Motori ka kaluar nëpër rrugica nga Pallati me Shigjeta, në Yzberisht- Nënkalimi te kthesa e Kamzë duke u drejtuar për në Veri të Vendit.  Në vendin e quajtur “Hurmat” në Rinas, është pikasasur nga një tjetër shërbim policie,  gjithashtu I pajisur me motor Scooter 125 kubik dhe që ka mundur t’i ndjekë autorët deri në Urën e Gjolës. Motorri i policisë ka nxjerrë 120 km/orë kur autorët ishin të paktën me një shpejtësi 200 km/orë. Tek Ura e Gjolës, motori i autorëve është kthyer majtas për në rrugën e Bubqit duke hyrë në një terren të vështirë ku kishte përparësi, i pamundur për t’u ndjekur nga motori Scooter i policisë. Këtu punonjësi i policisë Rrugore ka komunikuar në radio duke dhënë koordinatat dhe zonën ku kishte hyrë motori i atentatorëve dhe ka qëndruar në pritje të përforcimeve.

 

Share it :